Kur Zoti mposhti regjimin e përbinshëm gjakatar të satrapit Enver Hoxha

Rihapja e objekteve të kultit pas ndalimit 23 vjeçar të lirisë së besimit, përbën një nga momentet kulmore të historisë, e tejmbushur me data e ngjarje me dhe pa rëndësi. Shkodra, qyteti i vlerave të shumta dhe më i persekutuari i regjimit komunist, do t’i printe këtij veprimi të guximshëm për kohën dhe do të sfidonte diktaturën, duke rihapur pas 23 vjetësh objektet e kultit dhe duke zhvilluar dhe ritualet përkatëse. Por përveç rëndësisë së kësaj ngjarjeje, ajo që përbën një vlerë unikale, shembull të bashkëjetesës fetare në qytetin e lashtë, është fakti se në rihapjen e këtyre objekteve, përkatësisht me 11 dhe 16 nëntor 1990, morën pjesë besimtarë të të gjithë feve, që punuan së bashku për të rivënë në funksionim objektet fetare të mbetura nga shkatërrimi ateist i 23 viteve. Asnjëherë, dhe në asnjë rast, qytetarët shkodranë nuk kishin qenë aq të bashkuar pavarësisht besimeve fetare, për një qëllim, sfidimin e frikës së diktaturës dhe rikthimin legjitim të lirisë së besimit dhe ushtrimit të saj.

Mesha e 11 nëntorit 1990
Mesha e parë solemne për një numër të madh qytetarësh shkodranë, u mbajt tek kisha tek varrezat e Rrmajit, më 11 nëntor 1990. Mbajtësi i saj ishte një klerik, i cili kishte kaluar gati gjysmën e jetës në burgjet e komunizmit, Dom Simon Jubani. Duke iu përgjigjur kërkesës së disa besimtarëve shkodranë, që ndonëse jo të organizuar, mendonin se kishte ardhur koha që duhej bërë ky hap, Dom Simon Jubani pati guximin të ndërmerrte një hap të tillë. Dëshmitarët e atyre ditëve , tregojnë se gjithçka kishte nisur spontanisht, madje një javë më parë, më 4 nëntor, por që shumë shpejt ishte kthyer në një veprim të organizuar deri në detaje. Siç kujton në librat e tij vetë Dom Simon Jubani,( 1927-2011), gjithçka nisi më 4 nëntor 1990. “Më 4 nëntor, në orën 09:00 të paradites, vjen në shtëpinë time një qytetar shkodran, Mark Murana, i cili punonte shofer autoambulance. Ai më tha se do njerëz të mbledhun tek vorret katolike, ku kanë të dashtunit e tyre, ndërsa janë duke i pastru ato, dojshin me ba meshë dhe e kishin dërgu Markun me më thirrë mue, që isha meshtari që e kishte shpinë ma afër. Dhe unë, tue shpresue se askush nuk do të guxonte me më thane gja, për shkak të fjalëve që ishin përhapë se komunizmi në lindje po binte shpejt, bana gati valixhen me gjitha orenditë e meshës dhe u nisa. Ai popull i paktë që ishte mbledhë në varreza, pasi ishte muaji i të vdekurve apo i purgatorëve sipas besimit katolik, ishte t’u pastru vorret e të afërmve të tyre dhe nga frika e ndonjë pasoje as më përshëndetën, duke u dukur sikur nuk kishin punë me mua. Unë shkova drejt vendit ku dikur kishte qenë elteri, Marku erdhi me një tavolinë në dorë. Aty mbajta meshën pas gjithë asaj kohe ndalimi, pa e pasë mendjen se çfarë mund të ndodhte, por vetëm duke u përfshi nga bërja e sakramenteve dhe entuziazmi që arrita në këtë ditë .Dalëngadalë turma drejt elterit u shtua. Mesha e parë në madhështinë e vet mbeti një fakt i izoluem, por shërbeu si