Kujtesë në nderim të “Mandelës së Kosovës” – Adem Demaçi: E kam zemrën plot me plagë

Me rastin e shuarjes së veprimtarit dhe atdhetarit të shquar të çështjes kombëtare, po e ribotojmë intervistën dhënë Telegrafit para disa vitesh, ku përgjigjet e tij, mbesin gjithmonë udhërrëfim për gjenerata e gjenerata. Lavdi, jetës dhe veprës së tij!

Intervistoi: Gazmend Kajtazi

Është shqiptari të cilin më së shumti e ka mbajtur në burg Serbia. Por ai ka mbetur i pathyeshëm, i papërkulur dhe i pa dorëzuar përballë hegjemonizmit serb.

Adem Demaçi ka qenë emër “i ndaluar” për shumë dekada nga shqiptarët, por edhe sot vazhdon të mbetet personaliteti më i nderuar shqiptar jo vetëm në Kosovë.

Baca Adem, në këtë rrugëtim 100 vjeçar të pavarësisë shqiptare, gati 30 vjet i keni kaluar në burg. A konsideroni se jeni më krenar apo me i “varfër” për këtë sakrificë tuajën jetësore për popullin shqiptar?

Unë, edhe sikur të jetoja për së dyti, këtë rrugë do ta zgjidhja, sepse edukata e nënës, mësuesve, arsimtarëve të mi, ka qenë në frymën që atdheu, kombi është mbi të gjitha. Kam pas fat që i kam dëgjuar ata, por edhe fat që Serbia bëri gabimin që më futi nëpër këto kanale të luftës për liri dhe pavarësi. Kështu, kam investuar jetën time mu aty ku duhet. Investimi për kombin, është investimi më i mirë, i cili nuk zbehet kurrë dhe s’ka mundësi të harrohet dhe asgjësohet. Të gjitha të tjerat vijnë e shkojnë.

A mund të na riktheni edhe njëherë në atë kohë? Si është ndjenja e guximit që t’i dalësh përballë një regjimi të egër serb pa patur frikë nga pasojat personale?

Njeriu nuk lind trim, por as pa trim, rrethanat e krijojnë. Unë e kam pasë një nënë shumë burrneshë, shumë atdhetare, e cila ka kaluar nëpër shumë katrahura të ndryshme. Ajo, mbante në mend kur ka ra Serbia e parë, e dytë, Serbia e tretë; mbante në mend kur ia kanë vra katër axhallarë në oborrin e shtëpisë; kur kanë hyrë forcat e Serbisë më 1912, pastaj e kam pasë mësuesin atdhetar dhe arsimtarët e paktë që atëkohë kanë qenë me normale të Elbasanit. Në fund, jam shoqëruar me Esad Mekulin, i cili më futi në rrugën e letërsisë dhe më ka frymëzuar si njeri i cili fliste pak, punonte shumë, nuk kërkonte për vete asgjë, flijohej për kombin. Kështu, e kam pasë një varg ndikimesh, trajtimesh nga rrethi im ku kam jetuar dhe gjithashtu politika barbare, e padrejtë e shfarosjes që ka ushtruar Serbia.

E mbaj mend si fëmijë, kur afër shtëpisë sonë, jo më shumë se një kilometër pushkatoheshin njerëzit herët në mëngjes. Të gjitha këto së bashku më kanë bërë mua ta kuptoj se dikush duhet të flijohet për kombin dhe falënderoj edhe Serbinë që më zgjodhi pikërisht mua. Ata më zgjodhën për të frikësuar të tjerët, menduan se jam pikë e dobët, më vlerësuan gabimisht. Unë, atëherë hyra në atë luftën politike, pa dashjen time, por kur hyra nuk desha të dalë në gjysmë të rrugës.

Nëse do ta lexoni romanin tim “Dashuria kuantike e filanit”, do ta shihni se kam vendosur të vdes. Formalisht veten time e kam kallë dhe çdo herë kam thënë se unë jam i vdekur. Çka mund të jetë diçka më keq se vdekja dhe, i vdekuri nuk mërzitet për asgjë, as për kërcënime, as për burgosje, as për kurrgjë.

A keni pasur ndjenjën ndonjëherë se po e shtyni “bjeshkën me gjoks” po i bëni ballë një shteti me mekanizmat e egër policor e ushtarak duke e luftuar atë duarthatë?

