Kultura e Komanit është një dëshmi e hershme e kulturës së Arbërisë dhe vazhdim i traditës ilire

Në vitin 1898 u ra në gjurmë të një varreze të madhe, pranë Kalasë së Dalmaces, në fshatin Koman të Pukës. Në vazhdim u zbulua një numër i madh varrezash të ngjashme, rreth 30, të përhapura kryesisht në Shqipërinë e Veriut e në atë të Mesme. Shpërndarja gjeografike, tipologjia, inventari dhe kronologjia e njëjtë e këtyre varrezave i ka shtyrë studiuesit të identifikojnë në to kulturën e hershme mesjetare shqiptare, të quajtur “Kultura e Komanit” (shek. VI-VIII). Në vitet e fundit zbulime të “Kulturës së Komanit” janë bërë edhe në Shqipërinë e Jugut si dhe përtej kufijve shtetërorë, në Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni e në Greqi.

“Kultura e Komanit” është kultura e një populli që në shek. VI-VIII ishte në kapërcyell të dy epokave, nga ajo e vonë antike, në periudhën e hershme mesjetare. Tipologjia e varreve, orientimi i tyre, inventari i armëve, i veglave të punës dhe i stolive, me praninë e elementëve të shumtë të simbolikës ilire, e lidhin “Kulturën e Komanit” me të kaluarën ilire të këtyre trojeve dhe me banorët e lashtë të tyre, ilirët.

Por, përveç elementëve të vazhdimësisë ilire, “Kultura e Komanit” përmban edhe elementë të rinj, që lidhen me periudhën e hershme bizantine. Durrësi, baza më e rëndësishme e Perandorisë Bizantine në perëndim, ishte qendra nga ku në thellësi të trevave shqiptare mbërrinin importet dhe, në përgjithësi, ndikimet bizantine. Këto të fundit shquhen qartë në disa grupe stolish, si tokëza rripi, brosha të praruara, vathë etj. Por, mbi të gjitha, ndikimi bizantin materializohet në elementë të artit, pra dhe të besimit kristian. Të tillë janë vathët me motive palloi, skena të Eukarestisë ose unaza me formula e lutje të krishtera.

Ndërkohë që në shumë nga stolitë e gjetura në varrezat e “Kulturës së Komanit” dallohet qartë mbijetesa e motiveve pagane (p.sh. disku diellor), prania edhe e motiveve kristiane dëshmon se bartësit e “Kulturës së Komanit” kishin përqafuar, ose ishin duke përqafuar, besimin e krishterë. Në këtë kohë, pra në shek. VI-VIII, krishterimi, i përhapur nga qendrat urbane, si Durrësi, Shkodra, Ohri etj., kishte mundur të depërtonte edhe në zonat e brendshme rurale, ku dëshmohet “Kultura e Komanit”.

“Kultura e Komanit”, qoftë në trashëgiminë e saj të kulturës së lashtë ilire, qoftë me elementet e reja të periudhës së hershme bizantine e, në fund, me shenjat e qarta të besimit të krishterë, është specifike për hapësirën ku dëshmohen shqiptarët në mesjetë. Ajo i dallon në mënyrë të qartë, bartësit e saj, shqiptarët, nga fqinjët e tyre të rinj e të vjetër, sllavët e grekët.

Kultura e Komanit është një kulturë e hershme e Arbërisë, që e vazhdon kulturën ilire, që do të thotë se bartësit e saj, arbrit, janë shqiptarë të hershëm, pasardhës të ilirëve. Zbulimet e bëra në Delmace të Komanit i hapën rrugë një rindërtimi arkeologjik dhe historik, duke u bërë një pikë reference për mënyrën e zhvillimit të Ballkanit Perëndimor në shekujt VI-XIII pas Krishtit.

