Lezhë, zbulohet droni që fuste drogë dhe celularë në burg

Në Shqipëri, policia bëri të ditur se zbuloi rastin e parë të një tentative për futjen, me ndihmën e dronëve, në ambientet e brendëshme të burgut të lëndëve narkotike dhe telefonëve celularë.

Në një njoftim të sajin, policia bëri të ditur se, në mbrëmjen e së shtunës, në rrethimin e jashtëm të Burgut të Shënkollit, rreth 10 kilometër në afërsi të qytetit të Lezhës, punonjësit e policisë së burgut, që kryenin shërbim, konstatuan se po fluturonte një dron duke hyrë në zonën e ndaluar të sigurisë. Forcat e policisë arritën të bllokojnë dronin në rrethin e dytë të jashtëm të burgut. Gjatë këqyrjes, në trupin e dronit u gjetën, të lidhura në një qese plasmasi, 7 pako me lëndë narkotike, si dhe tre telefona celularë.

​Në lidhje me këtë ngjarje policia arrestoi tre persona, të cilët u kapën në një automjet, rreth 1 kilometër në afërsi të burgut. Gjatë kontrollit të automjetit u gjet telekomanda dhe çanta e dronit, si dhe tre telefonë të tjerë celularë.

Të arrestuarit janë të moshës nga 25-28 vjeç, banorë të Malësisë së Madhe dhe të Shkodrës. Ata akuzohen nga prokuroria për veprat penale “Prodhim dhe shitje të narkotikeve” dhe “Futje ose mbajtje e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim, e mbetur në tentativë”.

Vitet e fundit janë regjistruar raste të shumta të tentativës për të futur drogë dhe telefonë celularë në Burgun e Shënkollit. Në mars të këtij viti, gjashtë punonjës të këtij burgu u pezulluan nga detyra për mosrespektim të rregullave të sigurisë, gjë që u kishte mundësuar familjarëve të të burgosurve të fusnin në burg lëndë narkotike përmes ushqimeve.