Kryengritja antikomuniste e vitit 1945, kushtrimi që u ngrit në qiell, por që nuk u ndigjua në tokë…

 

Nga fundi i nëntorit 1944, kur ikën gjermanët, në Shqipëri Komunistët tundnin “Sahanët”, për të bërë zhurmën e “fitores”, si dhe festën e “korrjeve” të farës kuqe Sllavo-ortodokse të mbjellë që në vitin 1941 nga “specialistët” jugosllavë. E kjo farë si për koinçidencë quhej Komunizëm duke pasur një mbarës të përbashkët me fashizmin e Izmat e tjerë të cilëve jo pak ju a kishim parë sherrin ndërmote…
Gjithsesi suksesi i farës së kuqe kishte qenë i mahnitshëm në trevat jugore të Shqipërisë, e komunistët grekë kishin padyshim meritën e tyre, ku në pamundësi për të kultivuar farën komuniste në tokën Greke tashmë po kontribonin në tokën shqiptare që shpesh e konsideronin si të tyre.
Në këto kushte Shqipëria po “pushtohej” nga një ideologji e Re, por me prapavijë të vjetër dukshëm antishqiptare, ku çdo vonesë do të kishte pasojat e pariparueshme për fatet e mjeruara e sakatuara të shqiptarëve. Sidoqoftë Shqipëria “priste” kushtrimin, e ky kushtrim nuk vonoi, madje ai erdhi nga treva simbol e shqiptarisë Malësia e Madhe e cila në janar të vitit 1945 kur fara e kuqe komuniste e mbjellë nga Popoviçët, Mugoshët, Titistët e Stalinistët sapo kishte filluar të mbijë (edhe në Malësi). Malësorët dhanë të parët Kushtrimin: Të rroken armët e shkatërrohet kjo farë e huaj që po rritej për të zezën e Malësisë e Shqipërisë. Natyrisht Malësorët e ndigjuan kushtrimin e përkohësisht arritën ta çlirojnë Malësinë, por fatkeqësisht kushtrimi nuk u ndigjua nga pjesa tjetër e Shqipërisë e si rezultat Kryengritja u shua, Malësia e Shqipëria nga fara e kuqe u pushtua… Por edhe pas këtij kobi që mbuloi vendin e shqiponjave Idealet e ndezura në janarin e vitit 1945 nuk u shuan kurrë edhe pse për ato u pagua mjaft shtrenjtë me jetë njerëzish, vite tepër të gjata burgosjesh e internimesh si dhe persekucioni të pashembullt në luftën e gjatë civile, herë të ftohtë e herë të nxehtë e që në gjuhën marksiste quhet luftë klasash. Padyshim këto ideale lirie ishin e vetmja dritë në fundin e “tunelit” të ftohtë dhe errësirën e pashoqe ku komunizmi Sllav e lakejtë e tij E. Hoxha, H. Kapo e tjerë e kishin mbyllur Shqipërinë… Natyrisht për ta kujtuar sadopak këtë ngjarje tashmë jo vetëm historike e cila ishte padyshim kryengritja e parë antikomuniste, kushtrimi më antikomunist jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Europën e re që pretendohej të ndërtohej, e cila fatkeqësisht nuk e dëgjoi kushtrimin tonë, i cili na kushtoi si gjithnjë jo vetëm ne, por edhe vetë Europë, në kapërcyellet e së cilës kishim lënë jo pak ne shqiptarët… Ishin ditët e fundit të vitit 1944, kur burrat e urtë e trima që Malësia e më gjerë i donte e i respektonte kishin bërë takimin solemn në Malin e Shkrelit e në Bajzë të Kastratit për t’u organizuar e dhënë besën njëri-tjetrit që komunizmin ta luftojnë me armë në dorë siç kishin