Lamtumira e trishtë për Esat Ymerin, kolegun e përkushtuar dhe malësorin model të qytetarisë

Pas një sëmundje të rëndë, ndaloi së rrahuri zemra e një kolegu të nderuar, e një qytetari model, e një kontributori të vlertë, e një prindi të përkushtuar dhe një miku të pashoq. Esat Ymeri, një nga zërat e rëndësishëm të medias sportive dhe jo vetëm e Malësisë së Madhe, është ndarë nga jeta duke lënë pas dhimbjen që krijon ndarja, por edhe emrin e mirë.

“Ja që jeta nuk ndodhet në të njëjtat pozita për të gjithë. Nga kjo botë nuk iket nga radha e as nga pozita e mirë, thonë se Zoti merr pranë vetes më të mirët. E s’ka si të ndodhe ndryshe kur vdekja merr edhe njerëz human, të paqtë, të mirëkuptueshëm, vlerësues, e për më tepër të kulturuar…” shkruan mes të tjerash në mesazhin ngushëllues, Sytki Ndrecaj, Zv.kryetar i Bashkise Malesi e Madhe.

Edhe gazeta “Zani i Malsisë” i bashkohet këtij mesazhi, i bashkohet kësaj përshpirtje, këtij zëri që rreket të paqtojë trazimin dhe hidhërimin që sjell vdekja. Ikje të tilla, mbeten të trishta dhe pikëlluese, sepse njerëzorja e kolegut Esat Ymeri ka ngritur ura komunikimi, ka ndërtuar botë dëshirimesh, duke i dhënë vlerave dhe humanitetit dimensionet e solemnitetit. Dhe vjen një ditë që vdekja të ndan përdhunshëm me atë, me të cilin të lidhin momentetet e bukra dhe plot peripeci të profesionit të gazetarit, por dhe të bashkëmalësorit.

Ndarja nga jeta e kolegut Esat Ymeri është një humbje e madhe për familjen, e cila ndahet nga njeriu i tyre i dashur dhe i shtrenjtë. Po kaq e trishtë kjo humbje është për kolegët dhe miqtë, të cilëve do t’u mungojë ai, të cilin e përfaqësoi përkushtimi dhe mirësia, devocioni dhe ndershmëria, kontributi dhe humanizmi. Ai iku, por la tek familjarët dhe të afërmit, kolegët dhe miqtë ato kujtime, të cilat do të rrojnë gjatë, aq sa do të jetë jetëgjatë edhe emri dhe kontributi i tij.