Kryedemokrati Basha: 27 janar ora 12:00 protestë mbarëpopullore kundër varfërisë, për politikën dhe drejtësinë të çliruar nga krimi

Zyrtarisht grupi i Partisë Demokratike ka vendosur që në datë 27 janar ora 12:00 para Kryeministrisë do të zhvillohet protesta e parë për këtë vit kundër qeverisë Rama. Gjithashtu në mbledhje është vendosur që të mos ketë marrëdhënie të kushtëzuar me parlamentin, pasi deputetët demokratë do të jenë të pranishëm në seancën e parë për këtë vit që do të mbahet ditën e hënë në orën 17:00. Ndërkaq, menjëherë pas mbledhjes me grupin parlamentar, kryedemokrati Basha do të zhvillonte një tjetër takim në selinë blu, ku do të priste edhe kryetarët e degëve të PD-së në rrethe në kuadër të organizimit të protestës së 27 janarit. Për këtë arsye, në përfundim të takimeve me deputetët dhe krerët e degëve, kreu demokrat, Lulzim Basha, iu ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve t’i bashkohen protestës së opozitës, e cila do të nisë më 27 janar. Basha tha se qëllimi kryesor dhe i vetëm i opozitës është lufta ndaj paligjshmërisë, që sipas tij, po sundon sot në vend. “Ftojmë të gjithë shqiptarët të na bashkohen me datë 27 janar, të shtunën në orën 12.00, në një protestë mbarëpopullore kundër varfërisë, kundër krizës ekonomike, kundër papunësisë, kundër padrejtësisë dhe drejtësisë së kapur politikisht, për një drejtësi të çliruar nga krimi, të çliruar nga politika dhe pushteti i bërë njësh me krimin. Drejtësi për të papunët, drejtësi për të rinjtë, drejtësi për studentët, drejtësi për ata që duan ta ndërtojnë jetën në Shqipëri dhe jo të largohen si emigrantë dhe t’i dorëzohen fatit e rrugëve të kurbetit. Dhe gjithçka nis nga kthimi i paligjshmërisë në vend. Nëse sot kemi një narkoshtet, siç fakton raporti i sapo-publikuar i CIA-s i SHBA-së, ky narkoshtet është ndërtuar mbi paligjshmërinë. Paligjshmëria është themeli i zgjedhjeve të kapura, i votës së shantazhuar, i blerë e i kërcënuar i shqiptarëve që ka çuar në një Parlament të paligjshëm, në një qeveri të paligjshme, në një kryeministër të paligjshëm, që pastaj e ka të domosdoshme kapjen e një prokurori të paligjshëm, për të mbrojtur paligjshmëritë për të mbrojtur aferat kriminale dhe korruptive, për të mbyllur dosjet e krimit dhe të korrupsionit. Pasojat e paligjshmërisë i ndjen çdo shqiptar. Papunësia ka për rezultat paligjshmërinë e cila i merr pasuritë dhe paratë e taksapaguesve të këtij vendi dhe i shpërndan tek një grusht sunduesish, në vend që t’i çojnë në spitalet që vuajnë nga mungesa e ilaçeve, nga mungesa e mjekëve dhe infermierëve, në vend që t’i çojnë në shkollat që nuk kanë ngrohje, në vend që t’i çojnë në investime, të hapin vende të reja pune, duke ndihmuar ekonominë. Objektivi politik i opozitës i shpallur prej kohësh, nuk mund të jetë gjë tjetër veçse dhënia fund e kësaj paligjshmërie, përmes një qeverie antimafia me mandatin që të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme për një Shqipëri të taksave të ulëta, për një qeveri që garanton, përmes përpjekjeve të saj, mundësitë maksimale për punësim për njerëzit. Për një Shqipëri e cila ka çmimet e energjisë, naftës dhe ujit, jo më të lartat në rajon, dhe ndër më të lartat në rajon, por proporcionale me fuqinë blerëse të shqiptarëve. Ftojmë të gjithë shqiptarët të na bashkohen në këtë manifestim të madh proteste, e cila ka këtë qëllim; largimin e paligjshmërisë, duke nisur me largimin e një qeverie të paligjshme, me një qeveri Antimafia, që do t’i japë shqiptarëve, përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, qeverinë që meritojnë, të taksave të ulëta, të punësimit  dhe dinjitetit për çdo shqiptar. Partia Demokratike dhe natyrisht i gjithë koalicioni opozitar dhe të gjithë aleatët  në këtë përpjekje të përbashkët, kanë nisur dhe do të intensifikojnë me të gjithë qytetarët shqiptarë një dialog për t’i paraprirë kësaj proteste”- u shpreh kryedemokrati Basha.