Kur kundërshtarët e diktaturës komuniste, kërkonin suport grek për rrëzimin e Enver Hoxhës

A është rrezikuar Shqipëria nga nacionalistët e larguar me trupat pushtuese pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore dhe nga ata që u etiketuan nga regjimi i Enver Hoxhës si kolaboracionistë?! Sot, është ‘e mjegullt’ prej heshtjes së historianëve tanë që mundohen të gjejnë ide alternative, që të përcjellin vetëm në një kah: Dobinë për sulmin ndaj komunizmit! Dëshmitë e kohës janë disi kokëforta, por të gjitha të çojnë në një kah, që të arratisurit shqiptarë bashkëpunojnë me Greqinë dhe pastaj me ish-Jugosllavinë, për të arritur synimet e tyre, që janë rrëzimi i rrëgjimit, përkundrejt beneficeve ndaj vendeve fqinje. Mit’hat Frashëri do i kërkojë Greqisë tre baza për stërvitjen e diversantëve. Ahmet Zogu përpiqet të mbledhë të gjithë kahun anti-komunist. Ndërkohë që një nga figurat më të njohura anti-komuniste Abaz Ermenji merr një rrogë mujore 1.500.000 Dhrahmi në muaj. Shumë nga dëshmitë direkte, që zbulimi shqiptar i ka mbledhur në atë kohë dhe që u referohet dëshmive të procesit gjyqësor ndaj tre diversantëve që u kapën në vitin 1949 në Shqipëri, tregon për vështirësitë që hasin këta të fundit por edhe përçarjen e madhe. Dëshmitë e mësipërme janë dhënë nga goja e Et’hem Çakos. I ashtuquajturi nacionalizëm gjithmonë e ka përballur keq Shqipërinë. Të kujtojmë luftën e madhe që bënë këta për t’ia bërë rrugën e vështirë pavarësisë shqiptare më 1913, kurse në fakt në vend të platformave kombëtare përcjellin vetëm kaos. Ndaj ishte lehtë të përqafonin platformën e “Shqipërisë së Madhe” që u bë dhuratë nga pushtimi fashist, ndërkohë që ky koncept sot e kësaj dite i hap andralla shqiptarëve. Më e habitshme ka qenë përqafimi i platformave të huaja, pa u thelluar në atë që përbënte rrezik për vendin. “Njëherësh, si organizata e Ballit, ashtu edhe legalistët e Zogut përqafuan projektin e një federate ballkanike greko-jugosllavo-shqiptare, sapo morën vesh se për të po punohej në MPJ të Britanisë së Madhe. Kuptohet, projekti i një federate të tillë i skicuar nga anglezët, nuk i jepte Shqipërisë as Kosovën e as Çamërinë. Në frymën e projekteve të tilla, si ballistët ashtu edhe zogistët kryen bisedime të fshehta me serbët dhe me grekët. Në vitin 1941, Muharrem Bajraktari dhe përfaqësues të Zogut në Stamboll filluan bisedime me përfaqësues të Drazha Mihajlloviçit, eksponent serb monarkist e antishqiptar, për të ripërtërirë marrëveshjet e fshehta të bëra me Pashiçin nga Esad Pasha në 1914, dhe nga Ahmet Zogu, në 1924. Bisedimet synonin krijimin e një federate jugosllavo-shqiptare, me kusht që Jugosllavia të ndihmonte “rilindjen zogiste”, d.m.th. rikthimin e Zogut në pushtet me ndihmën e bajonetave sllave, si në vitin 1924. Kur e pa se Mihajlloviçi nuk kishte gjë në vijë dhe në Jugosllavi po triumfonin komunistët e Titos, Muharrem Bajraktari iu përkëdhel grekëve, duke paraqitur projektin e një federate “pellazgjike” greko-shqiptare”, citohet profesor Pëllumb Xhufi.

Por në këtë dossier jepen referime sesi Kryetari i Ballit Kombëtar, Mit’hat Frashëri në emër të Ballit dhe Koço Kota në emër të zogistëve, hynë në bisedime me grekët për krijimin e një federate greko-shqiptare, citojmë profesorin Xhufi. I gjithë ky projekt do të dështonte se vetë grekët donin shumë më tepër. Këtë qëndrim e shpalosën sidomos në Konferencën e Paqes, ku Shqipëria u rrezikua krejt.

Ben Andoni (Javanews)