luftuar çdo pushtues tjetër, edhe pse rreziku ishte tepër i madh e me pasoja për këta burra që kurrë nuk e kishin bërë fjalën dysh kur ishte puna për të mbrojtur trojet tona, zakonet tona, jetën tonë, nderin tonë, besën, burrërinë e fenë e të parëve kristjanë e muhamedanë, e që pushtuesit komunistë jo vetëm nuk i njihnin, por kërkonin ti përdhosnin përgjithjë. Fjalët e njërit nga drejtuesit e kryengritjes antikmuniste më dt. 24 dhjetor 1944 trimit të urtë Gjon Martin Lulati në takimin e zhvilluar në shtëpinë e Gjok Tom Kokajt me bashkëluftëtarët e organizatorët e kryengritjes do të kumbonin në veshët e kryengritësve më shumë e plumbat e renegatëve komunistë të marrë “hua” nga parcelat e jugut të Shqipërisë apo nga vendas të “gënjyer”, e Gjoni atë natë të paharruar ndër të tjera tha: “Vëllazën, mirse u bashkuam në këtë kuvend burrash malësorë i cili që tashti na thërret që me guxim e trimni, por edhe me zgjuarsi e besë që kurrë s’u ka munguar, të bisedojmë në mes vedit e të caktojmë detyra për secilin që pa humbur kohë të shkojmë, fis në fis, katund në katund, shpi për shpi për të përgatitur ditën e kryengritjes. Por për këtë ne e dimë se malësorët e më gjerë janë të gjithë me ne, por për ta përforcuar këtë kisha dashtë me me e dijtë të gjithë se çfarë është komunizmi, dhe çfarë do të thotë të sundojë ai, se po ta dini mirë si e di vetë ma parë do të pranojshin të gjithë me u mytë në Vire (një thellësi e ftohtësi e pashoqe të liqenit të Shkodrës).
Për këtë duhet ti sqaroni njerëzit se komunizmi ju grabit, tokë, bagëti, shtëpi e pasuri, ju prish kisha e xhamija, ju ban të mohoni nanën, babën, vëllanë e motrën, ju ban mos me njoftë kushri, fis as kumari. Ju grumbullon si bagtia në një vathë e ju çon me punue e jetue në rresht tuj u grahë e rrahë hori i horave që e vënë komunizmi në krye të huqametit të vet. E kur t’u teket këtyre horave komunistë edhe ju vret e pret, ju fut në burg, e trupin tuej ju a qet qenve, për mos me u gjetë as kurrë vorret tuaja. Prandaj duke pasë parasyshë këto të këqija që s’kanë fund ju baj thirrje që edhe nëse vdesim sot, të vdesim me nderë e për hatër të fëmijëve tanë që të jenë pa komunistë nesër…”
Në këtë kuvend qëndronin edhe trimat luaj malesh Mirot Paloka, Mark Gjok Kokaj, Kol Gjok Kokaj, Tom Lek Daka, Mark Luc Gjoni, Gjok Nikoll Voci, Zef Ded Nika, Pjetër Gjok Doda, Palok Gjokë Hoti e Pjetër Gjokë Hoti, Kol Llesh Malaj, Zef Gjon Malaj e Mark Nikoll Malaj, Gjergj Prek Malaj…
Ndërsa në Shkrel përgatiste terrenin për kryengritje oficeri famëmadh Llesh Marashi i cili padyshim ishte edhe figura kryesore që do të drejtonte krejt kryengritjen e Malësisë në ditët e ardhshme të Janarit 1945. madje kryengritja po përgatitej të fillonte edhe në Kelmend ku si prijës ksihin legjendarin Prek Cali, por kryengritja po përgatitej edhe në Mirditë, në Shkodër, Postribë e mbi të gjitha në zonën e nënshkodrës që njihet me emrin si kryengritja e Berdicës, por që në