Lahuta në UNESCO, si instrument serb, e shqiptarët e mjerë, hajnë fiq e katraveca e qesin petulla në ujë. E dojnë t’ ia nxjerrin sytë njëri-tjetrit.

Nga Ndue Ukaj

Po, shqiptarët hajnë fiq e kastraveca e qesin petulla në ujë, qesëndisej dikur Fishta me marritë shqiptare. Në fakt, marritë shqiptare s’ kanë të ndalur. Ne, vazhdojmë të udhëhiqemi nga njerëz të paditur dhe zuzarë. Pa ndërgjegje të formuar kombëtare dhe pa ide e ideale kulturore.

Por, pse krejt shoqëria dhe institucionet e saj ligështohen e shkretohen kaq shumë, kjo s’mund të imagjinohej.

Lahuta, futet në UNESCO, si instrument serb dhe ne vazhejmë të hajmë fiq e kastraveca, e të mendojmë se krejt punët tona janë mirë dhe krejt bota sillet rreth nesh.

Heshtja tregon sa pak të vërtetë jemi dhe sa pak patriotë jemi.
Kjo heshtje tregon, me sa lehtësi jemi të gatshëm të heqim dorë nga trashëgimia e vjetër dhe vlerat tona. Pa luftuar fare për to. Për mua, kjo heshtje totale e Shqipërisë së mjerë dhe Kosovës së trullosur, është shokuese.

Imagjinojeni, njerëzit që janë në gjendje të heqin dorë prej vlerave të trye, çfarë mund të bëjnë me shtetin?!

Unë nuk jam profesionist që të di origjinën e këtij instrumenti. Por di se ky instrument, e ka shoqëruar jetën shqiptare. Sidomos traditën folklorike.
Është përjetësuar nga poeti kombëtar, Gjergj Fishta, te vepra e madhe, “Lahuta e Malcis”.

Sikur sot të ishte gjallë Fishta, pezmi e hidhnimi do t’ i ndihej deri në qiell.

Edhe një gjë:
Stalinizmi dhe dishepujt e tij komunistë, kurrë s’e kanë dashtë kulturën kombëtare. Kanë kërkuar të shkulën me rrënjë mbeturinat e vjetra, në emër të komunizmit utopik.

Mjerisht, sot, kjo mendësi, ka zanë hapësirë të madhe në jetën tonë kombëtare. Në media dhe përbrenda institucioneve të dijes. Në politikë dhe në të ashtuquajturën shoqëri civile.