Letër Kryeministrit Edi Rama nga Elona Caslli. A jeni Ju i rrëfyeshëm Lartmadhëri?!

Është e pamundur të qëndrosh indiferent duke lexuar këtë shkrim ku ndjenja e lartë e qytetarisë gërshetohet me atë të dashurisë për vëndin dhe dhimbjen për kushtet ku një Kryeministër i papërgjegjshëm dhe stafi i tij kanë zhytur Shqipërinë.
Elona ia ka drejtuar Lartmadhërisë së tij, siç e quan ajo Kryeministrin e vëndit, por çdo qytetar po të ketë vëmendjen ta lexojë këtë shkrim të thellë në mendim me siguri do të reflektojë për realitetin e sotëm.
————/————-
A jeni Ju i rrëfyeshëm Lartmadhëri?!

-Kthimi i mendimit në gjuhë, ka qenë dhe mbetet, pa asnjë dyshim, aksioni më i madhërishëm i njeriut. –do të shprehej Ismail Kadare në librin e tij “ Mosmarrëveshja” dhe brenda “Mosmarrëveshjes” së Kadaresë do të përballeshim edhe me pyetjen kyçe të njerëzimit- A është e rrëfyeshme bota?!

A jeni Ju i rrëfyeshëm Lartmadhëri?!

A mund të rrëfehet një Kryeministër që deklaron se dorëheqja e tij është në përputhje të plotë me vullnetin e tij dhe jo me vullnetin e popullit që e ka zgjedhur?!
Në botën e qytetëruar, do të mjaftonte vetëm kjo fjali, që një popull të ngrihej në këmbë dhe të kërkonte dorëheqjen e Kryeministrit në detyrë.

A mund të rrëfehet një Kryeministër që Kushtetutën e vendit e trajton thjesht si një kalendar zgjedhjesh vendore?!
Kushtetuta e vendit shkon përtej një date dhe përtej emrit të një Kryebashkiaku, Lartmadhëri.
Mendimi juaj mund ta prekë Kushtetutën e vendit, por fjala juaj nuk e zotëron të drejtën morale për ta takuar Kushtetutën e vendit, për sa kohë keni krijuar ligje të posaçme që bien ndesh me këtë Kushtetutë dhe keni urdhëruar votimin e këtyre ligjeve.

A mund të rrëfehet një Kryeministër që Djegien e Mandatave nga Opozita e quan akt dëshpërimi?!

Le të ndalemi për një çast tek ky akt Lartmadhëri, të cilin ju e quani “premierë” në historinë e parlamentit.

Krijimtaria juaj e përveçme Lartmadhëri prodhoi Ligjin e posaçëm mbi shembjen e Teatrit Kombëtar.
Kjo krijimtari nuk u mirëprit nga Presidenti i vendit dhe nuk u votua plot dy herë nga Djegësit e mbrapshtë të mandateve.
Numrat Tuaj në parlament e votuan plot dy herë këtë ligj antikushtetues.

Lind pyetja: Kujt i shërben një opozitë brenda këtij Parlamenti?! Vullnetin e kujt përfaqëson dhe interesin e kujt mbron?!
Qëndrimi i opozitës brenda parlamentit do t’i shërbente veçse pozitës brenda këtij të fundit, për të mbajtur në këmbë një Demokraci artificiale , e cila do të shërbente si një alibi e shëndetshme për faktorin ndërkombëtar lidhur me mënyrën e të qeverisurit në këtë vend.

A mund të rrëfehet një Kryeministër që mbështet figurën e një Kryebashkiaku i cili grabit shkronjat mbi godinën e Teatrit Kombëtar?!

Kam përshtypjen se kjo ngjarje përbën “Premierë “ jo vetëm në historinë e kombit shqiptar, por në historinë e mbarë njerëzimit.
Sikur të mos mjaftonte grabitja e dhunshme e Kryebashkiakut në zemër të natës, do të kishim edhe dy deklarata që bien në kundërshti me njëra-tjetrën.

Deklaratën e Drejtorit të Teatrit Kombëtar , i cili deklaroi se shkronjat nuk ishin hequr dhe deklaraten e Ministres së Kulturës e cila deklaroi se shkronjat ishin hequr se mund të dëmtonin kalimtarët.
Lartmadhëri, edhe një Sekretare Partie në komunizëm , ka patur më shumë filtër mendimi dhe gjykimi.

A mund të rrëfehet një Kryeministër, i cili në fazën e përjetimit të një adoleshence të vonuar nxjerr gjuhën jashtë nga foltorja e Parlamentit?!

Gjuha e nxjerrë jashtë Lartmadhëri, është simboli i qeverisjes Suaj në plot 6 vite.

Dhe është pikërisht ky simbol, që është i pranishëm në çdo hallkë të sistemit që Ju vetë keni ngritur, që e bën çdo shqiptar të ndihet i revoltuar.

Kujtesë- E drejta dhe dinjiteti qytetar nuk janë monopol i Ish- Opozitës Lartmadhëri.
Janë vullnet i çdo shqiptari që e njeh ende domethënien e fjalës – Liri-.

Elona Caslli