fakt pjesëmarrësit që përgatiteshin për këtë kryengritje ishin nga të gjitha katundet e zonat e rrethit Shkodër, nga ku shpresonin se do të dëgjonin edhe trevat e tjera shqiptare, duke marrë trajtat e një kryengritjeje mbarëkombëtare. Mjerisht planet e kryengritjes sado sekret që të ishin ato shpesh po dekonspiroheshin e raportoheshin tek komunistët nga vigjilentët e tyre spiunë të cilët po dëmtonin jo pak interesat e kryengritjes, por pa vonuar edhe të tyre e familjes tyre. Gjithsesi në këto kushte po lindte nevoja e fillimit të kryengritjes jo kur ishte planifikuar nga pjesa më e madhe e veriut të Shqipërisë në fillim të pranverës, por menjëherë në janarin e egër nga moti i stinës dhe boja e kuqe komuniste që po invadonte me shpejtësi Malësinë e Shqipërinë. Menjëherë pas kësaj situate që në ditët e para të janarit deri me datën 10 janar 1945 Llesh Marashi e Mirot Paloka kishin grumbulluar disa malësorë trima të cilët i kishin organizuar në çeta të prëqendruara në Katund e Kastrat të cilat stërviteshin e strehoheshin nga familjet bujare të zonës, ku dallohet për bukëdhanë familja e Nikoll Vat Ivanit. Siç thashë më sipër as ky organizim nuk i kishte shpëtuar syrit vigjilent të spiunëve komunisë, fatkeqësisht edhe Malësorë, si rezultat me datën 10 janar te Kisha e Katundit Kastratit u bë përpjekja e parë me armë në mes kryengritësve e komunistëve, ku pasi zgjati disa orë dhe forcat komuniste u thyen mbeti i plagosur rëndë dhe vdiq pa vonuar Dëshmori i parë i kësaj kryengritjeje Kol Shotaj i cili luftoi trimërisht me armë në dorë kundër bishave të kuqe që si manekin ishin indoktrinuar e importuar nga parcelat e jugut. Me të dëgjuar këto krisma që paralajmëruan stuhinë organizime çetash antikomuniste pati deri në Reç e sa për Kelmendin ai tashmë ishte përfshirë i tëri. Në këtë kohë edhe në zonën e nënshkodrës antikomunistët e njohur Jup Kazazi e Abaz Ermenji ishin të strehuar në fshatin Trush në shtëpinë e Xhurretajve, ku kishin bërë shumë takime me vendas antikmunistë si me vëllezërit Xhurretaj ku spikaste Shaqir Xhurreta, por edhe trimat Ded Shabani prej Malit Kolaj, Sadik Mema, Nikoll Zefi, Veli Xhepi e Sait Cani prej Trushit. Tjetër kuvend ishte zhvilluar po në Trush në shtëpinë e Dedë Gjondashit ku kishin marrë pjesë Ded Shabani me trimat e tij, por edhe nga Lezha Xhemal Mlika që përfaqësonte parinë antikomuniste atje. Nga këto takime sipas të mbijetuarve në qendër të vëmendjes ishte lidhja e koordinimi i veprimeve me kryengritësit Malësorë Prek Cali e Llesh Marashi, si dhe me Gjonmarkajt e Mirditës. Qëllimi ishte që kryengritja të shpërthente në një kohë që mbasi të merrej Shkodra me krijue një zonë e lirë deri në Portin e Shëngjinit ku shpresonin se do të zbarkonin forcat aleate antikomuniste të Europës Perëndimore e Amerikës. Për të arritur këto që në mbrëmjen e 14 janarit të vitit 1945 te Kisha e Beltojës u mblodhën qindra burra trima të betuar kundër komunizmit, të