Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi: Rama mund të qeverisë shtëpinë e tij me kriminelët, por jo Shqipërinë

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka zhvilluar dje një takim me strukturat e LSI në Pogradec. Takimi zhvillohet në kuadër të nisjes së turit të organizimit dhe strukurimit të LSI në të gjithë Shqipërinë. Kryemadhi shoqërohej në këtë takim nga Sekretari i Përgjithshëm i LSI Endrit Braimllari dhe deputeti i LSI i Qarkut Korçë, Edmond Panariti.

Duke u ndalur në rezultatin e zgjedhjeve të 25 qershorit, ajo tha se rezultati i LSI ishte në rritje në të gjithë Shqipërinë dhe se Pogradeci ishte një nga zonat me rritjen më të madhe të saj. Kryemadhi tha se LSI është një parti që do të vazhdojë të jetë pranë njerëzve dhe se dyert e saj do të jenë të hapur për të gjithë ata intelektualë, profesionistë, të rinj dhe të reja që duan ta ndërtojnë të ardhmen e Shqipërisë.  “Ne duhet të jemi të përgatitur për ti hapur dyert për LSI-në, për ti pranuar këta njerëz që ata të gjejnë veten. Të mos ndihen të huaj, por të ndihen të përfshirë. Është shumë e rëndësishme përfshirja e këtyre njerëzve që do të vijnë. Ne kemi nevojë për intelektualë, ne kemi nevojë për profesionistë. Kemi nevojë për vajza të reja dhe djem të rinj, që ndonëse nuk kanë eksperiencën, kanë energjinë, kanë vrullin, kanë entuziazmin kanë dëshirën, kanë ëndrrat për të realizuar në vendin e tyre”, tha Kryetarja e LSI-së.

Nga Pogradeci Monika Kryemadhi iu kundërpërgjigj deklaratave të kryeministrit Rama. Kryetarja e LSI tha se Rama ka zgjedhur të ketë në krah jo njerëzit e thjeshtë, por anëtarët e krimit të organizuar.  Ajo theksoi se Rama mund të zgjedhë të qeverisë shtëpinë e tij me kriminelët, por jo Shqipërinë. “Kriminelët që Edi Rama ka zgjedhur për t’i pasur në krah nuk kanë për ta mbrojtur dot. Epoka e sundimit të krimit të organizuar do të marrë fund. Më mirë të kesh një infermiere, një këngëtar, një mësues, një shtëpiake, një pensionist dhe një të papunë për ta patur në krah, se sa një vrasës, një tutor prostitutash, një trafikant armësh apo trafikant droge që po drogojnë fëmijët e Shqipërisë”,- tha Kryetarja e LSI. “Është më e ndershme të kesh një të papunë ta kesh shok e mik, te rrish e te punosh me ta, se sa të jetosh me kriminelët që Edi Rama ka zgjedhur për të drejtuar Shqipërinë. Edi Rama mund të qeverisë shtëpinë e tij me kriminelët, por Shqipërinë jo”, tha Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi.