Kuriozitete nga Kampionatet Botërore të futbollit, befasi dhe emocione nga fushat e blerta

Plot 60 vjet të shkuara, në  qershor të vitin1958, student 20-vjeçar i vitit të tretë në fakultetin gjuhë-letërsi të Universitetit të Tiranës, i dhënë shumë pas sportit, dhe veçanërisht, futbollit, shkoja vazhdimisht te “Librin Sovjetik” dhe blija gazetën ”Sovjetskij Sport”.

Pas disa ditësh në Suedi  do të fillonte kampionati botëror i futbollit,  ku atëherë merrnin pjesë 16 dhe jo  32 si sot. Por u habita, kur në një shkrimin  të kësaj gazete, që  i kushtohej historisë  së botërorëve të futbollit, lexova se  në Uruguai, në këtë vend të vockël  të Amerikës  Latine,  që  ishte bërë arena e botërorit të  parë i kësaj loje, e cila kishte pushtuar tërë rruzullin tokësor, kishin marrë pjesë vetëm…13 skuadra. (Dhe habitërisht midis tyre- dy vende  ballkanike, Jugosllavia dhe Rumania).

Dhe kishte disa arsye, që po i rendis më poshtë:

Së pari, rruga ishte tepër  gjatë dhe udhëtimi bëhej me anije. (Me avion as që bëhej fjalë, sepse  një nga  përpjekjet  për të kapërcyer Atlantikun me ballonin gjerman “Hindeburg”, disa vjet më vonë, në maj të vitit 1937, ku ndodheshin 97 pasagjerë, së bashku me ekuipazhin,  kishte përfunduar tragjikisht  me vdekjen e  35 vetëve  prej tyre, sapo ky ballon po ulej në aeroportin e Leikherstit, në SHBA .

Së dyti, ndikonte kriza e madhe ekonomike, që ato vite kishte pllakosur Amerikën dhe Evropën. Por kishte edhe arsye tekanjoze:

Po e nisim me anglezët. Ata i ranë shkurt: ”Ne kemi shpikur futbollin që luhet me kaq pasion kudo në botë,  pra jemi ligjërisht kampionë të rruzullit tokësor!..”.

Italianët gjykuan ndryshe. Sapo kishin fituar Kupën Ndërkombëtare, ku merrnin pjesë skuadra të Evropës Qendrore, duke shpartalluar 5-0 Hungarinë, bash brenda në Budapest. Ishin kështu në ekstazë…

Edhe francezët ngurronin, por i shkundi  Zhyl Rimeja, presidenti i FIFA-s  ai që kishte dhënë idenë e zhvillimit të një veprimtarie të tillë që do të bëhej kaq popullore në botë, të përligjur në kongresin e saj të zhvilluar në Barcelonë, më 1929 dhe që për nder të tij, u quajt Kupa Zhyl Rime.

Belgët, fqinjët e francezëve, morën pjesë në botërorin e parë, vetëm  pasi  i vuri përpara  bashkatdhetari i tyre, Rudolf Seendraiers, që ishte as më shumë dhe as më pak, por… zëvendësi i Rimesë.

Nuk thonë kot që gratë shtien djallin në shishe. Kështu, bukuroshja Magda Lupesku, e dashura, që pastaj do të bëhej edhe gruaja e mbreti Karli  II të Rumanisë, i cili  ishte qejfi lojërash dhe gjahu, ia mbushi atij mendjen top që skuadra rumune   të nisej për në  aventurën e largët uruguajane.

Përkundrazi, mbreti i një  vendit tjetër ballkanik, Aleksandri i Jugosllavisë, ose me fjalë të tjera, i mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, të mbiquajtur me këtë emërtim të  ri gjeografik- Jugosllavi, që për herë të parë i shtohej gjeografisë së Evropës  dhe ku përfshiheshin edhe Mali i Zi, Maqedonia dhe Kosova, e shkëputur përdhunshëm nga trungu i Shqipërisë në Konferencën famëkeqe  të Ambasadorëve, mbajtur në Londër, më 1913, pati shumë qejf që  skuadra përfaqësuese e vendit të tij të ndërmerrte këtë rrugëtim në kontinentin e ri. Por puna është se kroatët nuk donin kurrsesi të luanin bashkë me sërbët në një skuadër. (Edhe sot ndeshjet midis Serbisë dhe Kroacisë, tashmë dy shtete të ndryshme,  u ngjajnë  kacafytjeve midis këndezave).

