Kryeministri malazez Markoviç për mbrojtjen e qytetit të Shasit

Në seancën e rregullte të Parlamentit të Malit të Zi ,që u mbajt të mërkurën në Podgoricë, kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviç foli edhe për ngjarjet e Shasit mes komunitetit shqiptar dhe përfaqësuesëve të Kishës Ortodokse Serbe në Malin e Zi. Deputeti i opozitës proserbe, Frontit Demokratik, Andrija Mandiç pyeti kryeministrin nëse autoritetet kompetente kanë ndërmarrë masat e duhura ndaj “pjesëtarëve të zellshëm” të cilët ishin mbledhur për të ndalur fizikisht mitropolitin ortodoks Amfilohije Radovic për të shërbyer liturgjinë në kishën e Shën Gjon Pagëzorit në Shas.

Markoviç ka thënë se policia ka vepruar në përputhje me ligjin kur nuk ka lejuar mbajtjen e meshës në qytetin e vjetër të Shasit.

“Kisha në Shas ka trajtimin e objektit të veçantë të të mirave kulturore, kurse tubimi i përfaqësueseve të Kishës Ortodokse Serbe, sipas vlerësimeve nga ana e Ministrisë së Kulturës dhe Drejtorisë për Mbrojtjen e Pasurisë Kulturore, nuk ishin të përputhje as me regjimin për vendet arkeologjike dhe me rregulloren e mbrojtjes së këtyre objekteve kulturore”, tha Markoviç.

Markoviç rikujtoi se qyteti mesjetar i Shasit, për shkak të vlerës së veçantë dhe të jashtëzakonshme kulturore që ka, është i mbrojtur me ligj dhe ka statusin e një pasurie të mbrojtur kulturore.

“Kjo është si çdo pasuri tjetër, që janë pjesë e trashëgimisë kulturore dhe të interesit publik. Ata do të mbrohen në përputhje me të drejtën dërkombëtare, pavarësisht nga koha, vendi dhe mënyra e krijimit, origjinës, rrethanat e pronarëve të tyre përkatës, dhe pa marrë parasysh se çfarë është karakteri i tyre laik apo fetar,” tha Markoviç.

Ai tha se në këtë lokalitet janë bërë punimet e konservimit në një periudhë afatshkurtër me qëllim të mbrojtjes dhe përmirësimit të statusit të saj.

“Prandaj, çdo aktivitet që do të kryhet gjatë kësaj kohe, pa konsultimin paraprak ose pa miratimin e Zyrës për Mbrojtjen e Pasurisë Kulturore, është një rrezik i madh për integritetin e saj dhe për sigurinë e vizitorëve, pavarësisht se kush e bën atë,” tha Markoviç.

Ai po ashtu tha se policia e Ulqinit dhe Prokurori i Shtetit në Ulqin paraqitën prova në lidhje me të gjitha aspektet e pjesëmarrësve në këtë ngjarje.

Markoviç tha se Qeveria e Malit të Zi synon që në të ardhmen, të përkushtohet vendosmërisht për të vepruar në planin e sigurimit të mbrojtjes dhe ruajtjes së pasurive kulturore të vendosura në territorin e Malit të Zi.

Disa qindra qytetarë shqiptarë nga Ana e Malit, zonë e Ulqinit kanë protestuar të dielën me 8 korrik, në lokalitetin arkeologjik në Shas kundër paralajmërimit të Kishës Ortodokse Serbe për mbajtjen e liturgjisë dhe pagëzimin e Kishës së Shën Gjonit në Qytetin e Vjetër të Shasit.

Banorët vendas dhe disa përfaqësues politikë të Ulqinit janë konfliktuar verbalisht dhe kanë penguar fizikisht kalimin e përfaqësuesve të Kishës Ortodokse Serbe në Kishën e Shën Gjonit në Shas.

VOA