LANÇ dhe Ushtrisë Nacionalçlirimtare, Enveri dhe neofashistët sipas kryeveteranit të Luftës

Krijimi i Shtabit të Përgjithshëm si ngjarje kulmore e LANÇ dhe Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Rruga që përshkuan formacionet partizane deri te 10 korriku i vitit 1943 dhe përmasat që mori lufta deri në çlirimin e plotë të vendit. Një përgjigje për ata që denigrojnë Luftën Antifashiste,dëshmorët  dhe Komandantin Enver Hoxha…

Megjithëse kanë kaluar treçerek shekulli nga Lufta e Dytë Botërore, midis shqiptarëve ajo vazhdon të mbetet një temë ende e nxehtë dhe me ngarkesa të mëdha, sa politike aq edhe emocionale.

Pse ndodh kështu në Shqipërinë tonë? Në këtë intervistë për gazetën ‘DITA’ Kryetari i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ-it, Rustem Peçi, me rastin e 75-vjetorit të krijimit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, analizon dhe argumenton pse Lufta jonë antifashiste e udhëhequr nga Shtabi i Përgjithshëm me komandant Enver Hoxhën ishte një luftë e drejtë dhe shpëtimtare për Shqipërinë.

Ndërkohë ai ka një arsyetim të qartë dhe mendoj të saktë se pse ka aq debate për luftën tonë antifashiste. Data 10 korrik 1943 lidhet organikisht me Forcat e Armatosura Shqiptare dhe me sukseset e këtyre forcave gjatë luftës dhemb pas.

Ajo datë zë vend nderi në historinë e saj si Data e Krijimit të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇl, i cili organizoi, planizoi dhe udhëhoqi veprimet e kësaj force të armatosur për çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj.

Ky instrument u udhëhoq nga parimi atdhetar dhe moral, që të çlironte vendin nga pushtuesit e huaj. Ishin kohë të vështira ato, por që pikërisht në atë kohë u arrit një fitore e madhe: Çlirimi i Shqipërisë që siguroi dhe sovranitetin kombëtar.

Në këtë intervistë u jep një përgjigje të prerë dhe pa ekuivoke neofashistëve të sotëm që mohojnë luftën dhe gjakun e dëshmorëve, duke i konsideruar ata si pinjollë të kolaboracionistëve të djeshëm. Këtu argumentohet pse 10 Korriku i vitit 1943 mbetet një datë e shënuar në Historinë e kombit shqiptar…

– Zoti Rustem! Sot mbushen plot 75 vjet nga dita e krijimit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Pse e meriton të përkujtohet kjo datë dhe ku qëndron rëndësia e saj?  

– Kjo datë meriton të kremtohet për shumë arsye, pasi aty sintetizohet më së miri një histori e lavdishme, historia e Luftës sonë Antifashiste Nacionalçlirimtare që është nga faqet më të ndritura të historisë sonë kombëtare. 10 Korriku i vitit 1943 shënoi një ngjarje madhore me rëndësi të veçantë historike për LANÇ në tërësi dhe për Ushtrinë Nacionalçlirimtare në veçanti. Më 10 korrik 1943, u krijua Shtabi i Përgjithshëm i UNÇ, i cili hodhi themelet e krijimit e të organizimit të UNÇ dhe shndërrimin e saj në një ushtri të rregullt partizane, me drejtim operativo-strategjik unik nga një shtab madhor. Prandaj 10 korriku i vitit 1943 hyri në historinë e LANÇ edhe si Dita e krijimit të UNÇSH. UNÇSH lindi dhe u rrit gjatë viteve të luftës, si ushtri popullore revolucionare me cilësi të larta moralo-politike dhe ushtarake e aftë për të kryer misionin historik që i ngarkoi populli Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar dhe PKSH, duke trashëguar cilësitë më të mira të luftëtarëve ndër epoka.

Rustem Peçi

Krijimi i Shtabit të Përgjithshëm, ishte përfundimi logjik e kërkesë e domosdoshme me rëndësi të madhe historike për të kaluar në Kryengritjen e Përgjithshme të armatosur edhe për ta drejtuar atë sipas ligjeve e rregullave të Luftës Popullore, hallkë kryesore e të cilës ishte ushtria e rregullt nacionalçlirimtare. Parashikimet largpamëse të Konferencës Historike të Pezës se “Prej luftës dhe në luftë kanë për të dalë dhe shtabet madhore dhe do të shkohet drejt Kryengritjes së Përgjithshme Popullore për çlirimin e gjithë Shqipërisë”, – tashmë ishin pjekur kushtet për t’u bërë realitet.

