Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, paraqiti dorëheqjen pasi ka marrë ftesë për t’u marrë në pyetje në Hagë

Ai tha se është thirrur në Prokurorinë e Posaçme për krime lufte në Hagë ku do të paraqitet javën që vjen.

Zoti Haradinaj tha se nuk mund të lejonte që të paraqitej atje në cilësinë e kryeministrit dhe për këtë arsye ka paraqitur dorëheqje të pakthyeshme.

Në një letër drejtuar qytetarëve të Kosovës, zoti Haradinaj shkroi se “nderi Kryeministrit dhe Shtetit duhet të ruhet dhe unë nuk e poshtëroj asnjëherë. Në Hagë si Ramush Haradinaj do t’i dal përball shpifësve, ashtu si e kërkon nderi i luftëtarit shqiptar. Pastërtia ime dhe e luftës së UÇK-së, e konfirmuar nga dy aktgjykime nuk mund të njolloset nga askush dhe asnjëherë. Shteti im është Kosova, e paprekshme në multietnicitet, shumëgjuhësi, në territor e kufij”.

Ai shkroi më tutje se “Kosovës i bëhet presion i padrejtë për çmimin e njohjes nga Serbia. Ndarja apo Dodik Republika janë të papërballueshme për Kosovën dhe stabilitetin e rajonit. Si Kryeministër i Qeverisë së Kosovës besoj fuqishëm se çmimi për njohje është tregu dhe për këtë taksa duhet të jetë çmimi i njohjes. Bashkësia ndërkombëtare po bën gabim që po insiston në çmim të papërballueshëm për Kosovën për njohje. Lidershipi Kosovar po bën gabim se nuk po e fuqizon legjitimitetin e vendimit për taksën ndaj Serbisë. Herët a vonë do t’a kuptojmë se sa dëm i madh po i bëhet vendit me këtë mosunitet”.

Ai tha se tash i takon presidentit të vendit të marrë veprimet për ta çuar vendin në zgjedhjet e parakohshme.

Kjo është hera e dytë që zoti Haradinaj jep dorëheqje nga posti i kryeministrit. Ai dha dorëheqje nga posti i kryeministrit të vendit më 8 mars të vitit 2005 për t’u dorëzuar vullnetarisht në gjykatën për krime lufte ne hapësirat e ish Jugosllavisë, prokuroria e së cilës e akuzonte atë dhe dy bashkëluftëtarë të tij për krime lufte.

Procesi kundër zotit Haradinaj filloi më 5 mars të vitit 2007 dhe përfundoi në prill të vitit 2008 me pafajësinë e tij. Zoti Haradinaj u rikthye ne rigjykim të pjesshëm në korrik të vitit 2010, që ishte rasti i parë i atij lloji në veprimtarinë e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë.

Më 29 nëntor të vitit 2012 ai sërish u shpall i pafajshëm.

Tani ai është zyrtari më i lartë i thirrur për t’u paraqitur në Hagë, ku deri tash janë ftuar dhjetëra ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në fillim të muajit gusht të vitit 2015, parlamenti i Kosovës miratoi me shumicë votash ligjin për Gjykatën e Posaçme, që me emrat dhomat e specializuara, do të veprojë në Hagë, nën ligjet e Kosovës dhe me prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Martty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës.

Hetimet kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 1999 që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.