Kryedemokrati denoncon në Bruksel qeverinë: Emërimi me vetëm votat e PS-së të Kryeprokurorit tentativë për kapjen e drejtësisë

Në ditën e dytë të qëndrimit të tij në Bruksel, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u takua në Bruksel me Presidentin e Partisë Popullore Europiane, Joseph Daul. Selia blu njoftoi pasditen e djeshme se pozita e vështirë në të cilën qeveria e ka vënë Shqipërinë dhe integrimin e saj europian, ishte tema kryesore e takimit. Në këtë takim, kryetari i demokratëve ndau me Presidentin e PPE-ve, shqetësimin se mbrojtja politike, përmes imunitetit parlamentar, e ish-Ministrit të Brendshëm Tahiri, i akuzuar për trafik ndërkombëtar droge, dështimi i policisë për të arrestuar tre ish drejtues të lartë të saj për të njëjtën dosje droge, si dhe përpjekja për të emëruar një Prokuror të Përgjithshëm vetëm me votat e PS, janë veprime te qeverisë për të penguar drejtësinë dhe që minojnë shanset e vendit për integrim europian. Me Presidentin Daul u bisedua edhe rreth shqetësimit të shumë vendeve anëtare të Bashkimit Europian në drejtim të hapave që vend ynë duhet të ndërmarrë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Rezultatet në luftën kundër krimit, drogës dhe korrupsionit konsiderohen si kushte të patejkalueshme për integrimin europian të Shqipërisë. Kreu i PD tha se interesi më i mirë i shqiptarëve është nisja e bisedimeve për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Kërcënimi dhe pengesa kryesore mbetet kriminalizimi i politikës dhe ekonomisë së vendit. Për të avancuar projektin europian të vendit opozita ka parashtruar si zgjidhje politike krijimin e një qeverie anti-mafia, që do të shkëpusë lidhjet e krimit me politikën, do të përgatisë një reformë të vërtetë zgjedhore dhe do ta çojë vendin me sukses drejt një qeverie legjitime përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme. Kryetari Basha e falenderoi Presidentin e PPE-së Joseph Daul si një nga zërat e parë të Europës që denoncoi kriminalizimin dhe fenomenin e kanabizimit të Shqipërisë. Presidenti Daul i garantoi Lulzim Bashës mbështetje të plotë të PPE-së për Partinë Demokratike si alternativë qeverisëse.