“Lamtumira” e trishtë e një gruaje që di të thotë kaq bukur edhe… “Lamtumirë”

Nga Mark Simoni

Atë grua nuk e kam takuar asnjëherë, s’e kam parë kurrë, nuk ia njoh as timbrin e zërit. Por e kam lexuar, dhe ka shumë talent. Kjo më shtyu t’a ftoj që, të merrte pjesë, (me një poezi të sajën), në antologjinë “Porta e fshehtë e një gruaje”.
Përgjigja që më shkroi më tronditi, fjalët e saj më ligështuan, dhimbja më pushtoi kraharorin. “Të falenderoj përzemërsisht për ftesën, dhe me shumë dëshirë do të desha të isha në atë antologji. Por jam e pamundur. Ndodhem në ditët e fundit të jetës sime. Pak kujtë ia kam thënë këtë gjendje”
O Zot. E hapa vrik faqen e saj të facebook-ut. Atje mora vesh që ishte edhe e ditur, edhe e shkolluar, edhe e hijshme, edhe e mençur. I shkrova se, e falenderoja për fisnikërinë e përgjigjes, dhe e mbylla me “…qofsh bekuar, lutem për ty”.
Tërë këto ditë e kam vuajtur gjendjen e saj. Doja të dija se si i shkonte shëndeti. Dhe sot mora guximin ta telefonoja nga mesanger-i. Kisha mbledhur gjithë fjalët e botës për t’i dhënë kurajo, por e ndjeva, se ato fjalë nuk e ngrohën as sa një flakë kashte. U mundua të entuziasmohej, por gati sa su shua krejt, (ashtu si flaka e një qiriu që, nga një fllad zmadhohet pak në fillim, dhe pastaj tulatet në të fikur). U mundua të më thoshte se, një poezi do ma dërgonte patjetër, (për një antologji të re), sido që t’i shkonte fati. Dukej sikur më premtoi se, “madje, edhe nga përtej do të ta dërgoj”. Dhe pastaj më tha “Lamtumirë!”.
Atë grua të talentuar, të ditur, fisnike, nuk e kam takuar asnjëherë, s’e kam parë kurrë. Por ama kam prej saj një kujtim të vogël dhe të çmuar, zërin e saj, që më tha “Lamtumirë!”.
Lutem që t’ia dalë.

(Marrë nga profili në Facebook. Titulli është i përshtatur)