fillim i atij organizimi që një javë më pas solli 11 nëntorin, meshën solemne të rikthimit të besimit”, kujton Jubani në librin e tij. Dëshmitarë të asaj dite kujtojnë se 4 nëntori ishte një ditë me shi dhe disi e ftohtë. Ishin ditët e para të muajit të purgatorëve dhe qytetaret disi në mënyrë të fshehtë shkonin për t’u lutur pranë varreve të vjetra të të afërmve. Disa nga të rinjtë që ndodheshin atje atë ditë, drejtohen në kapelen e varrezave dhe nisin ta pastrojnë nga barërat e shkurret përreth. Pak minuta me vonë në varreza shfaqet Dom Simon Jubani, një klerik i njohur për guximin dhe mosnënshtrimin ndaj torturave dhe terrorit komunist. Dukej si diçka e bërë pa shumë përgatitje, por në fakt rezultoi e suksesshme. Pa shumë zhurmë akulli ishte thyer. Kishte mbetur vetëm për t’u riprovuar dhe e diela e radhës ishte data 11 nëntor. Por më përpara duheshin lajmëruar qytetarët. Nga data 5 e deri në orët e para të datës 11 nëntor, varrezat katolike të Rrmajit u kthyen në një shesh ndërtimi. Murator, marangozë, bojaxhinj, punonin pa pushim për të kryer punën e krijuar një mjedis të përshtatshëm për meshën që do mbahej para popullit. Dhjetëra të rinj merreshin me pastrimin dhe rregullimin e hapësirave mes varrezave. Të tjerë hiqnin suvatimet e kishës së vjetër, që për 23 vite kishin mbyllur kryqet në murin e jashtëm dhe me pas i lyenin me bojë. Zef Gjoni, një nga më aktivët në këtë ngjarje, kujton se ajo nuk ishte diçka e organizuar, por gjithçka nisi spontanisht. “Ishim një grup prej 6 vetash, më pas gjithçka mori rrugën vetvetiu. Ishte një sipërmarrje e cila nuk njihte frikën, pavarësisht se të gjithë ne e mendonim. Të gjithë ne, ai grup njerëzisht, por dhe të tjerë që na ndoqën gjatë një jave, shkonim tek kapela e kishës së Rrmajit, për ta rindërtuar. Nuk kishte lider, gjithsecili mundohej të kryente atë punë që i takonte në mënyrën më të mirë të mundshme, me qëllim që më 11 nëntor gjithçka të ishte e përsosun”, thotë Zefi. Gjatë gjithë javës organizatorët ishin në tension për sigurinë e klerikut 63-vjeçar Simon Jubani. Ai lëvizej çdo ditë në banesa të ndryshme, duke shmangur ndonjë të papritur që mund të ofronte sigurimi i shtetit. Çdo frikë, çdo ndjenjë pasigurie ishte larguar përfundimisht nga qytetarët, të cilët paraditen e së dielës, më 11 nëntor, u drejtuan për në varrezat katolike. Shkodranë të cilët i përkisnin tre besimeve fetare, kishin bërë zgjedhjen e tyre që më parë. Për të qenë dëshmitarë të ngjarjes më të madhe nën diktaturë, dëshmitarë të ditës që do të sillte ndryshimin e shumëpritur. Të gjithë ato që kanë qenë të pranishëm në atë meshë, e mbajnë mend 11 nëntorin 1990, si një ditë të bukur me diell. Qytetarët ishin veshur si për festë dhe nxitonin të pozicionoheshin sa më pranë kapeles, ku do të thuhej mesha e shenjtë, shumë prej tyre pa ditur se nuk do të kishin mundësi të hynin as në oborrin e varrezave të tejmbushura nga ato që kishin ardhur të parët, por do detyroheshin ta ndiqnin ceremoninë nga jashtë, vetëm përmes altopolantëve, në të cilët ushtonte zëri i Dom Simon Jubanit.