Gërmimet arkeologjike në Koman janë bërë fillimisht në vitin 1898 nga Konsulli i Francës në Shkodër, Degrand. Nga ato gërmime u gjetën varrezat e mesjetës së hershme, mbi të cilin u bë ndërtim shkencor i njohur si Kultura e Komanit, që e bënte lidhjen e shqiptarëve si pasardhës të arbërve dhe ilirëve. Për më se një shekull,varrezat e Delmacës kanë qenë në qendër të vëmendjes së arkeologëve të huaj dhe atyre shqiptarë.

Në Europën Perëndimore, gjetjet në këto varreza u bënë të njohura me emrin “Kultura e Komanit”, përderisa sllavët dhe osmanët e kishin rrënuar dhe humbur atë kulturë shumë herët. Delmace është një fshat i Komanit në një lartësi mbidetare 568 metra. Kështjella e Delmacës dhe Kisha e Shën Kollit shikuar kalimthi dhe si zbulim i rëndësishëm për historinë tonë, janë lënë përgjysmë për 50 vjetët e kaluara. Delmace me rrethinë është shumë mahnitëse me fshehtësinë e vet ende jo krejt të zbuluar.

Emrin Delmace e gjejmë kryesisht në shkrime ku i njohuri për ne, studiuesi Hahn e krahason me shqipen dele, delmer, bari delesh. Emri Delmace bashkë me gjetjet arkeologjike në varreza e dëshmojnë vazhdimësinë ilire-arbërore në malet e Dukagjinit, si Pukë- Iballë-Spas. A. Dhima e sheh vazhdimësinë edhe në tiparet antropologjike të arbërve të shek. VI-VIII, në banorët e Pukës në masën mbi 70 për qind.

Hulumtuesit kanë studiuar në fushën e toponimeve të Delmacës e sipas Xhemal Meqit, dallohen: Varrezat e Delmacës, mbi një rrafshinë në jug të kështjellës, Qafa e Delmacës në mes të Kodër Varrezë te Majës së Cungut të shkëmbit të kalasë, Kështjella e Delmaces 4 km në lindje të Komanit, Kroni i Delmacës i humbur mes gurësh, ana perëndimore e Kodër Varrezës e njohur si Masdelmace, Gryka e Delmaces në veriperëndim të Masdelmaces.

Delmace, duke qenë një vend malor, kur rrethanat ishin të favorshme historike të shek. VI-VIII u bë një qendër me përmasat e një “kulture qytetare” (H. Spahiu “Gjetja e Delmaces” 1971).

Sipas arkeologes, Etleva Nalbani, kërkimet shkencore për jetën e Mesjetës së hershme në Kalanë e Delmaces shtrihen në një sipërfaqe prej 2.500 metrash katrorë.

Aty janë të vendosura në forma tarracash mbi 35 banesa prej guri. Zbulime të rëndësishme e me vlerë janë edhe ato të 300 varreve e që japin shenja edhe për njëmijë varre tjera të pa hapura në atë lartësi mbidetare. Zbulimet e tilla e klasifikojnë Komanin edhe si qendër të referencës së mësimit në të gjithë Ballkanin.

Komani si i tillë i banuar nga popullata ilire ka qenë një nga metropolet e Ballkanit Perëndimor.

Në kalanë e Delmaces gjenden toponimet e katër kishave si ajo e Shën Kollit, Shën Gjergjit, Sën Mëhillit si dhe Kisha e Zonjës së Mirë. E gjithë kjo tregon se sa e madhe ishte shtrirja e këtij qytetërimi të hershëm, por edhe me rëndësi kishtare e kulturore të Krahinës së Pultit të Sipërm. Zona e epërme e Pultit së bashku me kalanë e Delmacës në bazë të shënimeve dhe fakteve, toponimeve të mbledhura, kanë qenë qendrat më të mëdha të krishterimit në këtë rajon.

