“Lindja e Venusit” dhe “Pranvera”, të përbashkëtat dhe dalluese e këtyre dy kryeveprave të Sandro Botticelli-t

Nga Albert Vataj

“Pranvera” së bashku me “Lindja e Venusit” janë dy nga kryeveprat e gjeniut të rilindjes së hershme italiane, Sandro Botticelli-t. Në të shumten e herëve, “Pranvera” është trajtuar si bashkësi krijuese e mjeshtrit me “Lindja e Venusit”. Trajtimi është i njëjtë, pesha specifike e lëndës estetikisht të pasur dhe me një zhdërvjelltësi të përdorimit të ngjyrës që e ngas këto vepra, janë po ashtu lëndë të së njëjtes magji përfytyrimi. Por “Pranvera” mund të kundrohet dhe trajtohet veçuar nga “Lindja e Venusit”, sepse vetëm kështu dallojmë speciafikat dalluese të lëndës dhe alegorisë shprehëse, me të cilën piktori rreket të kumtojë stinën e hareshme, stinën e luleve, bukurisë dhe aromave dehëse.
Gjithsesi “Pranvera” është pjesë e “Lindja e Venusit” sepse njëra është mëkim shpirtëror i tjetrës dhe të dyja janë një zgjatim ose episod tjetër i asaj alegorie që piktori kërkoi që të shprehte. Duhet të sjellim në kujtesë se piktura e katërqintës është në një epokë eksperimentimi. Ajo po e braktis ngurtësinë gotike dhe i afroheshin gjithmonë e më shumë realitetit. Dhe në tablo nis të shfaqet natyra e portretizuar në sfondet e kompozimeve dhe u futën brenda kuadrit nudot artistike të figurave, Sandro Botticelli e bën këtë te “LIndja e Venusit”, por e potencon te “Pranvera”. Ajo pasurohet me figurën e femrës, jo vetëm si ëmë e krijimit por dhe sinonim i gjithë asaj forve transformuese, me të cilën stina e pranverës vjen. Piktura italiane e pret me solemnitet këtë qasje hareje dhe yshtje, ngjyrash dhe linjash, bukurie dhe hireve, alegorie dhe trilli. Në harkun kohor 1477 -1485 vjen ky ndryshim, Sandro Botticelli sjell një sprovë të dëshmimit të shpirtit të tij të trazuar dhe vetëdijes së ndryshesave krijuese.
Kritika rreket të përbashkojë lindjen e këtyre dy kryeveprave në të njëjtën kohë, edhe pse është e vështirë që Botticelli ti ketë konceptuar të dy pikturat brenda të njëjtit program figurativ, edhe për shkak të diferencave teknike dhe të stilit. Në të kundërt me “Pranverën”, “Lindja e Venusit” nuk është përmendur në inventaret mediçeas të vitit 1498, 1503 dhe 1516, por gjithmonë falë dëshmisë së Vasarit dimë se gjendej në Vilën e Castello-s në vitin 1550, kur ai i pa dy veprat të ekspozuara së bashku në rezidencën rurale të degës kadete të familjes. Studimet e mëvonshme pohojnë se “Pranvera” u pikturua për vilën e Lorenzo-s, e cila ndodhej në rrethinat e Firences. Ndryshe “Lindja e Venusit” e cila mendohet të jetë porositur për një vend dhe person tjetër. Fakt është se në vitit 1499, të dyja ishin vendosur në Castello.
Për sa i përket interpretimit, skena përfaqëson çastin pak më parë atij të Pranëverës (Vendosja e Venusit në kopështin e Dashurisë), dmth. çastin pas lindjes nga shkuma e detit në brigjet e ishullit të Qipros, e shtyrë nga bashkimi i erërave të Zefirit dhe Auras, dhe e pritur nga një prej Horave që po i shtrin një mantel të çmuar me zbukurime lulesh. Shumë historian duket se bien dakord në lidhjen e ngushtë midis pikturës dhe një pasazhi të Stanza-ve të Agnolo Polizianos: rastësia gati absolute midis tregimit dhe pikturës do të konfirmonte që bëhet fjalë për një ilustrim lidhur me poemën e filozofit neoplatonik, me referimet implicite të idealeve mbi dashurinë që karakterizonin këtë rrymë të mendimit.


“Lindja e Venusit” duhej të ishte për më tepër ardhja në dritë e Humanitas, e kuptuar si alegoria e dashurisë, forca lëvizëse e natyrës. Figura e perëndeshës, e paraqitur në pozën e Venus pudica (dmth. ndërsa mbulon lakuriqësinë e saj me duar dhe flokët e gjatë bjond), është personifikimi i Venusit qiellor, simbol i pastërtisë, thjeshtësisë dhe bukurisë pa zbukurime të shpirtit. Bëhet fjalë për një nga konceptet themelore të humanizmit neoplatonik, që rikthehet nën aspekte të ndryshme edhe në dy piktura të tjera të Botticelli-t të realizuara afërsisht në të njëjtën periudhë: Palada dhe centauri dhe Venusi dhe Marsi.
Kompozimi është skajshmërisht i balancuar dhe simetrik, vizatimi është bazuar në linjat elegante që krijojnë lojëra dekoruese sinuoze dhe të hijshme. Në çdo rast vëmendja ndaj vizatimit nuk arrin kurrë në efekte pastërtish dekoruese, por mban një prirje drejt volumetrisë, dhe përvijimit vërtetësore të materialeve të ndryshme, mbi të gjitha te veshjet shumë të lehta. Ngjyra e çelur dhe e qartë, e derivuar nga teknika e veçantë që imiton afreskun, i lan me dritë figurat, duke lartësuar pastërtinë penetruese të bukurisë. Akoma më shumë se te “Pranvera”, hapësira e sfondit është e cekët, duke i bllokuar figurat në një pezullnajë magjike.