Liza Laska, aktorja që jetësoi në artin skenin shqiptar, vajzën e kurajshme, gruan ngadhënjyese dhe nënën epike

Nga Albert Vataj

Tradita e artit tonë skenik, ruan në identitetin e saj rolin dhe kontributin që patën gratë në konsolidimin e vlerave dhe pasurimin konkurues dhe përfaqësues që ata i mëkuan këtij besimi. Ajo i dha një vlerë e patjetërsueshme artit skenik, sepse derdhi në të shpirtin e saj. Diti të sfidonte kohën dhe pengimet, si një ngulmëtare e aftë për të përballuar beteja e çdoditshme dhe jo pak të vështira. Skena, rolet, personazhet, karakteret, situatat, ishin jeta e saj. Ajo demostroi fisnikëri dhe personalitet, profesionalizëm dhe frymë krijuese. Me shpirt të ndezur në përjetim, me zemër të blatuar në emocion, me talentin e shndërruar në pasion dhe përkushtim; sollën përsosmërisht në rolin e heroinës; vajzën, motrën, gruan dhe nënën. Dhe e bëri këtë ashtu siç dinte vetëm ajo. Një ndër këto emblema të teatrit dhe kinematografisë, një ndër ato vlera që mishëruan artin, ishte Liza Laska.

Liza Laska u lind në qytetin e Vlorës më 6 shkurt të vitit 1926. Në rini, Liza ka kënduar dhe në vitet e para të çlirimit është shquar edhe si kërcimtare. E spikatur për talentin e saj, në vitin 1946 filloi punë në Teatrin Popullor të Tiranës. Më pas shkoi në Korçë, atje ku ajo ishte aktore themeluese e teatrit profesionist të këtij qyteti, duke luajtur role kryesore, dhe kontribuar që kjo gjallëri artistike të bëhej pjesë e traditës së pasur të këtij qyteti, deri më vitin 1962.

Nga ky vit ajo u bë një nga aktoret e para, që formuan trupën e Teatrit Profesionist të Vlorës. Punoi aty deri sa doli në pension, duke qenë aktore e parë dhe duke mbajtur peshën më të madhe të roleve femra, me mbi 60 role të tilla. Ka luajtur mbi 22 role në filma shqiptarë dhe mbi 100 role në teatër. Ka spikatur posaçërisht në rolet e nënave epike, që vuajnë dhe pësojnë halle e humbje të mëdha tragjike për bijtë e tyre të rënë për liri, po kështu, gra të vuajtura e fatkeqe, që durojnë me stoicizëm pasojat e një jete nën dhunë apo me liri të kufizuar: gra të emancipuara apo nëna e gjyshe të dashura.

Nëna e të gjitha trevave shqiptare erdhi përmes lojës së aktores Liza Laska, me një vërtetësi dhe origjinalitet, me shpirt të ndjeshëm interpretues dhe zemër të pastër, mishërimi që kulmon në “Shtigje luftë, “Dimri i fundit”, “Lulkuqet mbi mure”, role të cilat edhe pse i përkasin një periudhë, kur arti skenik u përdor nga sistemi, ajo i ngjiti lart, atje ku shpirti i një nëne shenjtëron misionin e saj, si në jetë ashtu edhe në art.

Galerinë e saj të roleve të spikatura në teatër e dallon, “Luani i shtëpisë”, “Familja e peshkatarit”, “Fytyra e dytë”, “Lidhur si fishekë gjerdani”, “Nëntori i flamurit”, “Fundosja e skuadrës”, “Sinjali i kuq”, “Jatagani”, “Rruga Budi 723”, “Sakrifica” etj. Përveç roleve kryesore, Liza Laska ka mishëruar me mjeshtëri edhe një sërë rolesh të dyta dhe episodike, duke gjurmuar tipa e karaktere jetësore me një origjinalitet të spikatur. Loja e saj shquhej për vërtetësi, realizëm të thellë, forcë e pështjellim emocional, për dramacitet e tragjizëm; herë-herë ajo përshkohej edhe nga tonet lirike e poetike, ku binin në sy finesa e sjelljeve dhe brishtësia e ndjenjave.

Zotëronte një zë të ngrohtë, të butë, melodioz, me një tingëllim e intonacion të pastër të së folurës labe. Krahas roleve në teatër, Laska ka interpretuar edhe 13 role të ndryshme në kinematografi si; nëna te “Shtigje lufte” (1974), Mara te “Dimri i fundit” (1976), me të cilin ka fituar “Medaljonin e Festivalit”, pastruesja te “Lulëkuqe mbi mur” (1976), nëna e Belulit te “Guna mbi tela” (1977), Evgjenia te “Në prag të lirisë”(1981), nëna te “Vendimi” (1984), hallë Sofia te “Gurët e shtëpisë sime” (1985), shoqja e Bonit te “Vdekja e burrit”(1992) etj. Mban titullin “Artiste e Merituar”.

Ky kontribut i aktores Liza Laska është pjesë e asaj pasurie kombëtare, e cila meriton vëmëndje dhe konsideratë. Kjo jo vetëm për punën e palodhur dhe përpjekjet titanike në realizimin e roleve dhe prurjen gjallërisht të personazheve, por edhe për luftën e heshtur me kohën. Për gratë e kurajshme si Liza Lasku kjo luftë ishte ajo sprovë e vajzës, gruas, nënës, e cila besonte tek ëndrrat e mëdha dhe ngulmueshëm shkonte pas rrahjeve të zemrës për të përmbushur, jo vetëm një dëshirim të pasionit dhe talentit’ por edhe për të përmbushur shpirtin e sakrificës. Ata luftuan me veten dhe kohën, sfiduan kodet dhe zakonet, besuan në atë çfarë patën më të shtrenjtë dhe i përjetësuan në atë kolanë të pasur të ballafaqimit skenik.

Liza Lasku, ashtu si dhjetëra vajza, gra dhe nëna, u përpoqën dhe arritën të bënin atë vepër mirënjohjeje, ngritën atë memorie vetmohimi, përjetësuan atë shpirt sakrificash në historinë e artit tonë skenik, si shembullin me sinjifikues të heroinës.