Kryebashkiakët e dënuar sipas listës, ja cilët janë

Përveç deputetëve, publikimi i listës së zyrtarëve të lartë që kanë pasur probleme me drejtësinë, ka shfaqur edhe emrat e disa kryebashkiakëve në rang vendi. Kështu, formularët e vetëdeklarimit të kryetarëve të bashkive në vend nxorën se paska edhe të zgjedhur vendorë që janë dënuar nga gjykatat, brenda, apo jashtë vendit. Ja cilët janë ata:

 

Elvis Roshi

Kryebashkiaku i Kavajës pranon se është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë në vitin 2000 nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kavajë, për krim dhe kundravajtje penale. Ka marrë dënim me gjobë. Pranon se ka qenë nën hetim për kryerjen e një vepre penale nga autoritetet gjermane në Mynchen para vitit 2002, por çuditërisht “nuk i kujtohen rezultatet e hetimit”.

Pranon se ka qenë i arrestuar nga organet ligjzbatuese për kryerjen e veprës penale “goditje për shkak të detyrës” në 10 mars 2013. Në përfundim të hetimit është konstatuar “pavlefshmëri i arrestit”. I pyetur nëse ndaj është caktuar ndonjëherë masë shtrënguese e sigurisë personale, Roshi ka pranuar është i caktuar masa “arrest me burg” dhe “detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”. Sa i përket rastit kur ishte nën hetimi nga autoritetet gjermane, Roshi thotë sërish se nuk i kujtohet.

Artur Bushi

Kryebashkiaku i Krujës nga formulari i dekriminalizimit, rezulton se ai ka qenë dy herë në hetim në shtetin italian, një herë për hetim një herë si i dyshuar për trafik narkotikësh.

 Agron Kapllanaj

Edhe kreu i Bashkisë së Mallakastrës, Agron Kapllanaj rezulton i dënuar në Itali për një ngjarje të ndodhur në 1995.

Artur Bardhi

Me publikun e formularëve të dekriminalizmit nga ana e KQZ, më problematikët po rezultojnë kryetarët e Bashkive. Formulari më i çuditshëm është ai i Kryetarit të Kurbinit, i cili ka katër emra. Si emër zyrtarë ai ka, Artur Bardhi, në formular janë të vendosur dhe këto emra: Gential Lila, Altin Tanushi, Gent Bushi. Emri që është i njohur ky kryetar është ai si Artur Bardhi por këto tre emra të tjerë siç thuhet dhe në formularin, janë gjeneralitete të përdorura, por të pa ndryshuara zyrtarisht, janë emra të padokumentuara.

Xhelal Mziu

Kryebashkiaku i Kamzës Pranon se ka qenë i dënuar me dy vjet burg nga Gjykata e Tiranës në vitin 2015, për “shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera”. Ndaj tij ishte vendosur fillimisht masa e sigurisë “arrest me burg”. Në vitin 2016 Gjykata e Apelit e ka shpallur të pafajshëm.