“Logu i Bjeshkëve”, vajzat e Malësisë shpërfaqin hiret dhe bukuritë e këtyre maleve

ATSH/ – Tradita vazhdon. Nën ritmin e muzikës dhe veshjeve tradicionale, në qafën e Predelecit në Kelmend u zhvillua “Logu i Bjeshkëve”, një aktivitet i bashkisë së Malësisë Madhe, ku bukuroshet e trevës së Kelmendit zhvillojnë konkursin e tyre të bukurisë.

“Rreth 1500 pjesëmarrës nga të gjitha trevat e Shqipërisë kanë marr pjesë në këtë festë tradicionale, e cila ka si qëllim promovimin e turizmit malor dhe produkteve të zonës”, theksoi Prefekti i Shkodrës, Çesk Millja për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH).

Prefekti bënë me dije se për këtë festë Kelmendasin vijnë nga çdo cep i botës, ku 30 prej tyre kanë ardhur nga SHBA-të duke organizuar edhe një koncert të bukur dhe të veçantë.

“Sot ishte aktiviteti i “Logut të Bjeshkëve”, aktivitet i bashkisë së Malësisë së Madhe që organizohet çdo vit dhe në kuadër të turizmit malor. Festa zhvillohet në javën e parë ose të dytë të muajit gusht. Sot u zhvillua një aktivitet kulturor, folklorik dhe historik ku ekspozuan disa nga prodhimet tipike të zonës. “Logu i Bjeshëkve”, janë disa beqaresha deri në moshën 25- vjeçë dhe në këtë festë tradicionale përzgjidhen më të mirat, duke shpërndarë dhe çmime. Për organizmin e këtyre eventeve, bashkia bashkëpunon me Kelmendasit kudo në botë, që janë nga Amerika, Anglia dhe kudo që ata janë. Dot kemi pasur një grup prej 30 vetash të ardhur nga SHBA-të që realizuan një koncert të bukur dhe të veçantë, duke promovuar vlerat historike dhe ato folklorike të zonës. Nga i gjithë aktiviteti që filloi që në orën 10:00, kemi pasur një pjesëmarrje prej 1500 vetash që ishin ne Logun e Bjeshkëve në qafën e Predelecit, të cilët shijuan muzikën folklorike të trevave tona. Juria e cila shpërndau çmimin ishte e përbërë nga 5 vetë, duke  ndarë vendin e parë të dytë dhe të tretë, për bukuroshet. Aktiviteti u shoqërua edhe me disa prodhime të zonës, si mjalti, djathi dhe disa prodhime blegtorale të zonës si dhe një sërë produktesh të ndryshme. Kjo festë u shoqërua gjithashtu me shumë këngë edhe valle ashtu siç ja do shpirti një malësori”,  theksoi Millja.

Qëllimi i festës së “Logut të Bjeshkëve” sipas prefektit Millja, është zhvillimi i turizmit malor si dhe për të përkujtuar traditën e vjetër kulturore.

“Këto aktivitete janë në  kuadër të zhvillimit të turizmit malor, por ky është aktivitet edhe vjetor për të realizuar edhe traditën e  vjetër kulturore. Meqë njerëzit ishin lartë nëpër male, çdo muaj gusht mblidheshin nuset e reja  për të parë kush ishte më e bukura. Në këtë “Log” vinë njerëz nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora.

Të pranishëm dhe kureshtar rreth kësaj feste me bukuri të pamasë, ishin dhe turistët e huaj të cilët panë konkursin e bukurisë si dhe shijuan produktet tradicionale të zonës.

“Turistët e huaj ishin prezent në këtë festë dhe kjo edhe për shkak të rrugës së shtuar e cila shkon deri në  qafën e Predelecit dhe pjesëmarrja ishte e lartë me mbi 1500 persona.

Shumë prej tyre mbetën të mahnitur nga veshjet, këngët si dhe vallet tradicionale Shqiptare”, theksoi prefekti Millja.

Vendin e parë e fitoi malësorja e  Hotit banuese në Londër. Gjithashtu u promovua tradita e prodhimeve vendase si dhe ajo është veshjeve kombëtare të zonës me xhubleta madhështore./e.caushi/