Kryengritja e armatosur e Malësisë Madhe, e cila piksynonte ta ndalonte vërshimin sllavo-komunist në zonën e veriut

Kjo kumtesë u mbajt në janar 2003 në Detroid, SHBA nga studjuesi, historiani dhe intelektuali i shquar Mërgim Korça

Sonte kam nderin të jem i ngarkuar të flas para jush me rastin e përkujtimit të njerës prej ngjarjeve nga më të shënuarat të historisë kombit tonë, Kryengritjes Armatosur të Malësisë Madhe, e cila piksynonte ta ndalonte vërshimin sllavo-komunist në zonën e veriut.

Me atë rast dhanë jetën në luftime qindra heronj, të cilët ju ftoj t’ i përkujtojmë me respekt duke mbajtur disa çaste heshtje për nder të tyre! . . . Lavdí paçin përjetë !

E që ti nderoj plotësisht ata heronj e gjithashtu që edhe ata të ndjerë të më kuptojnë tërësisht, lejomëni t’ ju flas në gjuhën e tyre të bukur shqipe të dialektit gegë, ashtu siç u këndoi luftrave edhe bëmave të të parëve të tyre, korifeu i gjuhës shqipe gege, Patër Gjergj Fishta !

* * *

E rândë, tejet e rândë ishte situata e Atdheut tonë n’at prag fund vjete njimij’e nândëqind’e katërdhet’e katër ! Kâmba e ushtarit gjerman ênde e mate t’shkelun truellin tonë Arbnuer. Kalimtár ishin ata, âsht’e vërtetë, por ushtri e huej ish ! M’anë tjetër, brigadat partizane të drejtueme prej shtabit t’ tyne komunist t’ përbâmë prej pinjojsh të Dushan Mugoshës e Miladin Popoviçit, hap mas hapi, kah gjermant u tërhiqshin, po e zaptojshin të tânë vêndin tonë ! Vêndi jonë ish bash n’prag t’asaj qi pat parashikjue vjerrshtori i madh e i pashoq Patër Gjergji :

Shka t’lâjnë kta katër ujq

Q’i kërcnohen shoqishojt,

Thonë do t’dali nji djall’i kuq

Qi fort rrebtë do t’ia ngjisë thojt !

Po rrezikohej Bratila, Bastilla e shqyptarve, maja ku malsorët trima t’ mbi Shkodrës, të primun me 6 prill 1911 prej legjendarit Ded Gjo’ Lulit, e patne çue flamurin tonë kombtar e iu kundërvûene shkjaut, hasmit tonë legjendar ! E tash, mbas 33 vjetesh po vite prep shkjau, por i mërthyem kët herë n’ lëkurë kingji, i shoqnuem prej internacionalistave partizanë me n’ krye të brigadës majorin Gjin Marku, me kcye kollon ( vallen e tyne sllave ) tue këndue nëpër rrugët e Shkodrës : Ide druzhe Tito preko Albanije … preko Albanije ! Po rrugve t’ Shkodrës shkjetë këndojshin n’ kupë t’ qiellës : Ot Bregmata do Kotora eta zemla Cernagora !

Por shka ndodhte në Shkodër ato dit, tue mos i pshtue synit vrojtues t’malsorëve tonë t’ mbi Shkodrës, u dëshmoi atyne se historija ish kah përsëritej por me ndryshimin se shkjau ish kah e merrte kalanë bash përmbrênda !

U dha kushtrimi ! N’ kâmbë u çue Malësija e Madhe. Prêkë Cali legjendar, trimi i luftave të fillim shekullit, u printe qinda Kelmendasve. Turr u mblodhën edhe Shkrelsit e hije u kish se t’primun prej Luket Marash Grishajt, ( nxânsit t’ Patër Fishtës ), Pjetër Gjokës e Nikoll Prêkës. N’ krye t’ Hotve printe kapiten Gjelosh Luli, pinjuell i Lulve qi kjene vra e helmue shkjeshë pa ia dá ! S’ mbet mbrapa as Kastrati. Besëlidhje u bâ n’ konak të Gjokë Tomë Kokajt në Ivanaj t’ Bajzës me 27 dhetuer njimij’e nândëqind’ e katërdhet’ e katër ku kryet e nderës të burrave t’ Kastratit u betuen m’e luftuemun deri n’dekë t’ tyne kulshedrën komuniste ! U prijshin ktyne burrave Gjon Martini e Mirot Paloka.

