Kush e vrau Bylbylin? Ishte data  25 mars 1945, kur u flijua. Dom Ndre Zadeja në 73–vjetorin e pushkatimit

Ishte data  25 mars 1945, kur u flijua. E vranë të Dielën e Larit, kur mbarë bota katolike kremtonte liturgjinë solemne të Hyrjes ngadhnjimtare të Krishtit në Jeruzalem. Ishte dita e tij për të hyrë, me palmen e martirizimit në dorë, pas aradheve të shenjtorëve, në Jeruzalemin qiellor. I nisur nga varrezat katolike të Rrëmajit, ku jetoi çastet e fundit. Duke i shtuar një kapitull të ri historisë së martirizimit të besimtarëve në Shqipëri.  Dëshmitarë të flijimit të tij ishin ata kryqa të lashtë, veshur me shermashek, ishin selvitë, çinarët… lutjen e tij të fundit e përcolli drejt qiellit, kapela ende e paprishur e varrezës: “Çka ishte dashtë me ba, o Zot, ma shumë se me kenë biri yt besnik e biri i kombit tem? Besoj në Ty, o Atë i gjithëpushteshëm. Krijues i qiellës e i dheut…”.  Këtu Besojma e atij, që po e dëshmonte me gjak Atin e Birin e Shpirtin Shenjt, u ndërpre. U duk sikur u pushkatua njëherësh me atë, që vdiste duke u lutur, në moshën 55 vjeçare. U duk…

Jezuiti atë Luigi Rosa na e përshkruan kështu këtë çast tragjik:

“E Diela e Larit. Rreth orës 06.30 të mëngjesit Shkodra u tund nga të shtënat. Vinin nga Rrëmaji. Shumë njerëz e mposhtën frikën e rendën drejt varrezës. E mbetën shtang kur panë, në grumbullin e të vrarëve, të gjithë krerët katolikë të malësisë, don Ndreun, që e njihnin si Poeti i ëmbëlsisë. E që hyri në lumninë e përjetshme nëpërmjet gjakut të derdhur, ndërsa në mbarë botën katolike lexoheshin e meditoheshin Mundimet e Krishtit. E në të gjitha kishat, ende të hapura, jehonin fjalët: ‘Nëse mua më salvuan, edhe ju do t’ju salvojnë’. Dom Ndreu këtë ditë kishte kremtuar Pashkët e veta!”.

Ndërsa një gjimnazist i ri shkodran, më pas poet, në hartimin me temë të lirë, realizuar pikërisht në këtë ditë në orën e letërsisë, që e jepte një martir tjetër, Qemal Draçini, pati shkruar: “Kush e vrau Bylbylin? Pse u vra Bylbyli? U vra pse ishte apostull i fesë e i kombit. Pse kishte formim të gjithanshëm: filozofik, teologjik, pedagogjik, letrar e artistik; ishte poet lirik, dramturg, publicist e orator i njohur. Shkroi artikuj e mbajti ligjërata për edukatën e edukimin; së bashku me Dom Mikel Koliqin hartoi muzikën e dy melodramave të tij të para “ Ora e Shqypnís” e “Hije të zeza”, që  edukuan breza të tërë të rinjsh me idealin më të lartë: “ Për Fe e Atme”. Pse dha një ndihmesë të madhe për themelimin e bandës muzikore të shoqërisë “Bogdani”; qe mësues i solfezhit për të rinj që mësonin veglat e frymës; gjatë shërbimit në famullinë e Sheldisë shoqëroi me armonium të gjitha kremtimet fetare. Pse ishte atdhetar e antifashist. Pse shprehu haptazi qëndrimin e tij antikomunist. Prandaj diktatura nuk mund ta duronte këngën e këtij Bylbyli, dhe e zhduku ndër të parët.

“Për Dom Ndreun tonë as djalli vetë nuk mundet me folë keq. Atij s’ka çka i ban as djalli! Sepse asht nieri i Zotit!” – patën thënë për të besimtarët e fshatrave Barbullush, Bogë, Shkrel, Ducaj ku pati shërbyer e ku e jepte mësimin e katekizmit me vargje, që vijojnë t’i kujtojnë edhe sot pleqtë e këtyre katundeve. Po “djalli” e pushkatoi, veç duke e harruar se ishte njeri i Zotit e se pikërisht Zoti do ta priste në krahët e mëshirës së tij të amshuar, atë ditë të paharruar, kur Kisha kremtonte Hyrjen e Krishtit në Jeruzalem. Ishte e diela e Larit. Ditë blerimesh. Bleronte edhe varreza, bari i njomë i së cilës atë ditë u vadit me gjak poeti… Me gjak dëshmitari të Krishtit… Atij, që pati shkruar poezinë “Falni”, me strofë katërshe, thirrje që tingëlloi tejet aktuale atë të Diele Lari: “Falni, falni:… O Zot, hekrat i theva, / edhe vetë t’idhnimit të zí; /T’fyemet të tana ‘i ditë i ndjeva;/ fala, tesh pushoj n’qetí”//.

E kujtojmë për vit, shpesh në të Dielën e Larit – Poetin e dramaturgun, që lindi në Shkodër më 3 nëntor 1861 – u pushkatua në Rrëmaj më 25 mars 1945,  u shpall i lum më 5 nëntor 2016, në sheshin para katedrales së Shën Shtjefnit në Shkodër. U ngjit kështu në nderimet e altarit, ndërsa mbetet ende në Panteonin e nëndheshëm, ku rri shkruar me shkronja gjaku: “Dom Ndre Zadeja, Poet i ambëlsisë”1.

1 Kush dëshiron të dijë më shumë, mund të shfletojë Vëllimin “Imzot Vinçenc Prennushi me shokë martirë, faq 469- 491, Shkodër 2016, e sidomos, veprën në dy vëllime kushtuar jetës dhe krijimtarisë së Dom Ndre Zadejës, nga Lec Zadeja. RV