Kryedemokrati Basha takon FMN: Qeveria po planifikon tu japë 146 milionë dollarë 13 njerëzve

Kryetari i Partisë Demokratike priti këtë të hënë në zyrën e tij përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar në në Uashington dhe për rajonin në Vjenë, me të cilët ai tha se i vetmi lajm i mirë që ndau me ta është që PD dhe opozita, me ndihmën e partnerëve perëndimorë, kanë një plan të qartë për ta nxjerrë vendin nga kriza e thellë ekonomike. Menjëherë pas takimit ai tha se Edi Rama e ka përqendruar ekonominë në pak duar oligarkësh. Me 13 koncesione dhe PPP, ai u jep nga buxheti 146 milionë euro në vit. Vendi nuk ka mundësi t’i paguajë, kriza thellohet, borxhi rritet. “Një ndër problemet kryesore është dhe mbetet çështja e qindra milionë dollarëve, të cilat, në vend që të shkojnë për të ndihmuar shtresat në nevojë apo për të hartuar politika që rrisin pagat e pensionet, apo për investime publike që ndihmojnë ekonominë, përfundojnë në duart e 13 oligarkëve që kanë 13 të ashtuquajtura konçensione apo PPP, por, që në fakt, janë skema të pastra vjedhje. Ajo pra, që në Shkodër një nga të rinjtë e quajti kalçeto e oligarkisë, sot dhe në vitin e ardhshëm, në qofte se buxheti që kanë planifikuar do të kalojë, përbën një vjedhje, një makutëri të babëzitur, një vjedhje të hapur të qindra milionë dollarëve, 146 milion dollarë që planifikohen t’u jepen 13 njerëzve për PPP-ra e konçensione, që quhentë tilla se nuk janë në fakt. Kjo do të çojë në thellim të krizës, sepse jo vetëm vendi nuk ka mundësi t’i paguajë këto, qytetarët nuk kanë më mundësi t’i paguajnë, por do të çojë edhe në një rritje të mëtejshme të borxhit publik. Rruga për daljen nga kjo krizë është e qartë. Lajmi i vetëm i mirë që ndava me FMN-në, është që opozita e bashkuar dhe Partia Demokratike me ndihmën e partnerëve perëndimore, kanë një plan të qartë për ta ndalur këtë krizë ekonomike dhe për ta nxjerrë vendin nga kjo krizë ekonomike. Me planin tonë ekonomik, një pjesë e të cilit ka filluar të shpaloset edhe gjatë “Rrugëtimit tim për Shqipërinë”, ne do t’ia dalim, në radhë të parë, të ndalim menjëherë këto koncensione korruptive, të rikthejmë paratë e destinuara për 13 oligarkët, 13 kontratat korruptive, tek qytetarët, tek universitetet, tek studentët, tek fermerët, tek biznesi i vogël. Së dyti do të arrijmë t’i kthejmë kushtet e përgjithshme ligjore, në veçanti të barazisë para ligjit, të konkurencës, të tregut të lirë dhe jo të monopoleve. Dhe kushtet e favorshme për biznes, duke eleminuar dhjetëra qindra barriera të hapura, të fshehura, kurthe, gropa, që i hapin biznesit nga mëngjesi deri në darkë, duke eleminuar bandat e inspektorëve tatimorë që i terrorizojnë nga mëngjesi deri në darkë. Një plan pra që do të mundësojë që biznesi, nesër, qeverinë ta ketë në krah duke e ndihmuar, dhe jo siç e ka sot, si kërcënimin kryesor dhe shqetësimin kryesor, që nga mëngjesi kur zgjohen për të shkuar në punë e deri në mbrëmje, kur mbyllin aktivitetin e tyre të biznesit, shqetësimi dhe ankthi i tyre kryesor është: çfarë proçke do na bëjë sot qeveria! Çfarë presioni do të kemi sot nga tatimorët, nga inspektorët! Sa gjoba duhet të paguajmë sot, drejtëpërdrejtë apo si ryshfet, për të vazhduar për të mbijetuar. Kjo situatë nuk mund të vazhdojë më kështu dhe nuk ka më pse të jetë kështu”, tha Basha. Ndërkaq, kryedemokrati kishte dhe një përgjigje lidhur me deklaratat e djeshme të kryeministrit Rama i cili teksa pranoi që ky vit që po lëmë pas, ka qenë një vit i vështirë për ekonominë, tha se shkaku kryesor për këtë ka qenë opozita. “Ja ta them unë. Fajin e ka opozita, fajin e ka media, fajin e ka Macron, fajin e ka Franca, fajin e ka Europa, fajin e ka Amerika! Kur është në pushtet Obama, fajin e ka Trump, kur është në pushtet Trump, fajin e ka kundërshtari i Trump! Fajin e kanë të gjithë, vetëm Edi Rama s’ka faj! E vetmja përgjigje që kam për këtë, është që të hapë veshët dhe të dëgjojë mirë, se nga Shkodra deri në Vlorë, nga Tirana në Korçë, mesazhi është i qartë: Largimi i kësaj qeverie dhe hapja e rrugës për zgjedhje të lira e të ndershme është ilaçi për këtë krizë të thellë politike që është arsyeja e krizës ekonomike dhe krizës sociale. Kjo krizë politike, themelin e ka tek kapja e gjithë pushteteve, te babëzia për pushtet dhe për para e Edi Ramës dhe bandës së tij”, tha Basha.