cilët ishin nga katundet Trush, Berdicë, Melgushë, Mali i Kolajve, Ana e Malit, Beltojë e tjerë të cilët ishin të gatshëm me msye “pushtetin” komunist të instaluar dhunshëm në kryeqendrën veriore të Shqipërisë, Shkodrën e pushtuar në këto ditë tragjike. Për të realizuar Çlirimin e Shkodrës nga komunistët shqiptaro-sllavë po më 14 janar 1945 si masë paraprake ishte prerë lidhja telefonike me pjesët e tjera të Shqipërisë, si dhe bllokuar rruga kryesore që lidhte Shkodrën me Tiranën me mjetet rrethanore, e të gjitha këto do të bënin që kryengritësit e Shkodrës e nënshkodrës të takoheshin në Shkodrën e çliruar, me forcat kryengritëse të Malësisë së Madhe që do të çlironin Malësinë nga forcat Komuniste, nga ku besohej se Europa e Bota do të dëgjonte thirrjen e kushtrimit për të shkatërruar farën bolshevike që rrezikonte krejt kontinentin. Gjithsesi në këtë organizim çlirimtarësh dalloheshin figurat patriotike e antikomuniste Abaz Ermenji, Ded Shabani, Jup Kazazi, Halit Gerbeti, Arif Selimi e mbi të gjitha trimi legjendar Hasan Isufi e tjerë… Natyrisht gjatë kësaj kohe në Malësi të Madhe ziente lufta për organizimin e përgatitjen e kryengritjes që tashmë po bëhej e pashmangshme e me rreziqe të sigurta për Malësorët të cilët nuk donin t’ia dinin mër, por donin vetëm të luftonin për të dëbuar e dëmtuar komunizmin sllav që paralajmëronte fundin e “Botës” Shqiptare e Malësore…
Me datën 21 janar Llesh Marashi që ishte dhe udhëheqësi kryesor ushtarak i kryengritjes ishte i strehuar në shtëpinë e Luket Marashit, nga ku komunistët të mirinformuar kërkonin ta kapnin të gjallë. Por përpjekja tjetër e kryengritësve ishte lidhja me Prek Calin, e për këtë u nisën nga qendra e kësaj kryengritje vetë trimat Gjon Martin Lulati e Mirot Paloka me disa kryengritës. Gjatë rrugës në Grishaj këto forca u ndeshën ballë për ballë me forcat komuniste, ku pas luftimesh të ashpra fituan kryengritësit e Shkrelit e Kastratit të cilët zunë robër 15 partizanë komunistë të cilët vetëm sa i çarmatosën e ju falën jetën, ndonëse ata kishin plagosur luftëtarin e lirisë Gjokë Hotin (nipin e Gjon Martinit). Pas kësaj beteje fitimtare, kryengritësit arritën në Bajzë ku takuan priftin e famullisë Pater Çiril Canin i cili në shenjë alarmi u ra kumonëve të kishës, ku brenda një kohe tepër të shkurtër u grumbulluan te kisha qindra kastratas trima e antikomunistë që me armë në dorë zhvilluan një betejë të pashoqe kundër forcave të ndjekjes e komandës komuniste të instaluar në Bajzë. Këto luftime të ashpra bënë që të kenë edhe viktima nga të dyja palët, ku për fat të keq të vrarët ishin të gjithë Malësorë, nga kryengritësit ranë me armë në dorë trimat Lulash Cuk Curri nga Jerani dhe Zef Toma nga Shkreli, ndërsa nga forcat komuniste u vranë të gënjyerit nga “droga e kuqe” Jonuz Naçi nga Aliajt dhe Myftar Sokoli nga Reçi. Në këtë betejë u arrit që të merret jo vetëm posta ushtarake e komunistëve, por edhe Komuna si institucion, ku