Kryesocialisti në një rrëfim ndryshe tregon kush janë “të besuarit” e tij: Investoj tek ta dhe pres të ma kthejnë

Rama flet për qeverinë e re: Do jetë e vogël dhe efiçente, do ketë emra të rinj

Kryeministri Edi Rama në një intervistë dhënë dje për InTV, ka rrëfyer për veten, jetën personale, por sigurisht edhe politikën. I pyetur për kabinetin e ri qeveritar që ka deklaruar se do jetë gati në gusht, kryeministri ka thënë se ajo që do të formohet do të jetë një qeveri e vogël. “Do bëjmë një qeveri të vogël besoj,  do punojmë që të zvogëlojmë numrin e agjencive, inspektoriateve, drejtorive, duke u mundur të rrisim eficencën dhe parimi kryesor i 4 viteve do jetë më shumë me më pak në cdo aspekt”- tha ai. I pyetur për emrat e ministrave, Rama është treguar i rezervuar. “Patjetër që do t’ua zbulojë, por nuk e kam akoma të qartë se kush do jetë ku”- tha ai. A do të ketë kabineti emra të rinj? Rama përgjigjet shkurt: Po emra të rinj, patjetër. Karriera politike, për një artist si kryeministri mund të krahasohet edhe me ngjyrat. Për Ramën, karriera e tij ka ngjyrat si e bardha, e zeza, bluja, e kuqe apo edhe e verdhë. Gjithsesi në mesin e këtyre ngjyrave ai veçon violetën. Në linjën e karrierës dhe vijimësisë së saj, pyetjes se si do donte që njerëzit ta kujtonin, kryeministri pohon “U përpoq, bëri sa mundi, mbase s’bëri aq sa deshi, por u përpoq”. Kryeministri shqiptar është shpesh protagonistë i debateve televizive. Por sa i ndjek ato, si një shikues?  0, fare! Rama tregon se informohet shumë pak çdo mëngjës për atë që shkruhet nga “kazanet” dhe se nuk ndjek debatet televizive, prej shumë kohësh. Ai pohon se është shumë rehat me zgjedhjen e tij.

Familja e kryeministrit

I ftuar dje në emisionin “Tek Unë me Arjola Shehun” në In Tv kryeministri Edi Rama ka folur jo vetëm për karrierën politike, por edhe për jetën personale, ai ka folur për raportet me bashkëshorten Lindën, nënën Anetën, dhe fëmijët. I pyetur se kush janë njerëzit e tij më të besuar, Rama nuk dha një përgjigje konkrete, por u shpreh se ai investon besim tek njerëzit dhe pret të kthehet besimi. Sa i përket pyetjes se kush janë njerëzit që ai ua mban mend ditëlindjen vetë pa ja kujtuar kush Rama tha se janë familjarët. Rama tha se pushimet do i nisë në datën 1 gusht dhe do i kalojë në Dhërmi. Në shtëpi, në aq pak kohë që kanë, kryeministri dhe zonja e tij preferojnë ta lënë politikën jashtë derës. I pyetur në programin “Tek unë” Rama tregon se në ekranin e tyre s’ka kurrë politikë, por filma, vizatimorët e Zahos ose të preferuarit e çiftit. Linda Rama ka në shtëpi edhe çelësat e ekonomisë, madje edhe me vet pikturat e kryeministrit, shitjet e tyre, merret ajo. Në këtë panoramë familjare, Edi Rama e përkufizon dashurinë si “arsyen më të madhe për të jetuar, shija më e mirë që ka jeta”. Kryeministri Edi Rama dallohet për urimet speciale të ditëlindjeve që u bën shpesh personazheve publik. Ai tregon se për këtë ka një staf që kujdeset edhe pse gjithçka kalon në sitën e tij. Por ditëlindjet e kujt nuk harron kurrë kryeministri? Linda, Zaho, Gregori, Rea, Aneta dhe Olsi! Këto janë njerëzit, datat e të cilëve Rama kurrë nuk harron datën e lindjes. Ndërsa, Gregori, djali i madh i kryeministrit, gëzon një pavarësi të tijën. Sipas Ramës, ai është gjithmonë i lirë, nuk ndan shpesh mendime me të edhe pse shpesh debatojnë fortë. Ai tregon së politika Gregorit nuk i intereson dhe aq shumë, aq më tepër që kjo ka qenë vet zgjedhja e tij. Rama shton së suksesi i prindërit, është krijimi i kushteve që fëmija të jetë i lirë.

Dhurata për Presidentin frencez

Gjatë intervistës ndër të tjera, kryeministri ka folur për komentet lidhur me veshjen e tij në Trieste, sidomos për atletet e famshme për të cilat e shigjetuan pa fund dhe e akuzuan për prezantim jo dinjitoz. E për këtë rast, kryeministri Rama tregoi një sekret, gjatë komunikimit me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, të cilit i dhuroi një palë atlete si të tijat, pasi ai ia kishte kërkuar. “Mund t’ju zbuloj një sekret të vogël, presidentit të Francës i çova një palë atlete se i pëlqyen shumë, i do këto i thash, apo një palë si këto, më tha një palë të tjera se këto nuk më bëjnë. Sa e ke numrin i thashë, dhe i dhurova një palë dhe ai u gëzua”, tha Rama, duke shtuar se Macron e ka numrin e këmbës 44, kurse ai 46.

Pjesë nga intervista

Basketbollin nuk e keni ndarë, ku ndodhet koshi?

Një kosh basketbolli është në paradhomën time dhe një në oborr. Nuk besoj të ketë ndryshime ne zyrën time në këtë mandat.

Kujt ja mban mend vetë ditëlindjen, pa ta kujtuarkush?

Ja mbaj Lindës, Zahos, Gregut, Reas, Anetës dhe Olsit.

Kush janë njerëzit e tu të besuar?

Investoj besim tek njerëzit, pra e filloj nga besimi. Nga investimet që janë të suksesshme dhe jo të sukseshme. Por unë investoj besimin tim dhe pres të kthehet.

Këngët që ju kanë lënë mbresa?

Unë dëgjoj muzikë klasike dhe jam i vjetër për shijet e muzikës. Si psh Jazzi dhe The Beatles.

Ju mungon periudha e kohës që kalonit në Paris?

Jo nuk më mungon asgjë nga ato që kam bërë, por nga ato që nuk kam bërë.

Ku do i kaloni pushimet?

Në Dhërmi. Do i marr në 1 gusht.

Si do jetë kabineti i ri qeveritar?

Nuk e di, por do bëjmë një qeveri të vogël, duke zvogëluar numrin e agjensive të Inspektorateve dhe të drejtorive.