Për Kishën e Shën Kollit kemi të dhëna shumë me vlerë nga Gjergj Bardhi,1634, arqipeshkëv i Tivarit dhe ipeshkvi i Sapës, Frang Bardhi më 1637. Sipas tyre, famullia e Shën Kollit ishte për tre fshatrat në Koman, Bytyç (Mtyçi Buzhalës), Qerreti i vogël dhe Delmace. Gjergj Bardhi shkruan me 1634 se “ në Shën Koll janë shenjat se përpara kishte qenë vend i dalluem…”, ndërsa Frang Bardhi vazhdon “me sa kuptohet, këto shenja janë gjurmë të një zhvillimi të hershëm që dalloheshin ndër vendet tjera të Maleve të Pukës, Iballes dhe Spasit. Me gjithë ekspeditat ndëshkues osmane në këto male, në Shënkoll kishte ende begati të dukshme…”.

Të shkelësh për herë të parë në këtë vend është vështirë të bësh lidhjen mes pamjes mahnitëse ku përpara ke Shurdhanë, Danjen dhe Rozafën dhe shkel mbi qytetërimin e Mesjetës së hershme, që ka shumë për të na rrëfyer.

Dikur flitej për varrezat misterioze të veriut, por më 6 janar 1898 konsulli Degrand e dha njoftimin i pari për Kulturën e Komanit, por edhe vjedhjen e 130 objekteve arkeologjike që i dërgoi në muzetë e Parisit. Historiani gjerman Treger, në vitin 1900 i hapi 10 varre dhe gjetjet i çoi në Berlin.

Me 1924, arkeologu italian Ugolini i hapi disa varre tjera dhe “i mori do materiale për studime të mëtutjeshme”. Studiuesja më e madhe shqiptare ka qenë Hana Spahiu me punën e së cilës u formua teza e Komanit si kulturë më vete. Fakti i një vendbanimi i provuar në mënyrë shkencore nga arkeologët tanë se populli që dikur rronte në kala, rrënjët e tij i ka të thella që arrijnë deri tek ilirët e hershëm.

Fakti që vendbanimi ishte prej guri, faktet që përdorej metali, ndërtimi i shumë kishave, varrimet e të vdekurve që bëheshin me rroba e stoli, flasin qartë për zhvillimin ekonomik tejet të lulëzuar në kohën e të parëve tanë.

Pastaj pasuan gërmime të tjera që shpërndanë gjetjet arkeologjike në vazhdim nuk përfshinë: kështjellën, kishën e Shën Kollit me kishat e Shën Teodorit në kështjellë, të Shën Gjergjit në Vl. të kështjellës, të Shën Mëhillit në jl, të Shën Gjonit afër kodër vorrez të Shën Ndreut në lagjen “Dobra”.

Ndërprerja e zbulimeve arkeologjike në vitet ‘80 është një faj i pafalshëm shtetëror. Kisha e Shën Kollit me kishat e tjera në afërsi me ndërtimet në kështjellë të Mesjetës së Mesme flasin për një vazhdimësi ekonomike, shpirtërore e kulturore në këtë zonë e më gjerë, deri nga fillimi i Mesjetës së vonë kur pushtuesit osmanë e ndërprenë përfundimisht këtë zhvillim.

Sipas Aleksandër Stipçeviqit, “Kultura e Komanit është kultura e një populli që në shek. VI-VIII ishte një kapërcyell i të dy epokave, nga ajo e vonë antike, në periudhën e hershme mesjetare. Tipologjia e varreve, orientimi i tyre, inventari i armëve, i veglave të punës dhe i stolive, me praninë e shumtë të simbolikës ilire, e lidhin “Kulturën e Komanit” me të kaluarën ilire të këtyre trojeve dhe me banorët e lashtë të tyre, ilirët”.

Duhet të mburremi jo vetëm me zbulimin e varrezave, por të mburremi edhe me krenarinë për një qytetërim të hershëm që të tjerët na e kanë zili. Kultura e Komanit pasqyron shumë bukur mbijetesën pagane dhe atë të krishterë të të parëve tanë.