Ai do të sillej në kapelën e varrezave, ku dhe do mbante meshën, i rrethuar nga shumë burra e të rinj që kishin vendosur të jepnin gjithçka për ta mbrojtur. Ceremonia zgjati jo më shumë se 40 minuta. Dom Simoni ishte i përqendruar në dhënien e meshës, duke treguar një ftohtësi të admirueshme ndaj regjimit. Asnjë fjalë, asnjë falenderim, asnjë dëshirë për shtrirje dore. Pas fjalëve të fundit ai rrethohet menjëherë nga mbrojtësit e shumtë dhe më pas largohet përmes turmave që krijojnë një korridor gjatë gjithë rrugëzës së varrezave. Çdo gjë ishte mbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme. Dom Simon Jubani, lidhur me këtë ditë, në kujtimet e tij shprehet se, “ajo ditë ishte diçka hyjnore. Ishte vetë mrekullia e zotit se si në një hark kohor prej 35-40 minutash sa zgjati mesha, u arrit të thyhej ai regjim i cili kishte ndaluar për aq vite fenë në Shqipëri. Nuk mund t’i jap përkufizim tjetër përveç se një gjesti hyjnor. Ishte një ditë e papërsëritshme, kur rinia shkodrane, pa dallim feje, më thirri, më mbrojti, më barti në krahë deri tek elteri, për me kremtue meshën e parë në mjedis të terrorit komunist”, kujton ai. Dhe ko ngjarje ua hoqi frikën gjithë shqiptarëve dhe hapi në vendin tonë një epokë të re, atë të lirive fetare që janë në themel të gjitha lirive të tjera. “Asnjë prej rreth 50000 vetëve që u grumbulluan atë ditë, nuk ishe i sigurt nëse do të kthehej në shtëpi. Shumë prej tyre në ditët e pastajme u rrahën, u torturuan e bënë disa muaj burg, përpara se të vinin ndryshimet e mëdha dhe të përmbysej përfundimisht regjimi Ai oqean njerëzish ishte i pushtuem nga dy ndjesi, ajo e jetës dhe e vdekjes. Secili e ndjente veten më shumë se kurrë pranë atyre që pushojshin në paqe aty poshtë. Por kur filloi mesha, ekstaza e paprovueme prej vitesh i pushtoi të gjithë. Në atë ditë kurrkush nuk ndihej mysliman, katolik apo ortodoks, fantazmat e përçamjes kishin marrë arratinë dhe të gjithë e ndjenin veten bij të të njëjtit Zot. Frynte fuqishëm era e ringjalljes, 11 nëntori është i papërsëritshëm përsa i përket guximit dhe masivitetit të pjesëmarrjes së besimtarëve pa dallim feje”, shprehet Dom Simon Jubani. Pas 23 viteve ndalim të lirisë së besimit dhe riteve të tij, shqiptarët kishin ndjekur për herë të parë një ceremoni fetare. Ajo që u përgatit me aq përkujdesje nga organizatorët, mes tyre edhe të rinj të besimeve të tjera fetare, ishte konkretizuar me një sukses, jehona e të cilit u përhap me shpejtësi jo vetëm në Shqipëri. Tashmë gjithçka zhvendosej në një tjetër objekt kulti, i cili duke qenë monument kulture nuk ishte prishur nga komunizmi.

16 nëntor 1990, te Xhamia e Plumbit, Shkodër
Xhamia e Plumbit përgatitej që pas pesë ditësh, që të premten e 16 nëntorit, të bënte faljen e namazit për të gjithë shkodranët, që pa dallim feje do merrnin guximin ta ndiqnin këtë ceremoni. Kjo ditë nuk erdhi rastësisht. Ishin dëshirat dhe ëndrrat e një populli, të ndrydhura e të heshtura, që u përpin me vrull. Rinia shkodrane, duke marrë bekimin e prindërve dhe të moshuarve iu përvesh punës. Do të ishte kleriku i njohur e i nderuar mysliman, 69-vjeçari Haxhi Hafiz Sabri Koçi, i burgosur për shumë vjet nga regjimi komunist, ai që do këndonte Ezanin dhe do falte xhumanë pas 23 vitesh heshtje. Në shtëpinë e familjes Myftia, u bënë shumë takime nga rinia dhe besimtarët e vjetër shkodranë. Kjo familje me tradita të vjetra kulturore, fetare dhe atdhetare, nga gjiri i së cilës kishin dalë klerikë të nderuar të besimit mysliman, në ato ditë të vështira, kur diktatura komuniste vazhdonte krimet e saj, pa marrë parasysh rreziqet, priti me bujari Hafiz Sabri Koçin. Të rinjtë, për siguri nga ndonjë incident i organizuar apo dhe i rastit, e morën Hafizin natën, pa gdhirë, dhe e çuan në shtëpinë e familjes së nderuar Myftia, pranë xhamisë. Djemtë e kësaj familjeje e shumë qytetarë të tjerë, e përcollën përmes popullit deri në tribunën e ngritur para Xhamisë së Plumbit. Dëshmitarët e asaj kohe kujtojnë se si pak çaste para fillimit të ceremonisë, Hafiz Sabri Koçi kërkoi që një djalë i ri duhet të hapte këtë ritual dhe t’ia jepte fjalën atij. Rasim Sokoli ishte ai që mes njerëzve të mbledhur, thirri një djalë, Ardian Golemin, i nipi i Haxhi Hafiz Abaz Golemit, dhe bashkë me të dhe Hafiz Sabri Koçin, hipën në tribunë, ndërsa i gjithë sheshi para xhamisë ishte mbushur si asnjëherë. Atë ditë e gjithë Shkodra ishte në këmbë. Që në orët e para të mëngjesit, njerëzit lëviznin nga të gjitha drejtimet: nga ura e Bahçallëkut, nga ura e Bunës, nga Tophana, nga Parruca, nga Perashi, nga Tepja dhe Ajasma po grumbulloheshin në sheshin e Xhamisë së Plumbit, në oborret e shtëpive. Lajmi ishte përhapur në çdo familje, në heshtje, dhe tashmë ishte fakt i kryer. Besimtarët myslimanë dhe bashkë me to të gjithë qytetarët shkodranë pa dallim feje, do i riktheheshin riteve fetare. Hafiz Sabri Koçi në një prej intervistave të tij kur ishte gjallë, shprehet se, “duke kujtuar të gjitha vuajtjet e mundimet nuk kisha se çfarë të humbja. I përkrahur nga djemtë dhe i ftuar nga rinia e mrekullueshme shkodrane, unë e ndieja veten superior ndaj atyre që duhej të kisha frikë. Dita e 16 nëntorit do të mbetet e paharruar në jetën time. E kam të freskët momentin kur u ndodha para një mitingu prej 55 mijë vetësh.
U entuziazmova dhe mu deshën disa çaste për të më kaluar emocionet. Nuk përshkruhet gëzimi e kënaqësia e asaj dite”. Një tjetër pjesëmarrës në këtë ngjarje, Eljaz Pateriku, kujton se si dy ditë para datës 16 nëntor, bashkë me të tjerë, u morën me përgatitjen e Xhamisë së Plumbit. “Ajo ishte e mbyllur me zinxhirë, shkova në shtëpi mora një kmesë dhe darë dhe bashkë me të tjerë pastruam nga ferrat ambientet jashtë xhamisë dhe në mbrëmjen e 15 nëntorit. Thyem drynin dhe këputëm zinxhirët. Kështu e shpërthyem Xhaminë e Plumbit dhe të nesërmen gjithçka ishte gati që aty të bëhej falje xhumasë, pas shumë vitesh ndalim të fesë”, thotë Pateriku. Ceremonia e 16 nëntorit 1990 nuk qe thjeshtë një ceremoni fetare, ajo krahas vlerës së vet të ringjalljes së fesë, mori një karakter të hapur politik. Ndërsa mitingu madhështor përfundoi dhe njerëzit po shpërndaheshin duke mbajtur me vete gëzimin e harenë e asaj dite të madhe, në Xhaminë e Plumbit u organizua një mbledhje vogël nga përmasat, por me një rëndësi të veçantë historike për të ardhmen e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Në këtë mbledhje, si të themi në ilegalitet, u vendos krijimi i “Bashkësisë Islamike Shqiptare”, me qendër në Shkodër. Krijohet kryesia e përbërë nga 20 anëtarë të përkohshëm. Menjëherë, pa humbur kohë Shoqata harton 3 dokumente themelorë:
1 – Kërkesën për të miratuar shoqatën “Bashkësia Islame Shqiptare”
2 – Statutin e shoqatës “Bashkësia Islame Shqiptare”
3 – Programin e veprimtarisë së Shoqatës
Realizimi i këtyre detyrave, i statutit dhe i programit, filloi menjëherë, pavarësisht nga vështirësitë e shumta, pa pritur ende miratimin e Shoqatës. Ashtu si në meshën e parë të mbajtur në varrezat e Rrmajit, më 11 nëntor1990, dhe në ceremoninë fetare të organizuar në Xhaminë e Plumbit më 16 nëntor, merrnin pjesë besimtarë të të gjitha besimeve. Ato ishin shenjat e para se Shqipëria po hapej dhe se komunizmi po rrënohej. Këto dy data kujtohen çdo vit nga qytetarët shkodranë e besimtarë të të tre besimeve, drejtues të religjoneve në Shkodër etj., si ditët që jo vetëm rikthyen lirinë e besimit dhe shënuan rihapjen e institucioneve fetare pas 23 vitesh, por treguan dhe bashkimin e qytetarëve shkodranë pa dallim feje, si dhe ishte fillimi i vërtetë i shkatërrimit të diktaturës komuniste. Me kaq thjeshtësi, 23 vite më parë do të kthehej Zoti publikisht në Shqipëri, që me shpirt nëpër dhëmbë po dilte nga diktatura më e egër komuniste që ishte regjistruar ndonjëherë në historinë e një populli. Atë ditë ju hoq frika gjithë shqiptarëve. Prej asaj dite nuk do të ndaleshin më kremtimet e shenjta, kurorëzimet, e Zoti do të thirrej pa frikë haptas dhe jeta shpirtërore do të merrte një hov të jashtëzakonshëm.
ANILA DAUTI