M’anë tjetër komandanti trim Llesh Marashi, prej Zagore e Shkreli njitet n’ Brojë e tokohet me parín’e asaj zone me t’urtit burra Kolë Gjon Bajraktarin, Fran Gjergj Ucin, Gjergj Lulin, Gjekë Marashin, etj. Vendosën këtu tre bajraqet, ai i Selcës, Nikshit e Vuklit me ia prémun rrugën Brigadës Irë.

Por edhe forcat e ndjekjes të postkomandës Bajzës, nuk âsht se ishin pa hafije ( spiunë ). Ata e ndiqshin situatën e prandej edhe gjuejtne e gjuejtne ashpër : Arrestuen e pa asfarë gjygji pushkatuene Tomë Lekë Dakën, Mark Gjonin, Gjokë Nikollën, Luigj Kastratin, Mark Nikoll Malajn, Kolë Llesh Malajn si edhe Gjokë Tomë Kokajn ! E gjâ e dyt’e pa pame as e ndjeme n’ato troje, atyne trimave qi asgjâ mâ shum s’dojshin veç mos t’u dhunoheshin trojet e t’parve, u dogjne kullat e robt’e tyne t’përndjekun morrne arratinë pyjeve e shpellave t’dhunuem prej shqyptarve, miqve t’shkjaut mizuer !

Ku e kur ish ndie nji gjâmë ksisoji ? Po kush ish trûni i ktyne krimeve ?Çun Januzi e kish êmnin aj i mallkuem qi ndër 200 komunistat e parë t’ Shqypnisë ish në listë.Nj’ atij Çuni, qi t’ helmuem duket se e kish pasë gjín’ e s’âmës, tue lexue t’ Leninit vepra, desh me shkjaun kufijt m’ i hjekë e shi për ktê edhe Malsinë m’ e përzhitë !

Atëherë mâ Kelmendasit s’ pritne e me 1 t’ kallnorit t’ vjetit nândqind’e katërdhet’e pêsë, kur forcat komuniste msyene, nisi beteja e Urës Tamarës.Ish i fortë dimni edhe acari. Po si u bashkuen prej Vukli, Nikshi edhe Broje kund 200 burra, luftuen me t’ madhe trimní për nji muej rresht ata. Në dokumenta arkivale të ish pjesmarrësve në betejë e mandej të dënuem burgjeve si Fran Zef Pëllumi, Kolë Zhuka, Fran Gjergj Uci e të tjerë, ata kanë pasë pohue se jo vetëm qi ishte brigada komuniste qi i sulmoi, por me urdhnin e Prênk Calit robve t’ xânun ua merrshin armët, u diftojshin se sa keq ishte me luftue vllau me vllá shqyptar edhe i lirojshin t’ ikshin e t’ ktheheshin në shpit’ e tyne !Historia e shkrueme prej lakejve te diktaturës as Betejën e Tamarës s’e xên n‘goje edhe të tânë kryengritjen e quejnë shkurt Inkursioni Brigadës Irë në veri.Por Kelmendi s’ ka si m’e harrue e as dishmitarët e saj hala t’ gjallë.E bashkë me ta nuk e harron as rapsodi popullor me lahutë t’ tijën e ka m’ e përçue heroizmin e saj e t’ Kelmendasve brêz mbas brêzi, sa kohë qi n’ ato troje t’ flitet kjo gjûhë qi po flasim sonde na s’ bashkut n’ kët mbrâmje !E n’ kângë t’ vetën lahutari ka m’ u diftue brêzave veç trimnisë Kelmendasve e t’ prijsve t’ tyne, edhe faktin se s’ kjene ata qi sulmuene, ata veç trojet s’ deshtne t’ u shkeleshin, por brigadat partizane kjene ato qi zjerm e gjak deshtne n’ ato vênde !

Mbas betejës Tamarës forcat Kelmendase u grumbulluen n’ Brojë.Atje folne trimi i mênçëm Prêkë Cali edhe Gjok Marashi si me e forcue rezistencën por hafijet i kishin hetue e brigada me mortaja i sulmoi prej Repshit.S’ patne çajre e u detyruene m’u shpërnda për m’u mbledhë mandej në Kozhnje.Atje, gjithmonë simbas dokumentave t’ arkivave por edhe dëshmive të njerzve t’ pranishëm, del se Prêkë Cali u ka thânë : Na kem me luftue kundra partizanve veç n’paçin n’flamur shêjat e Rusis.Ndryshe na nuk kem si gjuejm n’vllazën tonë, n’shqyptarë.

