Kukan: “Shtetet anëtare kur marrin vendime të tilla shohin së pari marrëdhëniet e tyre bilaterale me vendin në fjalë”

Raportuesi në hije për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Eduard Kukan ka folur në një intervistë për ABC News lidhur me hapjen e negociatave të anëtarësimit. Ai nënvizon se diplomacia shqiptare duhet të bëjë ç’është e mundur për të bindur vendet skeptike të Unionit deri në vendimin e Këshillit të Qershorit.

Cilat janë pritshmëritë nga samiti i Sofjes në planin politik të rikonfirmimit të zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit, por edhe në atë të projekteve të ndërlidhjes? A pritet të mbështeten projekte të rëndësishme në Sofie?

Ne kemi pritshmëri të madhe realiste nga Samiti i Sofies, duke qenë se presidenca bullgare nuk i ka fshehur ambiciet për një event të madh. Samiti i Sofies i 17 Majit konsiderohet si eventi tjetër i rëndësishëm për vendet e Ballkanit pas atij të Selanikut, që mbetet në histori si një datë e rëndësishme për perspektivën europiane të vendeve të Ballkanit. Ju u shprehët saktë kur folët për rikonfirmim të perspektivës europiane. Ne presim pikërisht rikonfirmimin e institucioneve europiane për t’i dhënë kredibilitet zgjerimit të ardhshëm të Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit. Dhe ne presim që dokumenti final apo deklarata e samitit të konfirmojë këtë gjë në gjuhën më të fortë të mundshme. Mendoj, se kjo do arrihet, pavarësisht problemeve që janë shfaqur midis përfaqësueseve të vendeve anëtare të BE-së, apo jo anëtare. Sigurisht, që kredibiliteti i zgjerimit shkon dorë për dore me projektet konkrete. Të arrish deklarata të bukura politike është e rëndësishme, por nuk e dimë nëse do të ketë projekte konkrete që do dalin nga samiti i Sofies. Gjithsesi dokumenti do jetë i rëndësishëm dhe projektet mund të vijojnë në një të ardhme të shkurtër.

Komisioni i punëve të jashtme mbështeti plotësisht rekomandimet e Komisionit Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë në BE. Edhe gjatë vizitës së Presidentit të Këshillit Europian, Donald Tusk në rajon, u konfirmua se progreset e bëra nga dy vendet janë të mjaftueshme për të filluar negociatat e anëtarësimit. A jemi aktualisht në këtë fazë?

Jam dakord me vlerësimin e zotit Donald Tusk. Mendoj, se para vizitës së tij në Ballkan, ai është konsultuar edhe me institucionet e tjera europiane. Vizita e tij në rajon duhet parë si një tjetër konfirmim, se ne e marrim zgjerimin e Bashkimit Europian seriozisht dhe nuk mund të lejojmë humbjen e kredibilitetit të Bashkimit Europian që filloi të ndihej në gjirin e vendeve të Ballkanit. Pra, është një tjetër hap për të arritur në këtë fazë, por nuk jemi ende aty.

Presidenti Tusk tha gjithashtu, se qëndrimi i shteteve anëtare është një sfidë më vete. E dijmë që ka disa shtete anëtare skeptike për Shqipërinë. si Gjermania, Holanda, Franca, ndërkohë që Greqia pret gjithashtu marrëveshje për çështjen e paktit detar. Çfarë duhet të bëjë Shqipëria për të bindur këto shtete anëtare skeptike deri në fund të Qershorit?

Këtu ka dy pika. Progresi në Shqipëri dhe Maqedoni ishte i dukshëm dhe mund të themi që Komisioni Europian vëzhgoi me shumë vëmendje situatën dhe rekomandimi i dhënë për të dyja vendet ishte pasqyra më  e mirë, më objektive dhe më e ndershme ndaj situatës në Shqipëri dhe Maqedoni. Pika tjetër është që autoriteti që merr vendimin është Këshilli Europian, që përbëhet nga shtetet anëtare të Bashkimit Europian. Sipas përvojës, në përgjithësi, shtetet anëtare kur marrin vendime të tilla shohin së pari marrëdhëniet e tyre bilaterale me vendin në fjalë dhe jo nëse vendi ka përmbushur kriteret që janë përcaktuar në nivelin europian. Vendimi merret shpesh në bazë të marrëdhënieve bilaterale, që në këndvështrimin tim është diçka e gabuar, por ky është vendimi i shteteve anëtare sovrane. Siç i kam thënë edhe në Shqipëri kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, ata duhen të fokusohen tek vizitat në këto vende dhe të përdorin argumentet e tyre më të mira politike, por dhe sharmin e tyre. Sharmi në politikë është gjithnjë i rëndësishëm. Kjo po ndodh. Kam ndjekur që kryeministri ka vizituar Berlinin dhe është takuar me kancelaren Angela Merkel. Ne nuk e njohim ende qëndrimin zyrtar të Gjermanisë, por dimë jozyrtarisht se janë në fazën e përgatitjes, se cili do jetë vendimi i tyre për Shqipërinë. Pastaj është Franca dhe Holanda. Duhet thënë që Holanda  tradicionalisht është shumë e vështirë në këtë aspekt, por për arsyet e duhura. Kur flasim me holandezët, ata tregojnë që investojnë shumë para për zgjerimin dhe duan të dinë nëse këto para janë përdorur në mënyrën e  duhur. Prandaj kanë një qasje të një kontrolli strikt. Por nëse paraqiten prova bindëse, ata bien dakord. Diplomacia shqiptare duhet të përqendrohet për kohën që mbetet deri në Këshillin e qershorit në intensifikimin e marrëdhënieve bilaterale me vendet skeptike dhe të bëjë ç’është e mundur për të bindur këto vende deri në vendimin e Këshillit të Qershorit.