Letra e Fan Nolit per Enver Hoxhën e shkruar më 8 nëntor 1945, ku i lutet për Faik Konicën

Krerët komunistë injoruan kërkesën e Nolit në vitet ‘40. Testamenti i Konicës: Nuk do të më tretë dheu nëse nuk do ta çojnë kufomën time të tretet në tokën mëmë.

“Ndërroj jetë me mejtimin se ti je njeriu që më ke kuptuar më mirë në këtë botë”.  Kështu i shkruante Faik Konica Fan Nolit, dikur në vitin 1940. Shkruar nga dora e Konicës, kjo duket boll e çuditshme, përderisa tashmë është e njohur shemëria që Konica e Noli kanë pasur gjatë gjithë jetës së tyre. Kanë luftuar, kanë vënë në lojë, kanë akuzuar njëri-tjetrin, por ka pasur edhe periudha paqeje, kur njëri-tjetrit i janë drejtuar me “mik i dashur!”.

Në fund të jetës, amanetet e fundit Konica ia la pikërisht Nolit. Mes 544 letrave të sjella në librin “Letërkëmbimi i Fan Nolit”,  përgatitur nga studiuesi dhe edhe njohësi më i mirë i Fan Nolit, Nasho Jorgaqi, është edhe korrespondenca me Faik beun. Krahas letrave që i kanë dërguar njëri-tjetrit për çështje pune, është edhe letër-amaneti i Konicës dhe disa të tjera që lidhen pikërisht me plotësimin e këtij amaneti.

Në letrën e tij të shkurtër, Konica i kërkon Nolit që eshtrat e tij të prehen në vendlindje. “Nuk do të më tretë dheu, nëse ti imzot dhe të gjithë ata që e quajnë veten shqiptarë, nuk do ta çojnë kufomën time të tretet në tokën mëmë”, shkruan Konica. Por sa do e thjeshtë do të dukej kjo gjë për Nolin, kthimi i eshtrave të Konicës në Shqipëri do të ishte një mision i pamundur. Në dhjetor të vitit 1942, Faik Konica do të mbyllte sytë. Në epistolarin e tij mësojmë edhe për përpjekjen e Nolit për të çuar në vend amanetin. Për këtë çështje ai i drejtohet Enver Hoxhës, me të cilin ka pasur një letërkëmbim të gjatë në vitet 1945-1946. “Dëshira e fundit e Faik Konicës ishte që të prehej në atdhe, në Shqipëri. Kini mirësinë të na njoftoni kur do të ishte e përshtatshme që të silleshin eshtrat e tij me nderimet përkatëse si kampion i pavarësisë së Shqipërisë”, shkruan Noli. Por duket se Enver Hoxha nuk i ktheu asnjëherë përgjigje për këtë çështje.

Më tej lexojmë t’i ketë shkruar Sejfulla Malëshovës, që nga mënyra se si ai i drejtohet “Lamja im i vogël”, duket se ka pasur një njohje dhe miqësi të ngushtë. Ai i thotë Malëshovës të interesohet për këtë çështje: “Bëj përpjekje për të ndjerin Faik se është akoma në dollap dhe koston shumë dhe trupi ka filluar të prishet. Më kthe përgjigje për këto”, shkruan Noli. Por duket se edhe Malëshova nuk i ktheu asnjë përgjigje. Kishte 4 vjet që një nga intelektualët më të mëdhenj shqiptarë të fillimshekullit XX kishte vdekur e askush nuk po i dilte për zot kufomës së tij. Por Noli nuk e dinte se regjimi i ri komunist i vendosur në Shqipëri do ta konsideronte Faik Konicën si një “shkrimtar reaksionar” dhe vepra e tij do të dënohej për 50 vjet me radhë. Ai do të ikte nga kjo botë me pengun se nuk e çoi deri në fund amanetin mik-armikut të tij. Për më shumë se 50 vjet do të mbetej i paplotësuar amaneti i Konicës. Eshtrat e tij u kthyen në atdhe, në një ditë maji të vitit 1995 dhe u vendosën në Parkun e Tiranës, pranë varreve të vëllezërve Frashëri.