E njofton Prênkën po at ditë Fran Palë Leka qi kish ra prej Vermoshi, se prej krahut të Jugosllavisë po vijshin forcat e Brigadës 23të me i futë ndërmjet dy zjermesh.Trimi i çartun qi kurr syni nuk i ishte pasë trêmë, se dekën për vênd t’ tijin aj e quete si me lé, u gjet ngusht.A kish se si me pranue ai me u bâ masakër tue luftue shqyptari me vllan’e vet shqyptar ? Jo. Kurr s’muejte aj m’e pranue kët gjâ.

Ktê s’muejt m’e pranue as Safet Butka, nji vjetë mâ parë, kah thote për komunistët : T’i vrasësh, janë shqiptarë, por t’i lesh të lirë, e vrasin Shqipërinë ! Ata do të sjellin diktaturën si edhe krimin. Do të marrin pronat e do sjellin varfërimin. Do t’i përçajnë njerëzit e do të sjellin vëllavrasjen. Do të sjellin shënjat ruse në flamurin tonë : drapërin me çekan si edhe yllin e kuq. Kjo e shtyni Safet Butkën qi në Melçan të Korçës, me 19 shtatuer 1943, me iu shmangë vëllavrasjes … vret vedin !

Para kësaj dileme u gjind nji vjetë mbas tij edhe kreshniku Prênk Cali ! Ai urdhnoi mos me gjuejtë n’ vllazën shqyptarë për m’ e shmangë kasaphanen e m’ i braktisë llogoret. Vetë Prênk Cali, s’bashkut me 15 burra edhe nji murgeshë konakut, u ngujuene n’ shpellë t’ famshmen përmbi Vukël. Aj e dite se s’ mund rezistojshin n’ shpellë gjatë por e bâni me fitue kohë qi forcat e tija t’ u shpërdajshin e n’ ânë tjetër t’ vête si kusht dorzimi t’ vetin n’ besë, pshtimin e shokve t’ ngujuem. Por aj nuk e dite se rrethuesit, ishin bâmë mish e thue me sllavt’ e druzhe Titos qi bash nj’ ato virtyte t’ Kanûs po dojshin m’ i përdhosë ! I ngujuemi Mark Luka, mbas dorzimit, pat diftue se të tetën ditë Prêka kërkoi t’ vijshin qi t’ u dorzoheshin n’ besë e mos t’ i dhunojshin, Frati i Vuklit si edhe Kryetari i Këshillit.

Në dokumenta arkivi figuron replika n’ Rrapsh t’ Hotit n’ mjes t’ lidhunit Prênk Calit edhe Mehmet Shehit, po ajo kurr nuk u ka ardhë për marë historianve lakej t’ diktaturës t’ a përmêndshin. I tha Mehmeti: E more Prenk Cali, të pat ardhur dita t’a mbyllje historinë tënde me shkronja ari po t’ishe bërë me ne ! Pse bëre kështu ?

Zotni, faji bjen mbi ju se ju u bâtë aleatë me anmikun tonë shekullor, me Serbin, iu përgjigj burrnisht Prênk Cali !

Ky qëndrim e ndezi edhe mâ keq komandantin partizan qi veç me plumb e me zjerm e dhunoi Malësinë. Raportin ndëshkimuer e harton nji tjetër kriminel i përbindshëm, Zoj Themeli qi gjakftoftë përshkruen se si n’ Kelmend u vrane 44 malsorë e mandej shton se në mënyrë konspirative u vran’edhe tre të tjerë, u dogjën si ndeshkim 34 shpí n’ Kelmend e 10 n’ Vukël, etj. etj. Dedë Gjon Bajraktarin e prûene t’ varruem n’ kullë të Gjonit ku e âma po ia mjekote plagët. Me ta marrë vesh komunistët e rrethuene kullën, e xorrne zharg t’ âmën e Dedës e n’ sy t’ saj e dogjne kullën me gjithë Dedën mbrêndë ! A ka kob mâ t’ madh se sa aj i pinjojve t’ kullës Rapukajve n’ Vukël ? E pat djegë s’ parit turku e mandej shkjau qi vrane njêna palë Pjetrin e tjetra Lulin. Po u desht t’ vite Brigada e Mehmet Shehit qi t’ a digjte s’ tretit me 10 fruer 1945 e t’ i vrit’ te Nduen, Lucin, Zefin edhe mâ t’ voglin Rrokun !

