Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për gazetën zvicerane “Schweiz am Wochenende”: “Nuk na duhen kuazi-diplomatë kosovarë, as emisarë të huaj që na shohin si Palestinën”

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti i ka dhënë një intervistë gazetës zvicerane “Schweiz am Wochenende” në prag të 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Në vijim disa nga përgjigjet e tij. “Ne sot jemi të pranuar prej 115 shteteve si komb i pavarur. Ky është një sukses i konsiderueshëm. Por sa i përket kohezionit të brendshëm, këtu qëndrojmë larg pritjeve”.

Për Eulex-in dhe OKB-në

“Eulex-i është këtu qe gati 10 vite. Detyrë e tij ka qenë të luftojë korrupsionin. Kanë mbledhur shumë fakte dhe dëshmi. Por s’kanë bërë asgjë! Ose nuk i marrin detyrat seriozisht, ose janë të njëanshëm. Sidoqoftë: Eulex-i ka dështuar. (…) Sören Jessen-Peterseni, shefi i dikurshëm i Misionit të OKB-së në Kosovë, njëherë ka thënë në televizion se çdo mbrëmje para një arrestimi të planifikuar të një <peshku të madh> merrte një thirrje nga niveli më i lartë me urdhrin që të heq dorë nga aksioni. Kjo ju tregon se OKB dhe BE janë të gatshme të sakrifikojnë çdo gjë për hir të gjoja stabilitetit – madje edhe sundimin e ligjit”.

Për mungesën e llogaridhënies

“OKB, BE dhe NATO kanë një imazh ultrakonservator të Kosovës. Përherë mendojnë se si mund të evitojnë më të keqen, por nuk zhvillojnë ide se si mund të përmirësohen gjërat në aspektin afatgjatë. Fizikisht dhe kronologjikisht Eulexi dhe Kfori kanë arritur në kohën e tanishme. Por mendësia e tyre ka mbetur e varur në fazën e paraluftës. Më e keqja është se ushtrojnë pushtet ekzekutiv, por s’japin llogari. As Eulexi, as udhëheqja e Kforit nuk kanë raportuar kurrë para parlamentit të Kosovës”.

Mbi përkrahjen ndërkombëtare

“Ende kemi nevojë për përkrahje ndërkombëtare. Por nuk na duhet askush për të na disiplinuar me ushtarë, policë dhe gjykatës. Na duhet dikush që seriozisht na mbështetë për t’u bërë shtet i pavarur. Përherë kjo fjala e <menaxhimit të konflikti>: kjo implikon se konflikti është i përhershëm dhe duhet të mësohemi të jetojmë me të. Eulexi dhe Kfori na shohin me syze të <menaxhimit të konfliktit>. Ashtu siç na perceptojnë ata, na shikon edhe bota. Ky është një problem. (…) E kanë futur Kosovën në <vitrinën e krizave>, bashkë me vende si Palestina, Bosnja, Afganistani apo Iraku. Në këtë vitrinë Kosova është lart. Por ne duam të shkëputemi nga kjo, duam të jemi në <vitrinën e normalëve>. Është më mirë që te <normalët> të jesh në fund se sa te <krizat> në krye. Boll më, mos na krahasoni me Palestinën. Na krahasoni me Slloveninë!”

Mbi vrasjen e Oliver Ivanoviqit

“Vrasja e Ivanoviqit është çështje e brendshme serbe. Sipas mendimit tim nuk ka dyshim se pas kësaj qëndron Beogradi. Ka qenë e ditur se Ivanoviq kishte konflikt me presidentin serb Aleksandar Vuçiq. Ishte e paraparë që Ivanoviq së shpejti të dalë para gjyqit për krime të luftës. Në mënyrë paradoksale një kriminel është përherë edhe dëshmitar i një krimi, ai e di saktë se çfarë ka ndodhur – dhe para së gjithash kush ka qenë i involvuar. Për disa përfaqësues të elitës serbe kjo do të ishte e rrezikshme”.