Nga letërkëmbimi i pasur i Nolit kemi përzgjedhur disa syresh nga korrespondenca që ai ka pasur me Faik Konicën, ku ndihet tisi ironik, por dhe letrën e fundit që Konica i dërgon Nolit. Gjithashtu kemi shkëputur dhe disa letra drejtuar Enver Hoxhës dhe Sejfulla Malëshovës për çështjen e varrimit në Shqipëri të eshtrave të Konicës. VOAL

 Letër Faik Konicës
/dhjetor 1933/
I dashur Usta,Mund të vini dorën në zjarr që jam hequr nga politika me një mënyrë të përfuntme-pneumonia i vuri kapakun tërë punës sime. Jam akoma në shtrat dhe plaga e mëlçisë është akoma e hapur… tani e dini tërë historinë dhe mund ta merrni me mend se s’kam as nge, as qef, as takat për politikën. U zgjata mjaft me këtë pikë se dua që ta dini mirë punën dhe kështu të muntni të siguroni qeverinë tonë që këllëçi im politik është varur në muze dhe nuk del së andejmi kurrë më. I jap fund letrës se u lodha. Bile kam frikë se ju kam lodhur ca më tepër. Shtoj vetëm këto fjalë: përpiquni të më ndihni se jam keq nga të gjitha pikëpamjet.Me të fala
Juaji në besë
Fan S. Noli
Letër e
Sejfulla Malëshovës
I dashur mik,Ka një muaj që të kam shkruar një letër, ku të thoja se gjendem këtu në Paris dhe se dëshiroj të vij aty në Amerikë. Aty dua të vij pse kam shpresë se me vullnet e me punë aty mund të ngjallet një lëvizje e madhe kombëtare. Sidomos po të dilte dot ndonjë gazetë, unë mund të marr pjesë aktive në botimin e saj.
 Federata e këtushme bëri gati për shtyp gazetën që ka ndër mend ta nxjerrë si organ të saj, po nga shkaku i luftës nuk doli. Dhe s’ka shpresë se do të dalë këtu për një kohë të gjatë.

Edhe në Jugosllavi kanë formuar një federatë me një qendër dhe janë në bashkëpunim të ngushtë me federatën e këtushme. Një nga anëtarët e qendrës së këtushme u nis këto ditë për në Jugosllavi. Së andejmi mund të bëhet shumë punë, meqë ka lidhje të afërme me Shqipërinë.

Federata këtu ka dy muaj që i ka bërë dhe një letër “Vatrës” aty, po s’ka marrë përgjigje. Si duket aty s’ka shenja për ndonjë lëvizje serioze dhe ka nevojë për një shtytje nga ana jote dhe për njerëz të rinj. Ti ç’thua? Ç’mendon se mund të bëhet aty?

Ç’qëndrim mban Faik Konica? A bën intriga sipas zakonit? Kemi lidhje të shëndosha me Shqipërinë dhe një lëvizje (nga) jashtë do të ishte një ndihmë e madhe për lëvizjen brenda.

Si jashtë ashtu edhe brenda pyesin e thonë: Ku është Fan Noli? Pse s’dëgjohet, pse nuk del në krye të punës?

Edhe unë jam i mendjes se ti duhet të nxjerrësh edhe një herë shpatën dhe të hedhësh në sheshin e luftës tërë autoritetin tënd moral dhe politik në këtë kohë kritike për atdheun.
Sido që të jetë, të lutem, më shkruaj sa më shpejt.

Të fala me mall, yti me besë

Sejfulla Malëshova

P.S. Më shkruaj ç’posibilitet ka për mua që të vij aty?

S. Malëshova
Letër Lame Kodrës
Lamja im i vogël!
Po të shkruaj duke të gëzuar gjithë të mirat.

Po të dërgoj testamentin e z. Konitza, të lënë për tyj dhe mua. Mundësitë më të mëdha i ke ti. I ndjeri i ka lënë harxhet e nevojshme. Ndërmjetëso të mbarojmë këtë amanet se e kemi akoma në dollap dhe u bënë 4 vjet.

Unë jam në pritje.
Me përqafime e me nderime Noli
4 shkurt 1946
Letër Sejfulla Malëshovës
28 Korrik 1946
I dashur mik,

Qofsh mirë. Kam dëgjuar se po vendosni pushtetin demokratik dhe po punoni për kulturën e Shqipërisë. Duhet të hapësh një institut të gjuhës e të letërsisë. Unë vi të ndihmoj për nja 3 muaj, vetëm më merr parasysh harxhet e rrugës se e kupton ngushticën time. Për në Lidhjen e Kombeve unë vazhdoj përpjekjet, mos u merakos se do t’i shtoj përpjekjet. Ne u bëmë dhe një letër tjetër. Ndihmat e amerikanëve dhe anglezëve pranojini, jam garant unë për to, nuk fshehin gjë prapa. Bëj përpjekje për të ndjerin Faik se është akoma në dollap dhe koston shumë dhe trupi ka filluar të prishet. Më kthe përgjigje për këto.

Me përqafime,
I juaji, Noli

ma.me