Kush është Izet Haxhia, truproja e Sali Berishës dhe ekstradimi nga Turqia që pritet të trazojë politikën shqiptare?

Izet Haxhia ka qenë truproja i parë i Sali Berishës, njeriut që ka drejtuar më shumë Shqipërinë që nga viti 1992. I ardhur nga Tropoja për të studiuar mjekësi, Haxhia, pjesëtar i një familje të madhe, simpatizoi bashkëpatriotin e tij pedagog dhe mjek i njohur, Sali Berisha dhe ju “ngjit” duke pranuar ta mbronte 24 orë në ditë. Lë studimet në mes dhe i shërben si truprojë Sali Berishës pa u ndarë për mbi 8 vjet, që nga viti 1990 deri në vitin 1998. Në vitet e qeverisjes së PD-së del në pah një konflikt i hapur ndërmjet tij dhe Azem Hajdarit, kreut të Lëvizjes Studentore dhe deputet i PD-së. Edhe ai nga Tropoja. Izet Haxhia nuk ishte thjesht një oficer i Gardës në ato vite, por një mekanizëm force politike që ka vepruar ndaj shumë personazheve që kanë kritikuar apo sulmuar Sali Berishën, përfshirë dhe Edi Ramën, kur ky i fundit ishte thjesht pedagog.

Izet Haxhia i shërben Berishës edhe në vitin e vështirë 1997, por papritur, një intervistë dhënë në atë kohë plasarit marrëdhëniet mes tij dhe bashkëpatriotit të tij. Në këtë intervistë, Haxhia flet për klane e grupe trafikantësh droge që kanë përfituar dhe qëndrojnë pranë PD-së ku hedhin në erë shtyllat e tensionit. Ishte koha, kur vëllezërit e Izetit po punonin me Haklajt në policinë e Tropojës dhe po bashkëpunonin me strukturat e UÇK-së që bazën kryesore e kishte në Malësinë e Gjakovës, nga ku furnizonte më pas strukturat e Zonës Operative të Dukagjinit që komandohej nga Ramush Haradinaj. Rivali i tij i vjetër, Azem Hajdari punonte gjithashtu me strukturat e armatosura të Kosovës, jo të UÇK-së por me grupet e lidhura me Rugovën, Bukoshin dhe LDK-në. Izeti u riafrua në PD ditën e nesërme pas vrasjes së Azem Hajdarit, më 13 dhe 14 shtator, ku drejtoi turmat kundër Kryeministrisë dhe Radio Televizionit Shqiptar.

Sali Berisha, në deklaratën e parë publike akuzoi Jaho Salihin si pjesëmarrës në atentatin ndaj Azem Hajdarit. Por nga ana tjetër, Berisha atë kohë si lider i opozitës, nuk pranoi që të jepte dëshminë e tij në Prokurori për çështjen. Me ndërhyrjen e ambasadorit amerikan në Tiranë, kreu i PD-së pranoi që ta depozitonte dëshminë pranë një prokuroreje norvegjeze që u soll për të hetuar vrasjen e Azem Hadarit. Berisha përmend në dëshminë e tij Izet Haxhinë si pjesëmarrës në vrasjen e deputetit të PD-së. Ky i fundit pas asaj dëshmie arratiset nga Shqipëria dhe përfundon në Turqi. Të gjitha gjykatat e Shqipërisë e dënojnë me 25 vjet burg si pjesëmarrës në vrasjen e Azem Hajdarit.

Në vitin 2005, Izet Haxhia u arrestua ne Turqi. Ka mbetur enigmë fakti se pse Izet Haxhia u mbajt në Turqi dhe nuk u ekstradua, ndërkohë që autoritetet shqiptare kanë bërë vetëm një kërkesë për ekstradim por edhe ajo u la në harresë. Prej kohësh IZet Haxhia ëhstë aktiv në media dhe rrejtet sociale, ku nuk ka reshtur së akuzuari ish-shefin e tij Sali Berisha si të përfshirë në vrasjen e Azem Hajdarit. Dy vjet më parë, ai ka dhënë një version të ndryshëm të vrasjes së Azem Hajdarit, ku thekson se nuk ka qenë fare në vendngjarje, duke kërkuar hapjen e çështjes. Izeti akuzoi Fatos Klosin dhe Sali Berishën në manipulimin e ngjarjes. Dy javë më parë, kur autoritetet nuk po vepronin për ekstradimin e tij, ai u vetëdorëzua dhe kërkoi që të ekstradohej në vendin tonë. Tashmë pritet që me mbërritjen e tij në Shqipëri të rihapet dosja e bujshme për vrasjen e Azem Hajdarit, për të cilën Izet Haxhia deklaron se ka prova të forta që do të tronditin opinionin e do të ndryshojnë rrjedhën e asaj historie.

a.ç