Skifter Këlliçi

Kështu  u vendos që Jugosllavinë ta përfaqësonin futbollistët e dy klubeve të Beogradit, BSK dhe SK Jugosllavia dhe tre lojtarë, po serbë, që luanin në klube franceze.

Mos mund të ndodhte e njëjta gjë me një mbret tjetër të një vendi ballkanik, pra me mbretin tonë, Zog, dhe kësisoj Shqipëria refuzoi të shkonte në Uruguai?!..Jo. Shqipëria kishte halle të tjera, midis të cilave, varfërinë e skajshme…Sidoqoftë, më 1930  organizonte kampionatin e parë të futbollit e pastaj me radhë të tjerat, madje, fjala vjen,  përpara kampionatit të futbollit në Bashkimin Sovjetik,  që do të më 1936.  Jo vetëm kaq, por më 1932 Shqipëria bëhej dhe anëtare e FIFA-s.

Veç këtyre po rendis dhe ngjarje të tjera që të bëjnë të vesh buzët në gaz, të cilat i kam lexuar më vonë në shtypin e huaj sportiv:

Çuditërisht, me të njëjtën anije italiane “Konte Verde” që u nis nga Gjenova, për në Uruguai, por pa… italianë, udhëtuan tri ekipe, ai i Francës, i Rumanisë dhe i Belgjikës. Bashkë me ta edhe presidenti Zhyl Rime, me Kupën e Botës, të mbiquajtur Kupa  e Perendeshës së fitorës, Nike, vepër e skulptorit francez, Abel Lafrër, 30 cm, e gjate , me peshe 1.800 gr., por  aq e lakmuar deri sa më 1970, të cilën, duke e fituar për tri herë, e zotëruan brazilianët.

Për çdo të pa pritur, Zhyl Rimeja e kishte vendosi kupën në kasafortën e kapitenit të transatllntikut.

Bashkë me taborin e mësipërm  atje  udhëtuan edhe tre gjyqtarë, belgët Zhan Langenus, që do të bëhet më pas personazh i këtij i rrëfimit të këtij botërori   dhe Henri Kristof, si dhe francezi Xhon Baluei. Pra, ekipe që për 15 ditët që duheshin për të  kapërcyer   Atllantikun, u stërvitën ashtu si mundën në kuvertën e anijes .Dhe  bashkërisht, nën vështrimin  e gjyqtarëve, duke u miqësur me njeri-tjetrin,  për t’u “armiqësuar” në fushat e futbollit…

Fatmirësisht “Konte Verde”, vërtet nuk kishte përmasat e “Titanikut” të famshëm, që më 1912 ishte fundosur, pasi ishte përplasur me një ajsberg, duke fundosur edhe rreth 1500 pasagjerë, por, sidoqoftë ishte bajagi i madh: 18 ton i rëndë, 173 metra i gjatë dhe 23 metra  gjerë.

Pra, ndonëse me vështirësi, sepse topat jo rrallë fluturonin  në ujërat e Atlantikut, për t’iu bërë pre e peshkaqevë, stërvitjet ato ditë udhëtimi, në një mënyrë a një tjeër, kaluan birinxhi mirë…

Në këtë anije u ndodh edhe basi njohur rus Shaljapin. Por siç dukej ai nuk kishte ndonjë  “dashuri’ për topkëmbën, sepse as u nuk u pa ndonjëherë në kuvertë, kur futbollistët  franko-belgo-rumunë stërviteshin paqësisht në kor,  të ndjekur nga sytë kurrshtarë të qidra pasagjerëve  të pasur, a të varfër, që dilnin të kurrshtur nga kabinat e tyre. Madje, as kur “Konte Verde” kapërceu Ekuatorin dhe në kuvertë shpërthyen këngë. Për më tepër, kur e ftuan që të këndonte për ta  , dha këtë përgjigje:

” Unë nuk jam mballomaxhi që paguhet, kur rregullon shojet e shkarpave”.

