Kryeministri Edi Rama në komitetin e koordinimit të emergjencave: Të identifikohen dëmet, prioritet familjet në nevojë

Kryeministri Edi Rama mblodhi pasditen e sotme komitetin e koordinimit të emergjencave për t’u informuar lidhur me situatën e krijuar nga përmbytjet e dy ditëve të fundit. Pasi shprehu mirënjohjen për angazhimin e të gjithëve, në radhë të parë të forcave ushtarake dhe policore në terren, por edhe deputetëve të çdo krahu politik që iu gjendën njerëzve në nevojë, Rama u shpreh se procesi i identifikimit të dëmeve do të nisë sa më parë, me prioritet banesat e familjeve në nevojë, shkollat dhe urat.

“Identifikimi dhe inventarizimi i dëmeve dhe pasojave, duke renditur banesat të parat, pastaj rrugët, urat, shkollat që janë prekur dhe ku duhet ndërhyrë menjëherë për të bërë të mundur që mësimi të nisë sa më parë”, u shpreh shefi i Qeverisë.

Sipas Ramës përgatitja e faturave të zhdëmtimeve do të bëhet në transparencë dhe seriozitet të plotë.

“Fatura e zhdëmtimeve dhe kompensimeve duhet përgatitur me transparencën dhe seriozitetin më të madh, që askush nga njerëzit e prekur dhe familjet në nevojë të mos mbetet jashtë listës. Planet për rivendosjen e situatës normale të infrastrukturës duhen përgatitur me shpejtësi”, vijoi ai./shqip/