-Cila është rruga e përshkuar nga rezistenca antifashiste dhe në ç’situatë ishin formacionet partizane deri në atë datë të krijimit të Shtabit?

– Krijimi i Shtabit të Përgjithshëm nuk erdhi rastësisht, por ishte rrjedhim logjik i zhvillimeve të deriatëhershme, si rezultat i rritjes së rezistencës antifashiste. Situata politike e ushtarake e brendshme dhe e jashtme në Shqipëri, gjatë vitit 1943, ishte në favor të LANÇ të Popullit Shqiptar që kishte marrë përmasa të gjera dhe ishte në rritje, drejt kthimit të saj në Kryengritje të Përgjithshme Popullore. Bashkimi politik e ushtarak i popullit rreth Frontit Nacionalçlirimtar ishte bërë realitet i padiskutueshëm. Barrën e rëndë të bashkimit të popullit në një front të vetëm dhe hedhjen e tij në luftë për çlirimin e vendit e kishte marrë përsipër dhe e kreu PKSH.

Në UNÇSH, deri më 10 korrik 1943, në formacione të rregullta ishin 10 mijë luftëtarë të organizuar në 22 batalione dhe në një numër të madh çetash partizane. Mbi 20 mijë luftëtarë të tjerë ishin organizuar në çeta e batalione vullnetare territorialë e njësite guerile në qytete.

Kudo zhvilloheshin luftime të përgjakshme me pushtuesit e bashkëpunëtorët e tyre. Në kushtet e krijuara, Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar duke studiuar e ndjekur situatën në frontin e luftës, thirri në Labinot të Elbasanit mbledhjen për krijimin e Shtabit të Përgjithshëm të UNÇ, për organizimin dhe drejtimin e njësive e reparteve partizane e vullnetare.

Krijimi i Shtabit të Përgjithshëm ishte bërë i domosdoshëm edhe për shkak të gjendjes ndërkombëtare, për forcimin e bashkëpunimit të LANÇ me luftën e shteteve të Koalicionit Antifashist Botëror, të cilin do ta realizonte vetëm një shtab me atribute kombëtare, siç ishte Shtabi i Përgjithshëm, i cili do të ndihmonte edhe në forcimin e Frontit të Bashkuar Ballkanik kundër pushtuesve të përbashkët fashistë. Në Proklamatën e Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar pas përfundimit të Konferencës së Dytë të Labinotit, që iu drejtua popullit shqiptar thuhet: “Organizimi i Shtabit të Përgjithshëm të fuqive të armatosura nacionalçlirimtare është një ngjarje e madhe dhe një përpjekje flakë për flakë që i japim armikut”.

– Si u organizua Shtabi i Përgjithshëm dhe cilat ishin detyrat kryesore që përcaktoi për luftën në vazhdim?

– Në Shtabin e Përgjithshëm u zgjodhën 12 anëtarë. Komandant i Shtabit të Përgjithshëm u zgjodh Major Spiro Moisiu, komisar politik i Shtabit të Përgjithshëm u zgjodh Enver Hoxha.

Shtabi i Përgjithshëm duke vlerësuar në mënyrë të gjithanshme gjendjen politiko-ushtarake, urdhëronte: Të gjithë të godasin parreshtur dhe pamëshirë ushtritë e okupatorit, t’i priten rrugët dhe të goditen kolonat e armikut. Mos të pritet, në asnjë mënyrë, që ai të na godasë ne, por duhet të jemi çdo ditë në ofensivë, në rrugë, në kazerma, në depo e material luftarak dhe kudo ku ka grumbullime ushtarake, karabinierë italianë dhe gjermanë.

Në mbledhjen e parë, pasi përcaktoi strukturën e Shtabit të Përgjithshëm me Shtabin Operativ, komisariatin Politik, komisariatin ekonomik, seksionin e brendshëm dhe atë shëndetësor, lëshoi urdhrat për organizimin e UNÇSH, për strukturat e saj dhe caktimin e datës 10 Korrik, Ditën e krijimit të UNÇSH, për betimin ushtarak në UNÇ, për forcimin e grupeve dhe të shtabeve të zonave e qarqeve. Njëkohësisht përcaktoi datat e krijimit të njësive të UNÇSH duke filluar nga 15 gushti, datë në të cilën do të krijohej dhe u krijua Brigada I Sulmuese.