Ndërkohë, jugosllavët, si të mos begenisnin “Konte Verden”, udhëtuan për në Uruguaj nga Marseja, me anijen “Florida”. Edhe brazilianët, po me anije zbarkuan  nga Rio de Zhaneiro., zbarkuan në  Montevideo.

Befasitë  e ndeshjeve… 

Vërtet Uruguai nuk ishte veçse një pikë e vogël në globin tokësor. Por, ama, ishte dy herë fitues i medaljeve të arta të futbollit në olimpiadat e Anversë dhe Parisit më 1924 dhe 1928. Dhe  më 1930 kremtonte 100- vjetorin e pavarësisë. Ishin edhe këto arsyet e forta që e bindën  FIFA-n  që botërori i parë  zhvillohej në këtë  vend,  që po bëhej  i famshëm  në botë  vetëm nga… futbolli.

Montevideo kishte aso kohev stadiumin “Park Central” dhe”Procitos”, por jo aq të përshtatshëm për një ngjarje kaq të madhe sportive. Ndaj nisi rrufeshëm ndërtimi  i stadiumit të quajtur  enkas “Sentemario” (Njëqindëshi), me nxënësi prej 90 mijë shikuesish, që  bashkë me stadiumin tjetër të Montevideos,”Park Central”, edhe  ai i modifikuar,  u bënë fushëbetejat  e 18 ndeshjeve të Botërorit të Parë.

“Sentenario” përfundoi së ndërtuari  brenda pesë muajsh pune skëterrore, që vazhdoi  pa ndërprerje ditë e natë.  Dhe u bë më përfundimisht  gati më 18 korrik të vitit 1930, kur u përurua dhe botërori i parë i  futbollit.

Mbi të gjitha, Uruguai dëshmoi se përsëri meritonte të mbante në dorë skeptrin e sovranit të futbollin të tërë planetin tonë,  sido që vetëm midis 13 skuadrave, prej të cilave nga kontinenti plak ishin Belgjika, Franca, dhe  dy skuadrat ballkanike, Rumania dhe Jugosllavia, që përmenda më sipër.

Boshllëkun e plotësonin një elitë skuadrash jugamerikane- Argjentina, Brazili, Kili, Meksika, Bolivia, Peruja…

Pra, gjithsej 13 skuadra. Numër ters? Por jo për disa: Këto ishin Argjentina me SHBA-në  dhe Uruguai me  Jugosllavinë, që arritën në gjysmëfinale. Latino-amerikanët sikur të luanin tenis,  shpejt e shpejt “lanë  hesapet” me kundërshtarët e tyre, me të njëjtin rezultat tenistik , 6-1 dhe kryqëzuan shpata në finale.

Duke shkruar këto radhë, m’u kujtuan episode të tjera që kam lexuar në libra revista të tjera, kushtuar këtij botërori që nisi më dëborë,  meqë në hemisferin jugor ku shtrihet Uruguai bën dimër, për të përfunduar në një ditë pranverore, në takimin final.

Urugajanët dëshmuan  traditën: u shtuan dy medaljeve olimpike dhe medaljet e kampionëve të botës. Argjentina, sidoqë udhëhoqi 2-1, kapitulloi pas tre golave të Seas, Iriartes dhe Kastros.

Argjentinasve u hipën xhindet në kokë. Pas humbjes në finalen e Olimpiadës së Amsterdamit më 1928, (2-1), dolën përsëri kokulur nga stadiumi…“Sentenario”.

Zemërimi  arriti deri në Buenos Aires, ku turma tifozësh kërkuan  t’i vënë flakën ambasadës uruguaiane. Dhe kjo, sepse argjentinasit ngulnin  këmbë se në shkallët  e “Sentenarios” ishte krijuar një gjendje e nderë që i kishte hutuar paraardhësit e Maradonës, deri në atë farë feje, saqë kishin humbur toruan, dhe, si pasojë, edhe ndeshjen, se, sikur ajo  të ishte luajtur në kushte normale… ta shihnin ata uruguaianët mendjemëdhenj se ç’do t’u punonim, se ç’t’i bësh atij gjyqtarit…  dhe kështu  “fitorja na shkau nga duart”, e bla, bla, bla të tjera.

Kësaj zallalamahie i shpëtoi  për mrekulli pikërisht gjyqtari belg, Langenus, që përmenda më sipër. Gjatë takimit me vërshëllimat e tij, ai jo rrallë  ndëshkoi futbollistët e famshëm argjentinas, Andrade dhe Monti, pa e ditur se ç’telashe do t’i sillte vetes.

