Kryebashkiku i Tiranës, Erion Veliaj: Ndryshime ligjore që pasojat e zjarreve të mos i mbajnë taksapaguesit

Eksperienca austriake në përballimin dhe menaxhimin e situatave të emergjencave do të shërbejë edhe për shërbimet zjarrfikëse të Tiranës, policisë dhe urgjencave mjekësore, për t’u përgjigjur në kohë dhe me efikasitet në çdo rast. Në mjediset e Akademisë së Sigurisë në Tiranë, me ndihmën e kompanisë së mirënjohur austriake “WEBER-HYDRAULIK GmbH” dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe Bashkinë e Tiranës, nisi programi trajnimit për të gjitha shërbimet që përballojnë emergjencat civile.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndoqi nga afër demonstrimin praktik nga ekspertët austriakë, falenderoi punonjësit e shërbimit zjarrfikës të Tiranës për punën që bëjnë çdo ditë dhe u shpreh se ky është një investim që shkon në mbrojtje të jetës së njeriut dhe pronës.
Ai shtoi se ky trajnim merr një rëndësi shumë të madhe duke parë pasojat e zjarreve apo fatkeqësive që kanë ndodhur, si gjatë dimrit, ashtu edhe javët e fundit, në disa biznese në Tiranë. “Siç u pa edhe këtë fundjavë me disa nga zjarret që patëm, kur në një javë ra zjarr në 2 fabrika të ndryshme, kuptojmë se e vetmja gjë që mund ta marrim seriozisht është jeta edhe prona. Bëhemi serioz për politikën, për futbollin, për një mori kotësirash, por kur vjen puna tek jeta, tek shëndeti, kjo nuk ndodh. Mjafton që të shikosh makinat që janë këtu karakatinë, jam i sigurt që pavarësisht se janë aksidentuar, të gjithë kanë pasur siguracion makine. Ndërkohë, numri i njerëzve apo i bizneseve të siguruara është qesharak, krahasuar me numrin e hekurishteve qe kemi të siguruara”, deklaroi Veliaj.
Duke përmendur zjarrin që ra në fundjavë në një nga bizneset në zonën industriale, kryebashkiaku i Tiranës tha se janë të nevojshme edhe disa ndryshime në legjislacion, për të shmangur përgjegjësinë e qytetarëve për aksidente që vijnë nga mosrespektimi i detyrimeve ligjore nga vetë kompanitë, kur vjen puna te pagimi i dëmeve. “Ndoshta në përfundim të hetimeve për incidentin që ndodhi javën e fundit, por edhe me njohuritë që kanë kolegët, të shohim si mund të përmirësohen disa akte ligjore. Sot nuk ka sens që janë taksapaguesit ata që mbajnë barrën e kompanive të pasiguruara. Sot ose kompanitë e sigurimit, ose ata që janë të papërgjegjshëm në bizneset e tyre, duhet të mbulojnë një pjesë të kostos, në mos të gjithë koston. Për një taksapagues, që nuk ka asnjë faj, një gjyshe që është duke ndenjur në shtëpi, nuk ka asnjë arsye që me taksat modeste që merren prej saj të shkojë dhe të paguajë papërgjegjshmëritë e milionerëve”, tha Veliaj.
Ai theksoi se krahas këtij trajnimi dhe investimeve që bëjnë institucionet duhet dhe një emancipim kulturor nga vetë qytetarët, që të tregojnë më shumë përgjegjësi për jetën dhe sigurimin e pronës së tyre. “Nuk mund të kemi një përqindje qesharake të njerëzve që sigurojnë pronën, shtëpinë, jetën, dhe një përqindje të lartë prej detyrimit të atyre që sigurojnë makinën. Ndaj, besoj se ka nevojë për një revolucion të vërtetë kulturor për mënyrën se si e shikojmë dhe si e trajtojmë këtë çështje”, u shpreh Veliaj.
Menaxheri i kompanisë austriake për rajonin, Konstadin Bekos vlerësoi transformimin që ka pësuar Tirana edhe sa i përket shërbimeve të emergjencave civile, ndërsa vlerësoi si të domosdoshme trajnimin e ekipeve që merren me përballimin e situatave në teren. Ai tha se kjo kompani nuk trajnon vetëm zjarrfikësit, por edhe situatat e emergjencave civile, për mbrojtjen e mjedisit etj.