për këtë ndihmoi padyshim sekretari i komunës, intelektuali me banim në Shkodër Luigj Gjekë Kastrati, i cili nuk pranoi të bashkohej me forcat komuniste,p or madje “keqinformoi” pushtetin komunist në Shkodër duke mos u treguar situatën reale në Malësi të komunistëve, natyrisht për këtë e pagoi më vonë me jetën e tij, por kështu ai më mirë preferoi një vdekje me nderë se një jetë me faqe të zezë. Pas kësaj që u arrit në Bajzë forcat çlirimtare të Malësisë u rritën në mënyrë të mahnitshme, duke krijuar kështu një kryengritje të madhe antikomuniste, ku pjesëmarrësit u shtuan nga të gjitha trevat e Malësisë. Nga këtu u nisën këto forca për çlirimin e Koplikut që në atë kohë ishte N/Prefekturë, ku pas disa luftimesh u arrit të merrej koj qendër e rëndësishme, ku nga forcat komuniste u kapën rreth 20 robër të cilët pasi u çarmatosën u mbajtën në gjendje arresti në dyqanin e Lekë Gjeloshit të Pjetroshanit në Koplik, por që as nuk u dhunuan e as nuk u pushkatuan. Këto ditë janari ishin vërtetë të stuhishme për Malësinë e më gjerë pasi tregonin trimërinë e guximin e kësaj treve legjendare ndër shekuj për t’u ndeshur me këlyshët e ulkonjave sllave që kishin lindur në tokat mjerisht shqiptare. Megjithatë gjatë këtyre ditëve ishte çuar në vend amaneti i të parëve për të pritur me pushkë çdo pushtues qoftë ky edhe me emra shqiptarësh. Data 25 janar 1945 i gjen kryengritësit në formacion luftimi tek Ura e Rrjollit përballë forcave të shumta komuniste që për fat të keq nuk kishin arritur që “kryengritësit” e Shkodrës e nënshkodrës ti ndalonin, pasi kryengritja e Berdicës siç njihet kishte dështuar aksidentalisht, ose më saktë ishte tradhëtuar mizorisht nga këlyshët e kuq që ditën hanin tek antikomunistët e natën lehnin tek komunistët.
Forcat antikomuniste Malësore ishin ndarë në tre formacione luftimi, në krahun e djathtë qëndronte Gjon Martini me trimat e tij, në krahun e majtë qëndronte me trimat Mirot Paloka, ndërsa në qendër të Urës së Rrjollit ishte vendosur me “luanët” e tij Llesh Marashi. Lufta tashmë ishte ndezur me tërë arsenalin e saj, “luanët” Malësorë luftonin pa u trembur kundër mijëra forcave komuniste për shumë orë, deri sa ranë në krye të betejës trimat legjendarë Gjon Martin Lulati e Mirot Palok Kokaj, si dhe u plagos luftëtari Gjon Nikë Preçetaj. Pas kësaj beteje të pabarabartë ku forcat kryengritëse malësore mbetën të izoluara u detyruan të tërhiqen, por për të vazhduar përsëri rezistencën. Pas kësaj krimineli sadist Mehmet Shehu për të gënjyer Malësorët shpalli amnisti për të gjithë pjesëmarrësit në kryengritje, por duke përjashtuar, drejtuesit e kryengritjes Llesh Marashin, Rrok Kantin (nipin e Lleshit), Pejtër Gjokën (Bajraktarin e Vrishit) si dhe po të ishin gjallë Gjon Martinin e Mirot Palokën… Në fakt pas kësaj në Mal mbeti vetë Komandant Llesh Marashi me disa bashkëluftëtarë të tij, por duke parë fatin tragjik të shokëve të tij të rinj, ai vendosi të dorëzohet