Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj: Kufijtë e Kosovës lëvizin vetëm me luftë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, hodhi poshtë të gjitha idetë për ndryshim të kufijve të Kosovës. Në një konferencë për mediat, pas mbledhjes së qeverisë, Haradinaj tha se kufijtë e sotëm të Kosovës janë vendosur me luftën e UÇK dhe NATO-s dhe lëvizin vetëm me luftë.

“Këta kufij janë vendosur nga lufta e fundit, nga UÇK-ja dhe NATO-ja, dhe nga kontributi i atyre që kanë dhënë më herët. Ajo çka ka mbetur me Serbinë, është njohja e Kosovës me këta kufij”, tha kryeministri i Kosovës. Deklarata e Haradinaj vjen pas konferencës që dha paraditen e sotme presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili la të kuptohet se po diskutohet dhe një plan për shkëmbim kufijsh. Ndërkohë që një ide të ngjashme, por me “korrigjim kufijsh” e ka prezantuar prej disa javësh dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka thënë se Lugina e Preshevës do të jetë e Kosovës. Por ky qëndrim i Thaçit nënkuptohet në Serbi si hapje e mundësisë për marrjen e komunave serbe në Veri të Kosovës. Këtë ide Aleksandër Vuçiç e prezantoi në një formë tjetër ku tha se një arsye pse duhet marrëveshje me shqiptarët janë dhe arsyet demografike (popullsia). Haradinaj foli dhe për draft-statutin për Asociacionin të komunave serbe në veri të Kosovës. Ai tha se dokumenti është dorëzuar dhe hartuesit e tij e kanë për obligim që të jetë në përputhje me ligjet e Kosovës.

Lidhur me aksionin e KFOR-it në liqenin e Ujmanit, Haradinaj tha se ky është një ushtrim dhe aktivitet i zakonshëm i sigurisë nga NATO.

Dje në mediat e Prishtinës u raportua se ndaj kryeministrit ka pasur kërcënime me jetë. I pyetur nga gazetarët se a ka qenë i kërcënuar së fundmi, Haradinaj tha se ndihet shumë i sigurt. Ndërkohë njoftohet për një vizitë urgjente, të pa planifikuar, të kryeministrit kosovar Ramush Haradinaj në qytetin e Vlorës dhe vendosja e një tufe lulesh te Monumenti i Pavarësisë në Vlorë, pikërisht në qytetin e Flamurit, kur Shqipëria (dhe Kosova) u shpallën shtet i pavarur. Simbolika e këtij veprimi është haptaz e qartë kundër presidentit Hashim Thaçi i cili ka hedhur idenë e shkëmbimit të kufinjve mes Serbisë dhe Kosovës.