Po dorzimit n’ besë t’ Prênk Calit si iu gjegjën komunistat ? Simbas raportit Zoj Themelit fill’ e vrane Ded Lulash Smajlin qi ra tue thirrë Rrnoftë Shqypnija si edhe Ded Gjon Dedën qi ia kishin coptue mishin n’ spata para se m’ e vra ! Kah e shifte kullën e vet tue u djegë, i a xorrne sytë me bajonetë edhe e vorrosne t’ gjallë Fran Zef Bajraktarin, kurse Luc Gjon Bajraktarin e çane n’ bajoneta edhe e hodhne n’ humnérë ! Me mjellë tmerr’ edhe kob n’ popull t’ mbledhun t’ Vermoshit, e pushkatuen n’ mjedis tij Marash Vat Lumajn !Mjedis Kelmendasve e pushkatuen veç me bâ terror Dedë Prenk Nikën e po njashtu e pushkatuen mjedis Brojës Uk Mark Bikun ! Tri jav’ e mbajtne vjerrun n’ Koplik Nik Mark Rezajn e mandej pa gjygjë e pushkatuene edhe até ! Edhe në Niksh shtat kulla dogjne veç me përhapë tmerr. Fran Zefit t’ parit ia dogjne se strehue kish Prênk Calin e mandej edhe të tjert’ n’ plumb i kaluen e të tânve u morrne bagtit’ e bletët m’ i dergjë për kashatë t’ gojës !N’ Koplik pa gjygj u pushkatuene edhe Gjergj Lul Toma me gjith Gjek Selcën. E pse ? Me futë veç tmerr n’ popull.

Si sot e kam parasysh kur e prûene duer lidhë n’ shehër të Shkodrës kreshnikun Prêkë Cali ! Ecte kryenaltë si me kênë aj fitues.Por shkjau, brateja i partizanve ngadhnjyes, ia kish n’ vesh t’ vjerrun trimit inadin. E ndalne mjedis Fushës Çelë, e ulne n’ gjûj e nji partizane e egzaltueme ia rroi mjekrrën pa lagë atij. Mjes gishtave t’ duerve t’ mija me t’cillat kishem mblue ftyrën, kureshtja m’ bâte me pa si i shkojshin lotët kreshnikut qi zâ nuk xirrte dhimbet ! Kjo pamja e mbrâme qi kam e kreshnikut maleve q’ i pat thye shkjetë n’ luftimet e 1911ës e të 1913ës. Mbas kësaj veç kur ndjeva se e kishin dënue me vdekje dhe me 25 mars njimij’ e nândëqind’ e katërdhet’ e pêsë e kishin pushkatue Prênk Calin. Kësisoji komunistat shqyptarë e vrane anmikun e betuem të shkjaut dhe e hapne rrugën m’ u shkue uji n’ mulli t’ tyne !

Mirëpo Malësia Madhe nuk thyhej kollaj. Me 18 kallnuer 1945 në Pojcë u mblodhne burrat trima prej Hotit, Kastratit, Shkrelit Dedajve e Zagorës.E quejtne Kuvêndi i Maleve at kuvênd t’ Pojcës.Ktyne burrave trima të maleve iu bashkue edhe dijetari Dom Nikoll Gazulli. E kish n’ gjak patriotizmin Dom Nikolli se i vllau i Dom Gjonit ish ai, i atij trimi shok i Luigj Gurakuqit e Fan Nolit, qi me 5 t’ marsit 1927 e varne n’ konop.Bashkë me tê ish n’ Kuvênd edhe Nikoll Dedaj, Kryetari i Komunës Dedaj-Shkrelit qi bash miq ishin me trimin e urtë e t’ mêçëm Luket Marashin e Grishës qi n’ krah t’ Ded Gjolulit e pat çue flamurin n’ Deçiq.N’ Kuvênd i drejtohet Bajraktari Pjetër Gjoka trimit t’ Hotit Gjelosh Lulit: Fol o trim i Hotit se të takon fjala edhe primja e Kuvêndit sepse t’ kem prej derës Ded Gjolulit !Dhe Gjeloshi trim e i mêçëm si ishte, qi nderën e derës nuk e korit’ te, foli e tha: Burra, erdh koha ta lidhim besën, t’ rrokim armët e lirisë e ta bâjmë dekën si me lé ! Vendimi u muer : Me 28 kallnuer 1945 t’ fillote kryengritja !