Në fakt, ishte gjyqtar me përvojë, që kishte  nisur të gjykonte që më 1912, duke pasur rival të rreptë vetëm anglezin Stenli Rouz, i cili më pas do të bëhej  presidenti i FIFA-s, dhe Marrasin, që edhe ai do të bëhej më pas  presidenti i Federcalcios italiane.

Në Evropë kishte  gjykuar në shumë fusha “të nxehta”, por jo si në Montevideo. Për të mos prishur qejf, vendosi me urtësi që në pjesën e parë loja të luhej me topin uruguajan dhe në pjesën e dytë me topin argjentinas, thua se topat të kishin  fuqi çudibërëse.

Por  jo gjithcka shkoi vaj…

Kështu, me të mbaruar ndeshja, ashtu siç ishte, i veshur, me xhaketë kadifeje, në xhepin e sipërm të së cilës kishte  varur bilbilin, me killota, këmishë të bardhë dhe kravatë, (çuditërisht rregullorja e atëhershme e futbollit e lejonte këtë… luks,), doli  nga një derë e fshehtë e stadiumit, iu turr një makine, e cila e përcolli drejt e në port, ku e priste  anija shpëtimtare, nga çdo sulm i tifozëve argjentinas që donin  ta shqyenin. (A nuk ndodhi kështu në gjysmëfinalen e Champions Ligës së vitit 2009 në Londër midis “#elsit” vendas dhe Barcelonës, ku gjyqtari norvegjez Obredo, ia mbathi  nga një derë pas hotelit ku bujte, si në filmat holivudianë, për  t’u shpëtuar tifozëve anglezë  për dy njëmbëdhjetëmetërsha që padrejtësisht nuk ua dha ?)..

Sidoqoftë, kujtimi i finales së Botërorit të Parë, në Montevideo, do ta bënte Langenusin  të ndjehej krenar, derisa të mbyllte  sytë më 1952, pasi kishte   gjykuar 84 takime ndërkombëtare, duke përfshirë edhe ndeshje të botërorëve, më 1934 në Itali, dhe më 1938 në Francë.

Po të kthehemi edhe një herë te ndeshja Uruguai-Argjentinë…

“Debatet  që qarkullonin vetëm në rrethe të mbyllura sportive,- u frynë e morën përpjesëtime të madha. Nuk mbeti prapa edhe shtypi. Ato  pastaj u kthyen në  sharje dhe fyeje. Si pasojë, marrëdhëniet “diplomatike” midis dy federatave përkatëse të futbollit u ndërprenë me afat të pacaktuar.

Megjithtatë,  fakti mbetet fakt: Uruguai, i njohur për kopetë e bagëtive, që zinte një rrip tokë në juglindje të Amerikës së Jugut, me një popullsi që mezi kapërcente dy milionët ishte tashmë “Meka e futbollit botëror”.

Emrat  e kampionëve të parë të botës:

Balestro, Andrade, Fernandes,Pestido,Nazaci,Maskeeroni, Dorado, Skarone.Kastro, Sea,Iriatre, u shënua në librin e artë të botërorëve te futbollit.

Nënkampionët:

Botaso, DelaTore, Paternoster ,Evaristo,Monti, Juares,Peusele, Varalo, Stabile, Ferreira, .Evaristo

Golshënuesi më i mirë:

Stabile (Argjentinë),8 gola.

Nga galeria e yjeve:

Stabile,(Argjentinë),Nazazi, (Uruguai), Maskeroni ,(Uruguai), Monti,(Argjentinë), Skarone, (Uruguai);

Ndeshje-18

Gola-70,(3.89 për ndeshje)

Shikues-590.549,( 32.808 për ndeshje).

Italianët, kampionë të botës

Duhet të them se gjatë këtij botërori shkallët e stadiumeve nuk u mbushën tërësisht nga shikuesit. Dhe kjo sepse futbolli  nuk ishte bërë kaq popullor në Itali, një vend ku pjesa dërmuese e popullsisë ishte ende fshatare, sidomos në Italinë e Jugut. Por pas këtij botërori kjo lojë mori përmasa të mëdha dhe e u përhap shumë shpejt në tërë Gadishullin Apenin.

