Kryetarja e Senatit të Holandës, Ankie Broekeres: Në Qershor 2019, Shqipëria hap negociatat

Kryetarja e Senatit të Holandës, Ankie Broekeres – Knol është shprehur e bindur se Shqipëria do të hapë negociatat Qershorin e vitit 2019.

Gjatë një takimi në Tiranë me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi, Ankie Broekeres – Knol vlerësoi punën e bërë nga qeveria shqiptare, sidomos sa i përket reformës në drejtësi.

“Shqipëria është një vend europian, i përket familjes europiane. Jam e bindur se deri Qershorin e vitit 2019, ju do t’i keni përmbushur të gjitha detyrimet tuaja në lidhje me ato që duhet të bëjë Shqipëria për hapjen e negociatave. Jam e impresionuar nga puna që ka bërë Shqipëria deri tani. Do të veçoja gjithë punën e bërë me reformën në drejtësi. Jam e bindur që vitin tjetër në Qershorin e vitit 2019 ju do të hapni procesin e negociatave”, deklaroi kryetarja e Senatit të Holandës.

Holanda është një nga tre shtetet e Bashkimit Europian, të cilat nuk ishin dakord që Shqipërisë t’i hapeshin negociatat e anëtarësimit këtë vit, duke e shtyrë procesin për në Qershorin e vitit 2019.

o.j/dita