Trimi Llesh Marashi kish xânë vênd n’ konak t’ Luket Marash Grishajt prej kah prit’te t’ vite dita e msymjes.E kish zgjedh’ at konak se çerdhe burrnije e beset ish aj me zâ n’ Malsi t’ Madhe !Po dita s’ priti me ardhë se Bataljoni Ndjekjes, informue prej hafijeve t’ Çun Januzit e zagarve t’ tij për datë t’ vêndueme me fillue Kryengritja, e msyene Kullën e besës e t’ burrnisë Luket Grishajt, me t’ pabesë n’ ag t’ ditës 24 kallnorit.Grishajt i çartne t’ pabesët e i thyene me t’ madh vërtik e u bashkuene me 400 burrat e Shkrelit t’ primë prej Pjetër Gjokës qi kishin pushtue postkomandën e Dedajt e n’ tperêndueme t’ diellit e pushtuen postkomandën e Bajzës.N’ ato përpjekje rane n’ fushë t’ betejave prijsat Pjetër Gjoka, oficeri Zef Toma si edhe Lulash Cuku.Me t’ zaptue Bajzën, n’ kishë t’ saj frati Ciril Cani u ra kumonave m’ e përhapë kushtrimin prej Bajze ! T’ primë prej Llesh Marashit, me trimní t’ pashoqe n’ luftime t’ ashpra, kryengritsit e zaptuene edhe krejt qytetin e Koplikut. Karakteristik e shum kuptimplotë âsht fakti se Komandant Llesh Marashi urdhnote qi të tânë ushtarët e ndjekjes të xânun rob, t’u merreshin armët e të liroheshin me shkue ndër shpija të tyne se n’ fund t’ fundit ishin vllazën shqyptarë !

Te ura e Rrjollit Mirot Paloka e Gjon Martini me forcat e tyne, i pari mbi urë e i dyti poshtë saj, fillimisht i gozhduen e tarët e bataljoneve të mandej i thyen forcat e ndjekjes. Mirpo prej jugut erdhne përforcime t’ mdhá se ë te kuptuen komunistat se mbas Koplikut i pat ardhë rradha Shkodrës me u dalë doret, kurse forcave t’ Mirot Palokës e Gjon Martinit kërkush s’ muejt m’ u ardhë në përforcim se kta metën t’ izoluem ato katër dit qi u detyruene m’ e fillue para kohe betejën e krahinat e tjera s’ muejtne m’ u ardhë në ndihmë.Tue luftue n’ kâmbë u vrane trimat Mirot Paloka edhe Gjon Martini, ashtu si ua lypte ndera e konaqeve t’ tyne. Kurse Rrok Kanti mos me ra i gjallë n’ dorë, nagant i bje vetë zêmrës po i Madhi Zot nuk ia kish pré ditën e dekës me at rrfé.N’ mal e bâni dekën edhe trimi Luket Grishaj qi i varruem u tërhoq zhark n’ pyllë veç mos t’ a xêjshin t’ gjallë komunistat qi mandej me tradhtí e vrane n’ përpjekje !Te Kisha ra trimnisht n’ luftim me forcat e ndjekjes edhe Marash Tom Gjeloshi e n’ muzg t’ mbrâmjes u vrane edhe Luigj Kol Shetaj s’ bashkut me sokolat Mirash Gjoni e Pjetër Kola.Tue pa se nuk kish mâ rrugëdalje, dorzohet Llesh Marashi me kusht bese n’ fé t’ mos ia çartshin trimat e tij.Mirpo s’ kishin besë e as fé komunistat e prangat ia vûene Lleshit e namin bâne n’ ata qi xûene t’ gjallë. Tamam mjer aj qi ra n’ dorë t’ tyne !