e sakrifikohet vetë për të shpëtuar shokët. Siç dihet Lleshi u ekzekutua nga komunistët me varje, por shokët e tij të dorëzuar më parë e tani edhe pse kishte dalë amnistia pësuan kalvarin e tmerrshëm të makinës kriminale komuniste që i preu në besë, por ku ka besë komunizmi? Konkretisht po citojmë disa nga ata burra që morën pjesë në mbledhjen e 24 dhjetorit 1944 e në kryengritje, por që sipas amnistisë ishin falur, por pabesia komuniste u mori jetën, duke i lënë shpesh ashtu si i paralajmëronte Komandanti trim i Katratit Gjon Martin Lulati pa varr, e ata janë Gjokë Tom Kokaj, Kol Llesh Malaj, Mark Nikoll Malaj, të cilët pushkatohen me datën 8 shkurt 1945… Por pa vonuar do të pushkatoheshin edhe trimat kryengritës, Luigj Kastrati, Tom Lek Dakaj, Gjon Nikoll Voci, Ndok Nikë Preçetaj, Mark Lucë Gjoni e së bashku me ta edhe Prek Cali e trima të tjerë. Gjithsesi pas kësaj Malësia e Madhe pësoi kalvarin më kriminal që një regjim gjakatar kishte kryer, për këtë mjafton të kujtojmë se rreth 167 burra malësorë u pushkatuan, vetëm se donin lirinë e Shqipërinë, ndërsa vetëm periudha pas kryengritjes (1945-1952) shënon emrat e 47 viktimave që ndonëse disa po i përsëris nuk po mundem pa i shënuar të gjithë së bashku, si dhe u flijuan… ata: 1. Prek Cali, 2. Ded Lulash Smajli, 3. Ded Gjo Deda, 4. Idrize Kadri Delaj, 5. Fran Dash Preka, 6. Mri Dash Preka, 7. Kartina Nikë Bikaj, 8. Dila Luç Dakaj, 9. Gjon Preç Rexhaj, 10. Ujk Mark Qosja, 11. Mark Gjelosh Mirukaj, 12. Gjekë Marash Tinaj, 13. Mare Ilia Vacaj, 14. Gjergj Lul Hysaj, 15. Ndue Fred Rrukaj, 16. Tom Lekë Daka, 17. Gjok Tom Kokaj, 18. Gjok Nikoll voci, 19. Ndok Nik Pretaçaj, 20. Pashko Ded Curraj, 21. Mark Nikoll Malaj, 22. Pjetër Gjok Koti, 23. Mark Luc Gjoni, 24. Gjok Ded Braci, 25. Luc Gjeto Lakaj, 26. Nikoll Gjon Vneshti, 27. Kel Llesh Malaj, 28. Nosh Llesh Malaj, 29. Luigj Gjeto Kastrati, 30. Gjon Lucë Kaçaj, 31. Nikoll Prek Dedaj, 32. Pjetër Nikë Nikaj, 33. Gjokë Nikë Luli, 34. Dyl Bajrami, 35. Maliq Bajrami, 36. Dom Ndre Zadeja (famullitar me influencë në zonën e Shkrelit e më gjerë), 37. Idriz Jaho Ilia (ish Prefekti i Gjirokastrës i pushkatuar së bashku me malësorët), 38. Ded Gjekë Vukçaj, 39. Gjon Lek Xhaj, 40. Gjekë Kol Pëllumbi, 41. Mirash Gjon Sokoli, 42. Prekë Lekë Rushaj, 43. Mark Tom Makaj, 44. Taro Keq Balaj, 45. Lan Sadik Lani, 46. Adem Rrustem Tahiraj, 47. Ibrahim Caf Burgaj. Interesant është se dy nga emrat e kryengritësve që luftonin kundër komunizmit me Malësorët janë kosovarët vëllezër Shemsi Feri e Hamdi Feri (nipat e patriotit Jakup Feri) të cilët kishin lënë Kosovën nga shtypja Serbe, por që edhe në Shqipëri kishin gjetur po ideologjinë Serbe që zbatohej në mënyrë të tmerrshme nga lakejt e komunizmës. Mbasi kryengritja e dështuar e Bërdicës ka lidhje me kryengritjen e Malësisë ja vlen të themi disa fjalë edhe për trimat që pësuan fatin e mjerë të shokëve malësorë nën regjimin komunist që po instalohej.