Unë e kam pasë edhe një fat tjetër që shkollimin, gjimnazin e kam bërë me themel, ne gjërat i kemi mësuar me pjekuri të madhe. Qysh atëherë kam pasë mundësi që të mendoj dhe t’i shikoj gjërat në zhvillim, në ndryshim, e jo të shtanguara.

Më kujtohet dita kur shkoi Jugosllavia e vjetër, kur hyri e shkoi Italia, erdhi Gjermania…Punët i shikoja në lëvizje, ecje, dhe atë shtet që ishte në të vërtetët një burg i popujve, e kam përjetuar si diçka që dalëngadalë po vdes, sepse gjithnjë e më tepër po zgjat jetën dhe praninë e vet në hapësirën tonë me dhunë. Ky ishte treguesi më i mirë për mua se ky shtet do të mbarojë.

Edhe historinë e kam mësuar me shumë prirje, me shumë lezet. Si i vogël, kam qenë i pjekur, i kam shikuar punët drejt, ashtu siç duhet.

A ju ka burrnuar jeta në burg?

Burgu, është një provë e madhe. Nëse vendosni të vdisni para se me ra në burg, atëherë është pak më lehtë. Por, kam pa të tjerët si janë plakur, si janë mërzitë, si brengoseshin, humbnin nervat, etj., sepse aty njeriu vdes një herë, dy herë, tre-katër herë…

Të paktën, ai sistem i burgjeve ka qenë i tillë. Ata, janë munduar me mjeshtëritë e tyre të përsosura që të na e hanë shpirtin, të na shkatërrojnë fizikisht edhe shpirtërisht. Ka qenë një makineri shumë dërmuese, shkatërruese, por për fat unë dhe shokët e mi, edhepse ka pasë situata të ndryshme, kryesisht kemi kaluar mirë.

A do të ishit më i madh se sa që jeni sot po të mos ishit në burg, apo burgu ju ka bërë më të madh se sa që do të ishte Adem Demaçi një gazetar apo shkrimtar?

Unë mendoj se ia kam pa hairin Serbisë që më ka futë nëpër këto kanale të cilat për ata që janë shikues nga jashtë duken sikur ka qenë një vuajtje, një fatkeqësi e madhe, etj. Por, unë mendoj se ajo ka qenë fat për mua se do të isha njëfarë shkrimtari…, ndoshta as shkrimtar sa duhet nuk do të isha, sepse vetëm kur njeriu bie në burg, atëherë e njeh sistemin nga brenda.

Pa hyrë nëpër burgje, pa pasur punë me ata që janë në të vërtetë skeleti i pushtetit, nuk mund ta njohësh atë shtet. Pastaj nëpër burgje kisha kohë të lexoj më shumë, të koncentrohem më shumë, të mendoj më shumë. Nga ato 28 vjet burg, 5 vjet e gjysmë kam qenë vetëm, në izolim të rreptë. Nuk kisha kurrfarë kontakti me të tjerët, vetëm kur e sillnin ushqimin, gazetat ose librat. Këto më kanë bërë të mundur që të hy në një filozofi dhe në një meditim pa dijen time, sepse vetmia e gjatë, qetësia, e kanë bërë të veten.

Unë shpesh kam lënë mendimet e mia të rrjedhin, të rrjedhin, dhe ajo kërkohet nga kjo filozofia të cilës i përkas edhe unë, filozofia e mundësive të pakufishme. Kur kam dalë pastaj jashtë, jam takuar me Hetemin, djalin e mikut tim, Rexhep Ramadani. Ai, atëherë më njoftoi me këtë filozofi, me bartësin kryesor të kësaj filozofia Deepak Chopra, nga India në Amerikë.

Mua më kanë ndihmuar shumë rrethanat, që prej një qytetari të rëndomtë, njëfarë shkrimtari, sot jam një njeri tjetër, me cilësi tjera, sepse njeriu që merret me punë të mëdha, atëherë edhe bëhet i madh dhe e kundërta.

Kur keni dalë nga burgu populli ka pritur në rend për t’ua zgjatur dorën. A mendoni se Adem Demaçi se edhe sot ekziston në popull ndenja e respektit ndaj jush si në ditët e para të daljen nga burgu?

