Kuvendim me vetveten… i Kryeministrit Edi Rama

Ju dëgjova shumë pak, Lartmadhëri, teksa shfaqnit shqetësimin për aktet e dhunës në qytet. Në të vërtetë po kuvendonit me vetveten, pasi dukej se nuk dëgjonit pyetjen e gazetarit, por mendonit përgjigjen tuaj.

Ju risjell ndërmend këtë përqeshje, e cila është një përqeshje, që përplaset në fytyrën e çdo shqiptari të ndershëm.

Do të mjaftonte vetëm kjo pamje, Lartmadhëri, që populli të kërkonte dorëheqjen tuaj.

Kjo gjuhë e nxjerrë jashtë, është për çdo institucion të zhvlerësuar në këtë vend.
Ju e njihni fort mirë, mediokritetin e të përzgjedhurve brenda oborrit. Jam krejt e sigurt për këtë.

Kjo gjuhë e nxjerrë jashtë, është për Kushtetutën e vendit, të cilën, ju Lartmadhëri, e shkelni me të njëjtën lehtësi që shkelet një buburrec.

Deputetetët në Kuvend janë veçse skllevërit tuaj, me votën e të cilëve, ju përmbushni krijimtarinë tuaj të mbrapshtë, duke hartuar ligje të padëgjuara më pare, që bien ndesh me Kushtetutën e vendit.

Dhe këtë proces e përligjni me fjalinë: -Unë kam numrat.-

Meqënëse e citoni shpesh urtinë latine “ Injoranca nuk është argument” do të doja t’ju kujtoja se as numrat nuk janë argument dhe as gazi lotsjellës nuk është argument.

Numrat dhe gazi lotsjellës janë thjesht paradhoma e një diktature moderne, e cila të lejon të flasësh e të shkruash, por zhvlerëson fjalën dhe shkrimin tënd.

Në diktaturën moderne, nuk të çojnë në një qytet tjetër, por të internojnë në të njëjtin qytet, duke t’i mbyllur të gjitha dyert dhe të përcjellin me fjalinë – Me shumë përulësi kërkojmë mirëkuptim-.

Në atë shesh, nuk më thërret Opozita!

Më thërret arroganca juaj Lartmadhëri, që ka kapërcyer çdo kufi dhe mbi të gjitha më thërret kjo gjuhë e nxjerrë jashtë, praninë e së cilës, e shoh në çdo hallkë të sistemit që ju keni ngritur.

Post Scriptum- Me përulësi kërkoj mirëkuptimin tuaj Lartmadhëri, por më duhet të vendosem në kahun e drejtë të historisë!

Sinqerisht
Elona Caslli