Me pushkatimin e Prênk Calit si edhe me varjen n’ konop të Llesh Marashit, ktyne dy sokolave e trimave t’ pa shoq, vërtet mori fund dhe u shtyp me zjerm e me gjak Kryengritja e Malsisë Madhe, por nuk u shue lëvizja për përmbysjen e zgjedhës komuniste e cila vazhdoi ku e organizueme e ku sporadike përgjatë dhetë vjetësh t’ ardhshëm ! Pra, Kryengritja e Malsisë madhe kje prologu i nji rezistence aktive të popullit shqyptar i cili nuk pranote me iu nenshtrue dhunës komuniste. Nga kjo pikpamje ajo merr rândësi të madhe ndër të gjitha vêndet e ish kampit socialist sepse s’ parit edhe mâ kuptimploti, âsht fakti se kjo kryengritje âsht e para edhe e vetmja ndër të gjitha këto vênde qi iu kundërvûene me armë në dorë kulshedrës komuniste n’ hapa t’ parë të sajat !S’ dytit, Kryengritja e Malsisë Madhe âsht fillimi i asaj lufte t’ organizueme të rezistencës kundra komunizmit qi vetëm në Shqypni muejti me zgjatë jo pak por dhjetë vjete !

Revolucioni Hungarez i 1956-ës vërtet duhet admirue se rinia studentore qi e filloi e mbas saj e gjithë katundaríja, iu kundërvûene sistemit komunist e luftuene edhe e ndaluene luftimin vetëm kur u zhbine me temel prej tankeve ruse të Hrushovit, por e gjitha kjo nuk zgjati as dy vjet e megjithatê njifet si Revolucioni Hungarez i 1956-ës ! Kurse rezistenca e armatosun antikomuniste shqyptare qi zgjati dhjetë vjete as ka êmën edhe e keqja mâ e madhe âsht se u punue prej komunistave tue e shtremnue historinë m’ e lânë n’ harresë vetë atê, pa le mbasandej martirt’ e saj !

E tash, mbasi i përkujtueme fluturimthi ndollítë si edhe nji pjesë t’ martirve, e tue u përulë me respekt ndaj idealit të tyne kombtar e antikomunist, e quej me vênd m’ u ndalë e me hjedhë sadopak dritë e bashkë me tê me vûe n’ dukje se si dita qi kalon e ndër shqyptarë t’ ndershëm sa vjen e po rritet :

Pezmi për si po shkruhet historia !

Ç’ lindë prej micet gjuen míj, kanë pas thânë t’ parët tonë !Edhe n’ fushë t’ historisë e njajta gjâ po ndollë si n’ politikë. Ndërruene êmnin ish komunistat e rane me fjetë të tillë e n’ agim na u njallne socialista.E desh bota frazeologjin’ e ré e ata vrik flasin e shprehen me bríma n’ kupë t’ qiellit se sa e duen demokracinë, Amerikën, integrimin europian e më the e të thashë.Po vêndit e popullit përdit’ e mâ zi po ia marrin frymën !

Edhe historiant t’ njajtën maskë paraqesin ! Shprehet drejtoresha e Institutit të Historisë zonja Ana Lalaj në intervistë t’ sajën në New York në gusht t’ vjetit 2002 : “Nuk ka shoqëri të hapur pa arkiva të hapura … Në kohën kur vetëm shteti komunist kishte kompetencën për t’ u siguruar shkollën, punën, shtëpinë, ashtu si të gjithë nëpunësit e tjerë shtetërorë, edhe historianët ishin të komanduar në veprimtarinë e tyre krijuese … dhe PPSh vendosi monopolin e saj edhe mbi historiografinë shqiptare … Teksti i parë i rishkruar i Historisë së Popullit Shqiptar ishte ai për shkollat e mesme, që doli nga botimi në vitin 1994 …”

Kah e lexon kët intervistë të kësaj zoje t’ nderueme edhe gjuja t’ reformueme, të bâhet zêmra mal e kujton se fjalt’ e saja janë t’ sinqerta.Tash ju ftoj t’ a lexojmë anën e mbrapshtë të fjalve e deklaratave t’ saja. Në tekstin e Historisë t’ botuem në vjetin 1994, (tekst i rishikuem me frymën e re të s’ vërtetës simbas asaj drejtoreshe), në faqet 217-218 autori Dilaver Sadikaj e paraqet Kryengritjen e Malsisë Madhe si nji lëvizje antikomuniste, por për pa i xânë n’ goje udhëheqsat e kësaj lëvizje. Kurse në botimin e vjetit 1999, po autori Dilaver Sadikaj, (tashmâ i dekun), pra i njajti autor i tekstit për kët pjesë e për mâ tepër tue kênë vetë zoja Ana Lalaj, drejtoresha e Institutit të Historisë kryeredaktore, dalin me studim mâ t’ thelluem e në faqen 285 shkruejnë për Kryengritjen e Malsisë Madhe : …lëvizje që u zhvillua në forma të dhunshme kundërligjore e kundërkushtetuese dhe mâ vonë vazhdojnë u dënuan shumë persona si bashkëpunëtorë të fashizmit dhe kriminelë lufte. Edhe këtu nuk përmênden êmna udhëheqsash.Edhe në vjetin 2000 po me kët kândshiqim trajtohet kjo e quejtun lëvizje antikomuniste.

