“Liria e mediave shqiptare është në përkeqësim” – raportojnë 7 organizata ndërkombëtare

Një delegacion me 7 organizata ndërkombëtare të lirisë së shtypit publikuan në Tiranë një raport paraprak mbi vështirësitë e gazetarëve shqiptarë.

Raporti theksoi se liria e shtypit në Shqipëri është përkeqësuar dhe qeveria nuk është transparente, ndërsa politikanët përdorin një gjuhë të ashpër ndaj medias.

Grupi prej 7 organizatash të lirisë së shtypit dhe shprehjes publikoi sot në Tiranë një raport, sipas të cilit liria e medias në Shqipëri po përkeqësohet.

Qendra Europiane për Lirinë e Medias dhe Shtypit (ECPMF), Artikulli 19, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ), Federata Europiane e Gazetarëve (EFJ), Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI), Reporterët pa Kufij (RSF) dhe Organizata e Medias në Europën Juglindore (SEEMO) zhvilluan një mision të përbashkët në Tiranë.

Sarah Clarke nga organizata “Artikulli 19” tha gjatë konferencës për shtyp se misioni është i shqetësuar për vet-censurën e gazetarëve dhe është i tronditur nga lidhjet e ngushta mes politikanëve, pronarëve të mediave dhe grupeve të interesit, mënyra se si financohet mediat, elemente këto që e vështirësojnë punën e gazetarit kur përgatit shkrime kundër korrupsionit dhe shkeljeve ligjore.

Pas një serie takimesh me përfaqësues të medias dhe të qeverisë, ata konstatuan se Shqipëria nuk po përmbush detyrimet e ligjit vendas, detyrimet si anëtare e Këshillit të Europës, OSBE-së dhe aspiratat si vend kandidat në Bashkimin Europian.

“Ne mendojmë se Shqipëria krahasur me rajonin është një nga vendet me problemet më të mëdha sa i takon lirisë së shtypit” – tha Oliver Vujoviç nga organizata SEEMO.

Raporti thekson se sulmet fizike ndaj gazetarëve nuk janë zbardhur, ndërsa zyrtarë të lartë publikë përdorin shpesh gjuhë fyese e nënvleftësuese ndaj gazetarëve kritikë.

Attila Mong nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, tha se kemi vërejtur edhe një ngurrim të gazetarëve shqiptarë për të denoncuar rastet e presioneve ndaj tyre, sepse kanë frikë që mund ta pësojnë akoma më keq nëse i denoncojnë ato.

Ndërsa Skot Grifen nga Instituti Ndërkombëtar i Shtypit tha se aktualisht në Europë dhe në Ballkan qeveritë po mundohen të pengojnë raportimet e lira të shtypit dhe t’i nxjerrin gazetarët krikë nga roli i tyre, duke iu imponuar mesazhet e veta.

“Një gjë të tillë e kemi vërejtur edhe në Shqipëri. Kjo nuk duhet të pranohet, sepse nuk është normale. Qeveritë mund të japin pikëpamjet e tyre, por gazetari është i lirë ta pasqyrojë ngjarjen nga këndvështrimi i tij pa ndikime” – tha Griffen.

Të 7 organizatat e lirisë së shtypit raportuan se “administrata publike shqiptare, nga zyra e kryeministrit dhe kryebashkiakut të Tiranës e më tej, nuk janë transparente me median dhe kufizojnë qasjen e gazetarëve kritikë”.

“Legjislacioni i propozuar së fundi për mediat, përfshirë një skemë drakoniane rregullash për mediat shqiptare e të huaja në internet, nuk përputhet me standardet ndërkombëtare të të drejtave njerëzore” – shënojnë 7 organizatat në raportin e tyre.

Delegacioni mblodhi informacione dhe pati takime me gazetarë, kryeredaktorë, përfaqësues të shoqërisë civile, organizata ndërkombëtare, ambasada të atashuara në Tiranë dhe zyrtarë të lartë të qeverisë dhe kryeministrin Edi Rama. Kryetari i bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj refuzoi të takonte delegacionin.

“Dënimet me burg për shpifje u shfuqizuan në 2012, por shpifja dhe fyerja mbeten vepra penale të dënuara me gjobë dhe vitet e fundit ka pasur propozime për të rifutur në kodin penal dënimet me burg për shpifje kundër zyrtarëve të lartë shtetëror” – thanë organizatat.

Delegacioni shprehu shqetësim për rritjen e numrit të padive për shpifje të motivuara politikisht, të depozituara nga politikanë dhe që kërkojnë dëmshpërblime të larta.

“Edhe pa kërcënimin e dënimit me burg, mundësia e përballjes me një dënim penal mund t’i shtyjë gazetarët drejt vet-censurës,” tha koalicioni. “Ne e inkurajojmë Shqipërinë që t’i shfuqizojë të gjithë ligjet penale për shpifjen dhe fyerjen” – theksoi ai.

VOA