Batalionet kriminale të komanduara nga krimineli Shefqet Peçi do të provonin siç thoshte Mit’hat Frashëri “Se komunizma s’ka as më të voglin dyshim se e keni kuptuar edhe vetë, se është sëmundje e tmerruar si tërbimi i Qenve e Ujqërve, është një kolerë që nuk shkatërron vetëm trupin, por e më tepër akoma zemrën dhe shpirtin e njeriut…” E kështu të tërbuar komunistët do të pushkatonin e vrisnin shqiptarë nga më shqiptarët, si Hasan Isufin bashkë me të vëllanë Ahmetin, si dhe pasi ta kapnin të gjallë do ta pushkatonin pas pak ditësh edhe Ademin të cilët ranë heroikisht duke luftuar në Malin e Kolajve. Të akuzuar për ngjarjen e Berdicës do t’u pushkatojshin prej katundit Berdicë, Taip Halili e Rexhep Halili (babë e bir), Veli Sala, Lush Paloka, Shaban Dani, Hider Dyli, Martin Rroku, Pjetër Darragjati, në prani të popullsisë do tu pushkatojshin pa gjyq Pjetër Harapi e Pjetër Loroja. Pa vonuar u pushkatua edhe lezhjani Xhemal Mlika dhe Arif Selimi i Vukatanës, i cili nuk pranoi kurrë të tregonte vendin ku ndodheshin Kazazët që kërkoheshin nga komunistët me siguri si më vonë ndodhi të pushkatoheshin. Ndërsa pjesëmarrësit e tjerë të përmenda më lart në organizimet e mbledhjet për kryengritjen e Berdicës kaluan nëpër vitet e tmerrshme të Mat’hauzenit shqiptar që quheshin burgje apo më lehtë kampe internimesh. Duhet theksuar se në Lëvizjen e Berdicës spikatë emri i një femre shqiptare nga Lushnja Neta Fuga e cila kishte “braktisur” ushtrinë komuniste, për t’u bashkuar me shqiptarët e patriotët që dhanë kushtrimin për të mbrojtë atdheun nga invazioni i ideologjisë së kuqe Sllave, edhe pse kjo fatin e saj e parashikonte mirë në duar të xhelatëve komunistë që nuk kursenin as fëmijët e të moshuarit pa lëre femrat…
Tashmë komunizmi pas shtypjes së kësaj kryengritjeje antikomuniste të Malësisë së Madhe e deri përpjekjet e vëllezërve të tyre të nënshkodrës e më gjerë; filloi të forcohet jo vetëm në trevat e tjera të Shqipërisë, por edhe në simbolet antikomuniste shqiptare në Malësi e Shkodër, kur padyshim kalvari çnjerëzor ka qenë më i tmerrshmi i të tmerrshmëve që njeh historia e gjithë diktaturave të të gjitha kohërave, të paktën që nga mesjeta e vonshme e këtej… Por duke e mbyllur këtë shkrim disi modest pasi kanë mbetur shumë ngjarje e figura që kanë lidhje me këtë kushtrim antikomunist që u ngrit në qiell, por që nuk u dëgjua në tokë (Shqipëri), për arsye vendi për një shkrim të tillë, situatën pas “pushtimit” komunist të Malësisë (edhe Shqipërisë) po e përshkruaj shkurt duke përsëritur fjalët e vajtores famëmadhe Tone Kuqja e cila në ato ditë vajtonte:
Mjera ti more Malësi
Shpija e stane shkrum e hi
Sa nuk ka ma as gjethë as bar
Ma të mirët burra vjerrë në litarë
Të tanë Hotnit lidhë me tel
Keq në Kastrat e ma zi në Shkrel
E në Kelmend s’këndon pulë as gjel…
Po sot në shekulin e 21-të dikush mund të pyesë si është Malësia që në demokraci meritonte vendin e parë?! E përgjigja është, si shpërblim nga pasardhësit e komunistëve që qeverisin sot, ajo vazhdon të paguajë pasojat e kryengritjes antikomuniste të vitit 1945 që trazoi jo pak shpirtërat e baballarëve të komunistëve të rinj me mantel të dalur boje nga të kuqe në ngjyrë Rozë…
Nga: Ndue Bacaj