Rëndësi e posaçme iu kushtua organizimit të stërvitjeve të efektivave me programe përkatëse, sigurimit të ndërlidhjes, sigurimit shëndetësor e të spitaleve partizane, krijimit të reparteve të reja dhe detyrave të komandave e shtabeve në periudhën e fillimdimrit, ku theksohej, se dy burimet kryesore të furnizimit janë populli dhe armiku.

– Pra objektivi ishte çlirimi i vendit nga pushtuesit. Mirëpo ka edhe sot e kësaj dite që thonë se ajo nuk ishte luftë çlirimtare, por luftë civile. Si do t’u përgjigjeshit atyre?  

– Ka 75 vjet që e dëgjojmë këtë avaz dhe nuk ia vlen fare të merresh me ta. Kështu flisnin dje bashëpunëtorët e fashistëve, pra ballisto-zogistët. Me këtë gjuhë flasin sot pinjollët e tyre. Të vjen keq që edhe sot e kësaj dite ata kanë të njëjtën mendje e nuk kanë ndryshuar. Por ata nuk kanë porta errësuar asnjëherë lavdinë e asaj lufte.

Faktet që ne sjellim janë të qarta si drita e diellit. Pas marrjes së drejtimit operativo-strategjik të UNÇSH dhe nën komandë të reparteve, njësive të zonave e qarqeve, Shtabi i Përgjithshëm koordinoi veprimet e tyre duke kombinuar, drejtimin e centralizuar me iniciativën vetëvepruese të komandave, sipas situatave dhe të mjeteve teknike. Hartoi planin e veprimeve operativo-strategjike të UNÇ dhe, si organ i planëzimit, organizimit e i drejtimit, siguroi drejtimin e pandërprerë të LANÇ dhe bashkëveprimin e njësive të saj.

Me krijimin e Komandës së Përgjithshme të UNÇSH me në krye Enver Hoxhën dhe me përsosjen e strukturës organizative të UNÇSH, me krijimin e njësive të reja të mëdha, brigada, divizione e korparmata, detyrat e Shtabit të Përgjithshëm u përsosën më tej, veçanërisht në planëzimin, organizimin dhe drejtimin e operacioneve operativo-strategjike. UNÇSH, tashmë ishte e përgatitur dhe e gatshme për kryerjen me sukses të operacioneve në shkallën më të lartë, për çlirimin e zonave nga jugu, në Shqipërinë e mesme, në veri të vendit, e deri jashtë kufijve shtetërorë të kohës.

Krijimi i njësive operative, organizimi dhe drejtimi i Mësymjes së Përgjithshme të UNÇ për çlirimin e plotë të vendit, kalimi i Divizionit I Sulmues në veri, dërgimi i brigadave për çlirimin e  Rrafshit të Dukagjinit e të Fushë – Kosovës e më gjerë, jashtë Atdheut, nxorën në pah aftësitë udhëheqëse të Komandës së Përgjithshme të LANÇ e të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH për planëzimin, organizimin dhe drejtimin me kompetencë, profesionalizëm e krijimtari të UNÇSH deri në fitoren përfundimtare mbi pushtuesit nazifashistë dhe bashkëpunëtorët e tyre ballisto-zogistë, sollën lirinë e pavarësinë e vërtetë të Atdheut, organizimin e mbrojtjes së vendit, krijuan shtetin e vërtetë demokratik e të pavarur.

UNÇSH, si ushtri e popullit dhe e sakrificave të mëdha, duhet të respektohet ndër breza për gjithçka dha për lirinë e pavarësinë e vërtetë të vendit. Ushtria aktuale e Shqipërisë, ta ketë për nder që është pasardhëse e UNÇSH.

– Në këtë Luftë ushtria jonë partizane pati edhe aleatë të mëdhenj në krah, si anglo-amerikanët dhe Bashkimin Sovjetik. Sa e ndihmoi kjo arritjen e objektivit që caktoi Shtabi i Përgjithshëm?