Shtroj tash pvetjen e natyrshme :A ka se si shprehjet e bukra të kësaj shkenctareje t’ reformueme, (simbas sajë), të krahasueme me veprat n’ fakt qi ajo kryen, të mos bâhen për mue si edhe për ju të gjith pézmi jonë se si po shkruhet historia?

Zoja Lalaj pranon të pohohet se lëvizja u zhvillua në forma të dhunshme kundërligjore e kundërkushtetuese. Marr përvûjtsisht lêje si diletant qi jam n’ fushë studimore t’ sajën e ta pves shkenctaren tonë t’ nderueme : A din ajo me m’ diftue nji shêmbull kryengritjeje revolucionare n’ botë, e cilla t’ jenë zhvillue pa dhunë e konform ligjeve si edhe kushtetutave ?

Gjithashtu ajo zoja pohon se u dënuan shumë persona si bashkëpunëtorë të fashizmit dhe kriminelë lufte. S’ parit, kjo frazeologji e përdorun m’ çon me kujtesë 57 vjete t’ shkueme e më duket se shprehen Zoi Themeli apo Naun Bezhani me shokë e pezmi nuk ka se si mos me m’ a kapërthye zêmrën e me m’ a dridhë mishin !

Po marr tash si shêmbull mâ tipikun prej fashistave t’ dënuemin mâ rândë e t’ vjerrun n’ konop, Llesh Marashin.

Ç’ prej ditës qi shkeli kâmba e ushtarit fashist në Shqypni, Llesh Marashi duel n’ mal kundra fashizmit. Strehë pat konaqet e Luket Marash Grishajt me shokë. Mbas kapitullimit të Italisë fashiste, kund kah mueji mars a prill i vjetës 1944, t’ dërguem të Frontit Nacional Çlirimtar Riza Dani si edhe profesor Mark Prela, organizuen nji takim me Llesh Marashin në Barbullush te mullini i Dan Hasanit, (vllau i Riza Danit). T’ dërguemt e Frontit e ftuene Llesh Marashin si antifashist me u bashkue me Lëvizjen.Lleshi ua priti shkurt e u tha … kjo âsht punë qi s’ bâhet more burra. Po ju a nuk i keni sytë n’ ballë e s’ e shifni se si komunistat janë tue luejtë teatër me ju ? Nuk e shifni ju se ata udhëhiqen prej serbve ? Mlidheni mênden e kthejuni n’ rrugë t’ komtarisë se internacionalistat juve kanë me ua pré krenat ! Ju asgjâ s’ ju lidhë me ta. Rizaja i kish thânë … mirë qi ti e luftove fashizmin, po prej gjermanve ç’ pret ?Pse s’i lufton ?E Lleshi ish gjegjë … ushtria gjermane âsht kalimtare e ne s’ na hinë gjêm n’ kâmbë prej saj. Po sllavin kjo ushtri po e lufton e na prej saj kem se shka me përfitue … Kët bisedë m’ a ka pasë diftue vjete mâ vonë, mbas pushkatimit Rizasë, e shoqja e Riza Danit (tezja ême) e cila i nepte të drejtë gjykimit të situatës prej Llesh Marashit. Pra e ftoj profesoreshën e nderueme Ana Lalaj t’ i studjojnë dosjet e arkivave jo me slogane po në fakt e me thellim e të mos xjerrin përfundime shabllone prej atyne qi përdorshin Zoj Themelët me shokë !