Edhe kjo shkon valë-valë, nganjëherë respekti rritet, nganjëherë zvogëlohet. Varet në çfarë trajtimesh gjendesh dhe sa është e vërteta e lejuar që të qarkullojë për Adem Demaçin. Ka pasë faza që Adem Demaçi ka qenë i përcjellur, por edhe i penguar që të afirmohet. P.sh., e kam dhënë një intervistë të gjatë dhe shumë të rëndësishme në shkurt të vitit 1992 në televizionin e Beogradit, por këtu në Kosovë rrethanat ishin të tilla që nuk pat publicitet ajo intervistë. Ishin ata që u pengonte Ademi që do të kishte kredibilitet në popull, etj. Është bërë luftë që të më zvogëlohet simpatia, besimi, etj.

Keni bërë disa lëvizje “poshtë e lart”, u bëtë kryeredaktor i Zërit, kryetar i një partie politike, zëdhënës i UÇK-së, por sikur në asnjë pozitë nuk u rehatuat krejtësisht. Prej nga ky shpirt i “parehatuar” i Adem Demaçit?

Nuk është kjo punë rehatie, por “Zëri” kishte rënë në krizë dhe më ftuan mua. E drejtova këtë revistë një vjet e diçka. Mirëpo, Serbia duke e parë që po shkon puna mirë dhe po ka sukses, na ndaloi. Ishte ajo greva 11 ditëshe që bëra unë, atëherë. Nuk patëm mundësi që ra ngjallnim pastaj “Zërin”.

Në Partinë Parlamentare kam qenë i ftuar disa herë, por nuk e shihja të arsyeshme. Megjithatë, ndodhën disa gjëra që është shumë gjatë të hymë në ato shpjegime. Kur u ktheva nga perëndimi kërkova ndihmë, ndihma nuk m’u dha, e pashë që nuk ka rrugëdalje tjetër vetëm që ta shndërrojmë këtë parti në një parti që do të jetë njëfarë mbështjellësi i lëvizjeve të vogla që në i dinim që po zhvilloheshin në Kosovë.

Ishin veprimet e para të UÇK-së, më ftuan në momentin kur edhe vet isha i gatshëm, shkova me qëllim që të bënim një pjesë e udhëheqjes politike të luftës që po përgatitej. Më ftuan në Tiranë dhe më propozuar të bëhesha përfaqësues i Përgjithshëm i UÇK-së dhe ta organizoj një Asamble të Kosovës. Unë i pranova këto detyra dhe automatikisht ngeli puna e partisë, sepse nuk mundja të punoja në dy vende.

Nuk është punë rehatie, por unë kam shkuar nga vendi në vend, aty ku ka qenë nevoja më e madhe dhe jam munduar të jap maksimumin.

Shumë procese të viteve të fundit në Kosovë ju i keni kundërshtuar. Madje edhe në kohën kur ishit zëdhënës i UÇK-së dolët kundër qëndrimit të shumicës së përfaqësuesve në Rambuje për të mos nënshkruar marrëveshjen. A vazhdoni të mbani qëndrimin se kjo Marrëveshje nuk ka qenë dashtë të nënshkruhet?

Unë kam qenë i bindur që Serbia ka për ta pranuar atë marrëveshje dhe në qoftë se nuk do ta pranonte, ne sot do të ishim nën Serbi. Ishte një punë fort e rrezikshme që të hyhej në ato bisedime, sepse aty kanë qenë 10 pika të panegociueshme dhe, ndër to, pika e parë ka qenë që të pranohet Jugosllavia si shtet yni; të pranohen konkluzat e Helsinkit, që thonë nuk ka ndryshim të kufijve pa pëlqimin e palës tjetër; të pranohej Kosova si një territor i etniteteve të barabarta, pa i përmendur në asnjë rast shqiptarët si shumicë, dhe gjithë ato shtatë pika të tjera në këtë frymë. Kjo do të ishte një lloj autonomie që nuk do të kryente punë, prandaj unë dhe Albin Kurti, si sekretar i zyrës, nuk u pajtuam. Asgjë më pak se pavarësia, kurse të gjithë faktorët e jashtëm (edhe amerikanët, francezët, etj.), ishin të mbërthyer se na mjaftonte autonomia.

Unë shkova te Robin Kuk, e mora ftesën, pastaj ai më njoftoi që të njëjtën ia kishte dorëzuar edhe Rugovës, i cili e kishte nënshkruar pa e lexuar fare. I thashë pastaj Albinit, thuaji Kukut që unë nuk jam i mençur si Rugova ta nënshkruaj pa e lexuar. Të nesërmen me Albinin shkuam në Shtab. Pasi ai ua përktheu 10-pikëshin që duhej nënshkruar në Shkup nëse duam të shkojmë në Rambuje, ata na thanë se ende nuk kishin qëndrim të vendosur. Ishte aty edhe Ramë Buja, i cili e lexoi dokumentin. Po them edhe një herë, Zoti na shpëtoi që Milosheviqi nuk e pranoi atë propozim.