Ndeshjen finale Itali – Çekosllovaki e ndoqi në Stadiumin Kombëtar të Romës edhe vetë Musolini. Ky stadium, i ndërtuar që më 1911, u pagëzua gjatë sundimit të tij me emrin  Stadiumi Kombëtar… i Partisë Nacional Fashiste dhe kishte një nxënësi prej 45 mijë  shikuesish.

Siç dëshmonte më pas Zhyl Rimeja, presidenti i FIFA-s, që ndodhej në tribunë pranë Duçen, ai nuk kishte fare haber nga futbolli dhe mbeti i ngrirë gjatë takimit. Por, kur Skiavio shënoi golin e fitores, fytyra e tij u përndrit dhe ai sikur u çlirua nga një barrë e rëndë.

…Italianët kanë epërsi, por golin e parë e shënojnë çekët me anë të Pucit. Mbeten vetëm 21 minuta lojë. Pasi kalon disa çaste nervozizmi, skauadra axurra “galvanizohet” dhe Monti, që katër vjet më parë ka luajtur në Uruguai me fanellën e Argjentinës, pra është italian i natyralizuar, (ashtu si Orsi dhe Guita), ”merret vesh”me Ferrarin dhe “vendimin” që marrin,  e  vë në jetë Orsi më një goditje të pamëshirshme. Përsëri shtesë loje, si me spanjollët. Dhe pastaj goli historik i Skiavios që  bie i alivanosur për tokë, i mbuluar nga puthjet dhe përqafimet e shokëve.

Italianët janë kampionë të botës.

Finalja Itali- Çekosllovaki 2-1, pas 120 minutash loje.

Italia- Konti, Manxelio, Alemandi, Ferrari I, Monti, Bertolini, Guaita, Meaca, Skiavio, Ferrari, Orsi.

Çekosllovakia- Planicka, Zeniçek ,Ctiroku, Kostalek, Kambal, Junek, Svoboda, Sobotka, Ne-jedli, Puc.

Gjyqtar- Eklind,(Suedi)

FRANCE 1938,

ITALIA PËRSËRI KAMPIONE E BOTËS

Finalja e këtij  botërori Hungari-Itali zhvillohej në stadiumin”Kolomb” të Parisit. Nga shikuesit në fushë u prit me brohoritje ardhja e presidentit të Republikës franceze, Lebrun. Ndonëse nuk merrte fare vesh nga futbolli, ai kishte dëshirë që të nderonte organizatorët e botërorit dhe veçanërisht presidentin e FIFA-s Zhyl Rime, edhe ai francez.

Presidenti, me t’u ulur pranë Rimesë, dukë hedhur sytw në fushë, pyeti me naivitet :”Cilët janë fracezët në fushë?”.

Merret me mend hutimi i presidentit të FIFA-s, i cili arriti për çudi ta nxirte nga ky telash   veten dhe presidentin e Republikës franceze që kishte bërë këtë goxha gafë, duke i dhënë këtë përgjigje të mencur:

”Francezët, shkëlqesi, përfaqësohen në fushë…nga gjyqtarin”. Duke shqiptuar këto fjalë, tregoi në në fushë gjyqtarin Kapdëvil, që pr fatin e tij të mirë  të mirë ishte francez.
“Futbollin e kuptoj pak,- shpjegoi pas ndeshjes presidenti francez,- por pashë që italianët  zhvilluan një ndeshje  të bukur..”

Ndeshja u fitua nga italanët 3-1 që për të dytën herë u bënë kampionë të botës. Ata patën në finale këtë përërje:

Oliveri, Foni, Rava,Serantoni, Andreolo, Lokateli, Biavati, Maeca, Piola, Ferrari, Kolausi.

Hungaria:

Sabo, Polgar, Biro, Salai,Suks ,Lazar, Sas, Vinceze, Saroshi, Zengeler, Titkos,

Gjyqtar-Kapdëvil, (Francë)

Golëshënuesi më i mirë:

Leonidas,(Brazil),8 gola.

Nga galeria e yjeve:

Piola, (Olivieri, (Itali), Sharoshi,(Hungari), Leonidas, (Brazil), Foni, (Itali), Guaia, (Brazil).