Sa i takon pohimit në tekst t’ zojës Lalaj se ata qi morne pjesë n’ Kryengritje të Malsisë ishin kriminelë lufte, marr prep lêje t’ sajën me i a skjarue pak idetë kësaj shkenctareje e m’ e ulë prej rêshë e n’ realitet. Përgjatë ksaj kumtese kam përmêndë se si Prênk Cali e gjithashtu edhe Llesh Marashi, asnji ushtar të forcave të ndjekjes t’ kapun gjallë ose të vetdorzuem nuk e çartne.Veç i ç’ armatosne e i lâne të lirë m’ u largue. E kto pohime janë të tâna n’ dokumenta arkivi shtetnuer të pohueme prej njerzve n’ hetuesína. Mjafton veç me pasë vullnet t’ mirë, m’ i studjue kto dokumenta e m’ i gjykue gjânat drejtë.

Kriminel e quejnë edhe trimin Mark Gjomarkajn. Po kur duel prej Malsisë Madhe me forcat e tija nepër Dukagjin, Nikaj Merturë, Qafë Kolshi e shkon në Has, cilido prej forcash t’ ndjekjes qi dorzohej aj ia merrte armët edhe e lênte t’ lirë. Me 11 dhetuer 1944, në Tregtan t’ Hasit, bijnë n’ përpjekje me forcat partizane me komisar Ismail Pogën, i thejnë e mjedis t’ xânunve rob ishte edhe komisari partizan.Mark Gjomarkaj jo qi nuk e pushkatoi, po si atij edhe partizanve tjerë u spjegoi se ata i kishin mashtrue e n’ fakt luftojshin për pansllavizëm, kurse forcat e Kapidanit të Mirditës luftojshin për shqyptarizëm.

E për m’ e mbyllë edhe me kët pikë me shkenctaren tonë zojën Lalaj, nuk kam se si m’ e kalue n’ heshtje edhe nji fakt t’ fundit.

Le të kontrollojnë zoja e nderueme n’ dokumenta Arkivi të Rêndit e ka m’ e gjetë nji telegram tepër urgjent qi i ka drejtue Mehmet Shehu me datën 9 fruer 1945 Komandantit të Përgjithshëm, Gjeneral Kolonel Enver Hoxhës, ku i propozon qi prej atyne qi sulmuene Koplikun të pushkatohen si fillim 12 vetë e mandej mund t’ u pushkatojshin edhe 20 kryengritës të tjerë. Mbrênda ditës E.Hoxha ia kthen përgjegjen :

Gjegje radiogramit Nr.Extra datë 9 fruer 1945

Aprovohen ndëshkimet me vdekje të 12 vetëve dhe ndëshkimi i të tjerëve me dënime të ndryshëme propozue me të sipërmin. Na njoftoni datën e ekzekutimit.

Enver Hoxha

Firma

Tre rreshta t’ akullt e përbâjnë kët radiogram, po 12 jetë morrne ata rreshta ! Secilli rresht në t’ thêllë vaj e kob futi katër familje ! Kishem me dashtë m’ e pvetë shkenctaren tonë historiane se kta dënime edhe aprovime dënimesh në ç’ farë formash ligjore edhe kushtetuese kishin m’ u katalogue simbas saj ?

I mêndëshmi edhe i dijtuni Patër Gjon Shllaku pat thânë :

Nji komb qi lindet ka nevojë për fatosa qi t’ desin, por fatosat qi desin nuk kanë se shka bâjnë në nji komb qi i përbuz’e i harron ! N’ shtete tjera njerzt’ e idealit ne u mbytshin për s’ gjalli nderohen për s’ dekuni, ndër ne ata mbyten dy herë – edhe harrohen !

E un, skâjshmënisht i dispruem se si Instituti i Historisë e ka trajtue e interpretue ndër tekste shkollore Kryengritjen e Malsisë Madhe e doemosdo edhe të gjitha zhvillimet e shekullit t’ kaluem t’ vêndit tonë, i bâj thirrje drejtoreshës atij Instituti zojës Ana Lalaj tue i kujtue asaj se si sejcillin qi e ka prûe n’ jetë, Zoti i ka caktue nji detyrë. T’ a kryejnë ajo detyrën qi ka me dije e ndershmëní. N’ mos dijtë ajo si m’ e krye kësisoji, të napin dorëhjekjen. Po kurrsesi mos të vazhdojnë ajo e t’ i bâjnë hyzmet postit, pamvarsisht se brêzave të tânë njerzish të ndershëm kësisoji u cakton fatin për t’ cillin flet Patër Gjon Shllaku, kurse t’ padêjve u nepen tituj Nderi i Kombit!

Kjo kumtesë u mbajt në janar 2003 në Detroid.

Mërgim Korça (U.S.A.)