Kryeministri Edi Rama: Keqardhje për akuzat ndaj Ruçit. Qeveria e re, do jetë e popullit

Kryeministri Rama ka shprehur keqardhjen e tij për baltën dhe akuzat e hedhura nga opozita për zgjedhjen e Gramoz Ruçit si kryetar i ri i Kuvendit të Shqipërisë.

Në komunikimin javor në “Facebook”, Rama tha se Ruçi meriton të jetë në atë post, sepse është deputeti me përvojën më të gjatë parlamentare. Sipas tij, Kuvendi s’do të jetë më klubi i ligjëratave pa rend ditë dhe etike.

“Dje kemi zgjedhur kryetarin e ri të Kuvendit, deputetin me përvojnë më të gjatë parlamentare i cili pa pikë dyshimi do jetë garant i palëkndur i bashkëjetesës së shumicës qeverisëse dhe opozitës në Kuvend. Keqardhje për sulmet dhe baltën ndaj kryetarit të ri të Kuvendit të cilat janë jehonë e zbraztisë së ideve që ka karakterizuar opozitën për vite të tera. Koha do ta tregojë shumë shpejt ndryshimin e cilësisë në drejtimin e Kuvendit që nuk do të jetë më klubi i ligjëratave pa rend dite pa kufi etik e kohor në një lumë fjalësh sipas hesapeve partiake e personale të ligjvënesve”, – deklaroi Rama.

Ai njoftoi se nesër do të prezantojë programin e qeverisë së tij për mandatin e ardhshëm 4-vjeçar. “Është fillimi i ndryshimit kapilar në shtet dhe kryesisht në administratë. Do punoj me mish e shpirt vetëm për të mirën tuaj. Qeveria e re është krijuar për të qenë qeveria e juaj. Qeveria e re do të jetë një koalicion me njerëzit e zakonshëm”, – nënvizoi kryeministri.

“Nesër në orën 10 do të marr fjalën në kuvend për programin e qeverisë dhe pas marrjes së besimit nga kuvendi, qeveria do të bëjë betimin dhe do të nisë menjëherë nga puna me mbledhjen epara e cila do të shpallë vitin mbarëkombëtarë të Skëndërbeut dhe do të vendosë për lehtësimet e para të barës së burokracisë nga shpatullat e njerëzve të zakonshëm”, – theksoi Rama.