BRAZIL, 1950

KAMPION I BOTËS, URUGUAI

Në minutën e 69-të të finales Brazil-Uruguai, të zhvilluar në stadiumin gjigand “Marakana” të Rio De Zhaneiros, Mikuesi goditi traun e portës braziliane dhe pesë minuta më pas Skiafino ftoi Gixhan, i cili, i kërrusur, si një kalë gërmuq i legjendave, pasi çarmatosi mbrojtësin e majtë, Bigode, shënoi golin e dytë.

…Gjigandi “Marakana” hesht, tkurret, akullohet. Futbollistët në fushë janë të çoroditur dhe porta uruguajane u tretet sysh. Ndeshja ka mbaruar dhe hallku në shkallët e stadiumit nuk u beson syve. Për më tepër, ka nga ta që në çaste halucinimi pandehin se futbollistët do të reshtohen përsëri në fushë, për të filluar… pjesën e tretë!..

Por kur Zhyl Rimeja, presidenti i FIFA-s, u dhuron uruguajanëve kupën, gjithçka bëhet e qartë.
Klithma brengosëse, deri në lotëri të paprashme… Për më keq, 56 infarkte  në stadium në ato minuta. Rasti më patetik është ai i mbrojtësit brazilian, Danilo, që kërkon të vrasë veten. Por arrijnë ta shpëtojnë. Por jo 50 të tjerë që gjejnë mënyra të tjera që  t’i japin  përgjithmonë  lamtumirën kësaj bote.  Dhe jo nga skamja, mjerimi që mbështjell  Brazilin…Por  nga një humbje në fushën e futbollit. Dashuri verbuese deri në fanatizëm të skajshëm…

Mijëra sy nguliten mërishëm mbi urugujanin Gixha, që është shkaktari i kësaj llahtare. Po të mos ishte policia, vështirë se do te mbetej gjallë, bash si gjyqtari belg Langenus pas finales Uruguai-Argjentinë në botërorin 1930. Por ai për nafakën e tij qe veshur me zhaketë dhe kilota. Kurse Gixha me fanellë e të mbathura sportive. Sidoqoftë  arrin gjallë në atdhe. Dhe  pritet si hero. Ashtu si uruguajani tjetër, Skiafino, që kujton:

”Shikoja nga fusha mijëra e mijëra që qanin me kuje në shkallët e stadiumit. Ata nga hidhërimi, kurse ne në vetevete nga gëzimi, duke menduar për familjet tona”.

Brazili është në zi. Uruguai, kur nuk e priste- kampion i botës për të dytën dhe të fundit herë deri tani.

Të  dyja skuadrat luajtën në këtë finale historike më këta futbollistë:

Uruguai:

Maspoli, M.Gonzales, Tehera ,Gambeta,Varela, Andrade, Gixha, Perez, Miguez, Skiafin,.Moran;

Brazili:

Barbosa, Augusto, Juvena,.Bauer,Danilo, Bigode, Friaka, Zizinjo, Ademir, Zahir, Kiko

Gjyqtar- Reader,(Angli).

ZVICËR, 1954

KAMPIONE SHPALLET GJERMANIA PERENDIMORE QË NË FINALE MUND HUNGARINË 3-2

Pas takimit Pushkashi me shokë u ankuan për gjykim të njëanshëm, aq më tepër për  një gol në fund të lojës që u quajt i pavlefshëm për jashtëlojë. Dhe i tillë ishte…Së pari hungarezët shënuan dygola, por gjermanoperëndimorët shënuan pastaj tre radhazi dhe fituan. Ata udhëtuan me tren nga Zvicra, dhe u pritën plot hare në atdheun e tyre në  skajet më të largëta të të cilit, kjo fitore quhej e jashtëzakonshme. Dhe lavdia i takonte skuadrës, por dhe kapitenit të saj Fric Valter.

Çfarë fati! Ish-futbollist i Kaizerslauternit para Luftës së Dytë Botërore, më 1942 ishte marrë ushtar, kishte luajtur në  skuadrën e repartin e tij, kishte përfunduar rob në një kamp përqendrimi dhe kur forcat sovjetike kishin çliruar atë zonë, tamam kur po dërgohej  në një gulag në Siberi, nga ku vështirë të kthehej gjallë, një nga rojat e kampit kishte deklaruar se ai nuk ishte gjerman, por… austriak.