Herën e dytë filluan të ashpërsoheshin kriteret pak. Në Slloveni unë dhe Hashimi patëm disa takime me Dërnovshekun dhe të tjerë, pastaj me Ollbrajtin në Rambuje. Pas një bisede 45-minutëshe, ajo thoshte se do të bëhej një gjakderdhje e madhe në qoftë se ju nuk e pranoni dokumentin. Unë e bëra me dije se ne ia kemi filluar luftës dhe pa pavarësi nuk ndalemi. Nuk u pajtuam me të dhe në një vend tjetër, vazhduam bisedën vetëm unë dhe Hashimi. Ai më tha se të gjithë e kanë pranuar marrëveshjen dhe se ai kishte mbetur vetëm. Këmbëngula që ai të mos pranojë, porse këtë nuk e bëri, sepse, ndryshe do të largohej nga loja politike. Këta e vazhduan dhe erdhën këtu ku jemi.

Ju nuk jeni as me Vetëvendosjen, as me PDK-në, as me AAK-në e pothuaj përherë kundër LDK-së. Cila është preferenca politike e Adem Demaçit, po të kishit një parti politike?

Unë jam me krahun e luftës, se pa këtë luftë e cila u bë edhe me 100 gabime, ne sigurisht do të ishim nën Serbi. U bë lufta me viktima të shumta, por megjithatë, erdhën deri këtu edhe falë amerikanëve. Erdhën këtu Robert Gelbart Holbruk, mundoheshin të na bindnin për autonomi. Unë kam qenë ai që dy herë i kam dështuar këto përpjekje, ndërsa Holbruku kishte thënë, “mos ma qitni këtë njeri më përpara se s’dua ta shoh”. Por, më vonë pranuan kompromisin.

Serbia nuk u soll si duhet, u mërzit Amerika dhe Bushi në Krujë dha sinjalin për ta shpallur pavarësinë. Shpallja e pavarësisë sonë ishte formalisht shkelje e rezolutës 1244. Kjo me të vërtetë ishte një kthesë e madhe historike për ne.

Çfarë keni mësuar dukë qëndruar më pranë politikës dhe njerëzve të pushtetshëm?

E kam mësuar një punë të keqe, se pushteti i prish njerëzit, sepse duke u thënë Zoti kryetar, zoti kryetar, po sillen ndryshe, po ndahen nga njerëzit, po tjetërsohen, po bëhet tjetërfare, nuk po i njohin shokët e vet të luftës, as të tjerët. Kështu, pushteti është një punë shumë e rrezikshme.

Si shpjegohet që njerëzit që magjepsen më shumë prej pushtetit janë ata më të paaftët? Ka kjo lidhje me kulturën e njeriut!

Po, ka lidhje, me kulturën e tij, edukimin, me vetëdijen e tij. Mirëpo, ka edhe përjashtime që janë treguar. E kemi ne kështu, Fan Nolin, njërin nga atdhetarët e mëdhenj i cili u përpoq për Shqipërinë. Dështoi disa herë dhe kur Enveri me të tjerët fituan luftën, e ftuan të kthehej dhe të bëhej kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, ai u tha: “Luftën e bëtë, e fituat dhe vazhdojeni ju”.

Si duket një ditë e Juaja në moshën e bardhë?

Jeta ka kërkesa të shumta, ka provokime të shumta, të mira e të këqija, po unë jetën e pranoj jetën ashtu siç është. Kërkesat e mia janë të vogla, ushqehem thjeshtë, vishem poashtu thjeshtë.

Jetën e kaloj pa shqetësime të njerëzve të vegjël, që shqetësohen për gjithçka. Çfarëdo që ndodh, unë e pranoj dhe bëj atë çka është e mundur…

A mund të na shuani kureshtjen që shoqëron lexuesin. Sa lexon Adem Demaçi?

Unë vazhdimisht kam libra te koka, por e kam një libër që e lexoj herë pas here, librat e studiuesit Chopra, të cilat sa herë i lexoj, gjej gjëra të reja, por jam vazhdimisht edhe me libra të tjerë… /Telegrafi/