Liridon Mulaj: Lumturi që çelin mes vuajtjesh, mes skamjesh

Ne shqiptarët dijmë vetëm të ankohemi. E vërteta është se ka pak njerëz të lumtur sot për shkaqet që të gjithë ne i prekim çdo ditë. Por mendoj se ne si popull në veçanti nga vendet e zhvilluara , kemi disa lumturi të tonat, që vetëm ne i përjetojmë. Ja psh unë çdo mëngjes kur pres autobusin për të vajtur në punë, më duhet të rri mbi 10 minuta tek cepi rrugës të pres. Do thoni ju a mërzitesh? Po sigurisht mërzitem , nervozohem, shaj nëpër dhëmbë por, kur shoh autobusin që del në kthesë, më kap një lumturi e pashoq, më bën të harroj çdo sharje apo çdo mërzitje e nervozizëm tek cepi rrugës. Ose kur na vijnë dritat pas 3 apo 4 orësh të fikura. Ajo britma e kënaqësisë që del nga fundi i shpirtit kur elektriciteti ndez llampën, e ty të ngjan vetja sikur ke rilindur. Tjetra, kur ke 3 muaj pa marrë rrogën, e pas shumë sfidash e përpjekjesh mes borgjeve e halleve, dikush të njofton që rrogat janë hedhur të plota, e ti që për një moment e njen veten milioner. Kur dikush të paguan kafenë e mëngjesit, apo kur fatorino harron të të marri lekët e autobusit sepse ti je përhumbur pas xhamit e me vete i pëshpërit atij :

– Isha, po po isha!

Dhe ti ndjen krenarinë më të madhe që e para ja hodhe faturinos , dhe e dyta kurseve 40 lekëshin e rrugës e që nga ai moment , ti ke 40 lekë më shumë në listën e shpenzimeve të ditës.

Raste e raste pa fund, që vetëm në këtë Shqipërinë tonë “të bukur, ndodhin. Lumturi që çelin mes vuajtjesh, mes skamjesh.