LARGOHET TRAJNERI I KOMBETARES, Gianni De Biasi / Ikja pa lavdi e atij që na bëri të besonim te lavdia shqiptare e futbollit

Nga Albert Vataj

Ndoshta edhe ai do të ishte pjesë e çdo triumfi, me të cilin e kemi kaq të lehtë që t’i blatohemi dhe kaq të pamundur ta bëjmë diçka të merituar. Humbësit e kanë të pamundur të mësohen me fitoren. Por jo vetëm kaq, duket se humbja nuk është thjeshtë një çështje fati apo çështje impenjimi, humbja është çështje themelore e të gjitha gjërave të rrokshme në Shqipërinë tonë të dashur, por kryesisht në futboll. Një vend i vogël me një traditë modeste futbollistike duhej të guxonte të dilte nga qerthulli i “mallkimit”, në honin e të cilit e kishte groposur fati i keq. U përpoqën pafund emra dhe iniciativa, sprovuan kaq e kaq herë pa mundur të bënin që shqiptarët të ndjeheshin krenar për futbollin, për heronjtë e saj të fushave të blerta.

Traineri i ekipit Kombetar Shqiptar Gianni De Biasi, gjate nje seance stervitore, nje dite para ndeshjes se futbollit Serbi-Shqiperi, e vlefshme per eleminatoret e euro 2016, e cila do te luhet ne stadiumin Partizani, ne Beograd.

Dhe vjen një ditë, dhe vjen një kurajoz, një që besonte se me shqiptarët mund të bënte diçka, se shqiptarët meritonin më shuma se çfarë ata kishin mundur të arrinin. Erdhi nga përtej Adriatiku, nga vendi fqinjë, erdhi, pa, u përpoq, bëri dhe i’a arriti sa s’kishim mundur të arrinim asnjëherë. E mori Shqipërinë futbollistike nga asgjëja dhe e faktorizoi në arenën ndërkombëtare, e transformoi në një ekip sfidash, në një skuadër të cilën filluan ta kosnideronin edhe ekipe të mëdha botërore, ekipe që kishin shkruar historinë e futbollit.

Ai ishte Gianni De Biasi.

Kur ai erdhi me flamurin Kuq e Zi dhe me fitoren historike të Shqipërisë, të gjithë nxituan ti shtrojnë tapetin e kuq nga aeroporti deri në Tiranë. Një histeri shpërtheu. Një gazmim legjitim rroku ëndrrën e shqiptarëve. Politika nuk mund ta humbiste këtë rast. Ajo gati sa nuk pretendoi se mundi dhe djersa që kishte bërë këto djem të mbërrini cakun e ëndrrës, ishin të saja. Nuk i lanë këto djem të përulur, punëtor dhe të apasionuar të ishin kaq modest sa të gëzonin me maturi për atë që kishin arritur dhe të mund të reflektonin mbi të mundshmet e mbetura ende larg tyre. Një festë që tejkaloi çdo cak e arsye, një glori e pompuar me eter e fanfare, që në të vërtetë ishte më shumë propogandisitike se sa futbollistike. Kur ai tha se do të iki me përfundimin e eleminatoreve, në Tetor, pasi nuk ma rinovuan kontratën, askush nuk tha: Dale, çpo ndodh, pse do të largohesh? Kush po te largon? Duket se nuk mbërriti ndonjë zë i qenësishëm deri tek domethënia e kësaj ikje, e cila dukej se nuk kishte dhe aq lidhje me katër humbjet radhazi të kombëtares shqiptare, se sa kishte me piksynime jashtëfutbollistike.

EKIPI KOMBATAR MBERRIN NE RINAS – Trajneri i ekipit Kombetar Shqiptar te Futbollit, Gianni De Biasi, Presidenti i FSHF, Armand Duka, kapiteni Lorik Cana dhe lojtaret e tjere te ekipit kombetar te futbollit, duke zbritur nga avioni ne aeroportin “Nene Tereza” pas fitores nje dite me pare te ndeshjes kualifikuese te Euro 2016 mes Armenise dhe Shqiperise, 0-3.

Është fakt, apo jo, asnjëherë nuk kemi patur një trajner më të mirë e një skuadër më të mirë, një ëndërr më të besueshme. Ata që i shtruan tapetin e kuq, s’u kujtuan, ndoshta ngase ata duhet të ishin më të sinqertë se asnjëherë, të ishin zelltarë të vazhdeshëm të pushtetit. Kjo ikje për ta ishte thjeshtë një ikje, përtej asaj çfarë kishte bashkuar ata të gjithë futbolli.

Gianni De Biasi një ditë më pas, doli i përlotur e me kokën ulur, e tha se po iki që sot, pa pritur fundin e eliminatoreve. Pasi kishte thënë se kokën e tij e donin menjëherë pas ndeshjes me Izraelin, ai shkroi një letër lamtumire plot edukatë. Ku shprehej “skuadra jonë”, “kombëtarja jonë”, “vendi ynë”. Ashtu si në historitë e diktaturave, ku ata që të vrisnin natën të vajtonin ditën, u përlotën bashkë me Gianni De Biasi edhe ata që i kërkuan kokën: Po pse ike, ne të donim?

Mediat sportive, po ashtu, raportuan pa shumë lavdi largimin e tij. Një ikje pa lavdi, siç dinë të japin vetëm plëngprishësit, ata që ndër virtytet kryesore, kanë mëkatin themelor, mosmirënjohjen.

Në këtë ikje, Gianni De Biasin e përshëndetën vetëm shqiptarët e thjeshtë, në zemrën e të cilëve kishte zënë më shumë se askund vend. Ata që brohoritën stadiumeve dhe ata që suksesin e kombëtares e panë si sukses dhe krenari të vendit të tyre. Ata që i atriuban atij dhe vetëm atij gjithçka që skuadra e tyre e zemrës kishte arritur pas kaq e kaq përpjekjesh.

Të tjerët, ustallarët, ata që flamurin tonë kombëtar e kanë vetëm si një konvencion, ata bëjnë vetëm hesape, llogari, pazare. Paçka se nuk harrojnë ta mbajnë në kremtet e tyre futbollistike atë flamur që shpalosi në botën e madhe, Gianni De Biasi, italiani që u dashurua kaq shumë me Shqipërinë dhe shqiptarët, sa ta konsideronte si privilegj, kombësinë e dytë të tij, atë shqiptare.

Duan apo nuk duan zyrtarët dhe FSHF-së, Gianni De Biasi është tashmë një faqe në historinë e futbollit shqiptarë. Nesër ata të gjithë do të ikin një e nga një, duke marrë përfitimet dhe benefitet që u’a garantoi futbolli, që u’a dhuroi Gianni De Biasi, por ata do të ikin si anonim të kësaj historie ovacionesh dhe emocionesh shpërthyese fushash të blerta.

Ikja pa lavdi e Gianni De Biasi, e atij që na bëri të besonim te lavdia e shqiptare e futbollit, ishte një ikje e trishtë, një ikje e padenjë për një hero. Ne nuk mësuam kurrë se si t’i presim dhe si t’i përcjellim miqtë, ose më saktë, ne nuk mundëm asnjëherë të ishim ata që do të besonim zërit të zemrës, dhe t’i shkonim pas këtij vullneti, qoftë edhe në një lamtumirë.