Mbi papunësinë

“Problemi është shumë i madh. Vetëm çdo i katërti kosovar ka një vend pune. Te gratë çdo e teta. Madje amviset dhe studentët nuk numërohen fare, sepse qeveria i trajton ata si <ekonomikisht pasiv>. Problemi është ky: Kosova nuk prodhon pothuaj asgjë. Modeli ynë ekonomik është tepër i papërshtatshëm për t’u ofruar punë një numri të madh të njerëzve…”.

Për paratë e diasporës

“Paqen e brishtë në vendin tonë mund ta mbajmë vetëm falë parave nga diaspora. Pa këtë përkrahje shteti do të fundosej brenda tre muajve. Kosovarët e diasporës e mbajnë vendin në xhep. Po. Por, problemi është se paratë e tyre shkojnë në xhepat e qytetarëve privatë dhe nuk janë në dispozicion të shtetit për investime. Më së miri do të ishte nëse ata do të paguanin paratë në një fond të garantuar nga shteti, për të cilin vendos parlamenti dhe me të cilin do të mund të ndërtohej shteti në mënyrë të strukturuar. (…) Aktualisht edhe fondi ynë pensional 97 për qind të parave i investon në botën e jashtme. Ministrat tanë duan që në Kosovë të investojnë më shumë investitorë të huaj. Por ne as vetë nuk jemi aq të guximshëm për ta bërë këtë. Duhet t’i përveshim mëngët dhe t’i qasemi punës. Na duhet një agjenci zhvillimore dhe një bankë për zhvillim me kamata nën tre për qind. Tani për tani kamatat në Kosovë janë tepër të larta. Pothuaj nuk është e mundshme të marrësh kapital. Është tmerrësisht vështirë të ndërmarrësh diçka, dhe edhe më vështirë të zhvillosh diçka në aspektin afatgjatë. Në Kosovë vetëm vdekja është e lehtë”.

Mbi sistemin arsimor

“(Duhet) të reformojmë sistemin tonë arsimorë dhe t’u japim të rinjve atë që kanë nevojë: një arsimim të kërkuar nga ekonomia, me të cilin ata më vonë vërtet mund të bëjnë diçka. Aktualisht për çdo vit qindra kosovarë përfundojnë studimet në marrëdhënie ndërkombëtare dhe në diplomaci. Por Kosova i ka vetëm 25 ambasada. Nga t’ia mbajnë gjithë këta kuazi-diplomatë të rinj? (…) Po ju jap një shembull: në Kosovë kemi një fabrikë për prodhimin e djathit. Para disa vitesh ishim të detyruar të sjellim këtu një teknologë kroat të qumështit për të marrë përsipër punët në fabrikën e djathit, sepse ne nuk kishim asnjë ekspert në këtë fushë. Ne kishim vetëm diplomatë të rinj. Ata në të vërtetë dinë si të hanë djathë, por jo edhe si bëhet djathi”.

 

Mbi politikën që është bërë biznes

“Problemi është se njerëzit po e ngatërrojnë politikën me biznes. Ata mendojnë se politika është këtu që ata të pasurohen. Ata harrojnë se qëllimi është të kujdesen për të mirën e përgjithshme. Në Kosovë interesat private luajnë rol të madh kur merren vendimet politike. Për shembull gjatë vendimit se sa ministra duhet emëruar. Qeveria aktuale ka 21 ministra dhe 82 zëvendësministra. Janë më shumë se në Kinë. Ky është nepotizëm i qartë, shenjë e korrupsionit shtetëror. T’i shpërblesh anëtarët e familjes dhe veteranët e partisë me poste të tilla nuk është mënyrë e duhur për të ndërtuar një shtet demokratik të bazuar në sundim të ligjit. Pa asnjë humbje do të mund të shpërbëhej një e treta e ministrive”.