Sovjetikët e kishin besuar. Kështu Fric Valteri ia  kishte mbathur për në shtëpi, ishte kthyer sërishmi në fushat e futbollit për t’u bërë në moshën 34-vjeçare kapiteni i skudrës kampione të botës!

Pas botërorit gjermanoperendimorët u akuzuan për përdorim droge. Por nga Gjermania erdhi  përgjigje qetësuse. Ishte fjala për  një hepatit viral, sëmundje ngjitëse, që kishte prekur disa futbollistë gjatë qëndrimit në Zvicër dhe që vazhdoi më pas, duke i detyruar ata që të kuroheshin me ilaçe.

Finale

RF Gjermane-Hungari, 3-2

RF.Gjermane:-Turek, Posipal, Kolmajer, Ekel, Librih, Mas, Ran, Morlok, Shefer, F.Valter, O.Valter, Shefer;

Hungari;-Grosiç, Buzanski, Lantosh, Bozhik, Lorant, Zakariash, Cibor,Koçish, Higdegkuti,Pushkash,To;.

Gjyqtar, Ling, (Angli);

Golat: Pushkash, Cibor, (Hungari); Morlok, Ran(2), RF Gjermane.

Nga galeria e yjeve:

Pushkash ,Groshic, Hidegkuti ,(Hungari),Fric Valter,Ran,(RF Gjermane),Zhulinjo,(Brazil), Boniperti,(Itali).

SUEDI 1958,

TRIUMFI I I BRAZILIT

Pasi mundi habitërisht me shumë vështirësi Uellsin 1-0, më gol të debutuesit Pele, Brazili zbrazi tërë arsenalin e vet në takimin gjysmëfinal me Francën (5-2), ku Peleja shënoi edhe tre gola të tjerë. Ky djalosh fenomenal, do t’u shtonte këtyre edhe dy gola e fundit në finalen e bujshme, përsëri 5-2, këtë radhë kundër Suedisë, fitore që për herë të parë e shpuri Brazilin në Olimpin e futbollit.

Veçanërisht i mahnitshëm ishte goli me të cilin Brazili thelloi rezultatin 4-1: Peleja ia kaloi topin mbrojësit kundërshtar mbi kokë, iu mënjanua dhe e gjuajti pa rënë ai në tokë. Kur ndeshja po mbyllej  4-2, pasi suedezi Simonsen kishte shënuar në minutëne 80-të, Peleja shënoi edhe golin e pestë. Për suedezët kënaqësi e çastit ishte goli i parë në minutën e katërt, shënuar nga Lidholmi, që zgjati vetëm pesë minuta, sepse Vava shënoi golin e barazimit dhe pastaj golin e dytë në 32’, që u pasua nga një gol tjetër i Zagallos.

Ky botërori, pari që fitonte një skuadër latino-amerikane në Evropë dhe për më tepër Brazili, u shndërrua në festë kombëtare të pashembullt në Rio De Zhaneiro dhe qëtete të tjera braziliane dhe, ta pret mendja, që nuk pati vetëvrasje, si tetë vjet të shkuara, pas tragjedisë me Uruguain, dhe as edhe infarkte, që këtë radhë do të kishin qenë të shkaktuara nga gëzimi.

Brailianët jo vetëm ngadhnjyen, por sollën dhe sistemin e ri 4-2-4, që shëmbi përfundimisht sistemin WM, pra me tre mbrojtës, dy gjysmëbrojtës, dy gjysmëlmues dhe true sulmues, që kishte dominuar në deri atëherë nëfutbollin botëror.

Finalja

Brazil-Suedi 5-2

Brazili-Zhilmar- Xhalma Santos, Nilton Santos, Zito, Belini,Orlando, Garrinça, Didi, Vava, Pele, Zagalo.

Suedia- Svenson, Bergmark,Aksbom, Bjornson, Gustavson, Parling, Hamrin, Green, Simonson, Lidholm, Skoglund;

Golshënuesi më i mirë:Zhyst Fonten 13 gola.

Nga galeria e yjeve:

Pele, Garrinça, Didi,(Brazil), Jashin ,(B,Sovjetik), Kopa ,Fonten,(Francë).