– Kjo ishte rruga më drejtë që u ndoq dhe që e shpëtoi Shqipërinë. Mendoni se çfarë do të kishte ndodhur sikur populli ynë të ndiqte rrugën e Ballit Kombëtar apo Legalitetit, pra rrugën e bashkëpunimit me pushtuesit. E ardhmja e Shqipërisë do të vihej seriozisht në pikëpyetje, mbase do të na kishin copëtuar dhe fshirë fare nga harta. Radhitja e LANÇ në krah të shteteve të Koalicionit Antifashist Botëror me në krye BS, SHBA e Britaninë e Madhe, organizimi e drejtimi i UNÇSH, i Kryengritjes së Përgjithshme të Armatosur, çlirimi i plotë i Shqipërisë pa ndërhyrjen e ushtrive të tjera aleate, më 29 nëntor 1944, ndihma internacionaliste për çlirimin e vendeve të tjera antifashiste dhe vendosja e pushtetit demokratik, janë nga pikat kulmore që solli LANÇ, janë meritë e pamohueshme e udhëheqjes së FNÇ, PKSH, prijëses dhe udhëheqëses së Shtabit dhe të Komandës së Përgjithshme me në krye Enver Hoxhën. Kontribut i komandave, shtabeve, kuadrove, partizanëve e popullit që i furnizoi, i besoi dhe i mbështeti pa marrë parasysh sakrificat e mëdha; vrasjet, djegiet e shkatërrimet që pësoi.

– Po i kthehem edhe njëherë faktit që disa, madje dhe forca të caktuara politike vazhdojnë të mbajnë një qëndrim denigrues ndaj Luftës Antifashiste, ndaj ish-partizanëve dhe dëshmorëve që i përfaqësoni ju si organizatë e Veteranëve. Kam parasysh këtu edhe atë që ndodhi në 5 maj të këtij viti te Varrezat e Dëshmorëve… A ju revolton ky fakt?

– Na revolton, por nuk na çudit aspak. Përkundrazi na motivon të punojmë e të mbrojmë edhe me më shumë vendosmëri luftën tonë. Organizata e Veteranëve, e Familjeve të Dëshmorëve dhe Invalidëve të LANÇ, krenohen në këtë 75-vjetor të krijimit të Shtabit të Përgjithshëm dhe të UNÇSH.

Kujtojmë me dhimbje, dashuri e respekt shokët e shoqet partizane që nuk jetojnë dhe luftojmë të mbajmë lart idealet e shenjta të LANÇ, t’i përcjellim ato te brezat e rinj se ky është shërbimi më i mirë që i bëhet historisë, me saktësi, me kurajo, me guxim e me krenari. Disa të vetëquajtur historianë apo disa të dënuar për bëmat e tyre në vite, hedhin baltë mbi LANÇ, mbi Shtabin e Përgjithshëm dhe drejtuesit e luftës që sollën lirinë dhe pavarësinë e vendit, mohojnë punën organizuese e drejtuese të atij Shtabi me lloj-lloj mashtrimesh, trillimesh kur vetë nuk janë dalluar e veçanërisht tani nuk dallohen për patriotizëm, por për intriga.

Tradhtarët si Ahmet Zogu, Muharrem Bajraktari, Hamit Matjani, Halil Alia etj., i quajnë patriotë, ndërsa komandantët, komisarët e të gjithë ata që kanë drejtuar shtabet e Luftës, të paaftë. Ne u themi atyre se Lufta ANÇ u drejtua me shumë mençuri e kompetencë nga Komanda e Përgjithshme dhe organet e saj, se mohimi i LANÇ është tradhti ndaj gjakut të derdhur për liri nga bijtë dhe bijat më të mira të popullit. Nuk ka ushtri dhe fitore pa shtab dhe komandë të përgjithshme, se UNÇSH dhe LANÇ kishin në krye komandë dhe shtab të aftë, largpamës dhe të përkushtuar. Ndërsa bashkëpunëtorët me pushtuesit dhe lakejtë e tyre dje, janë sot në llogoren e neofashistëve.

LANÇ e popullit shqiptar kundër pushtuesve të huaj nuk ka qenë luftë civile, këtë term e shpikën pikërisht ata që luftonin në një llogore me nazifashistët kundër partizanëve. Përpjekjet për të mohuar udhëheqjen e LANÇ, PKSH dhe Enver Hoxhën me Shtabin, Komandën e Përgjithshme dhe Frontin Antifashist Nacionalçlirimtar kanë dështuar e do të dështojnë me turp.  Brezat që do të vijnë do të jenë krenarë për LANÇ, si një nga periudhat më të lavdishme të historisë së popullit tonë.  /Intervistoi Xhevdet Shehu

http://www.gazetadita.al/lufta-me-komandant-enverin-dhe-neofashistet-e-sotem/