Kriza politike, presidenti Ilir Meta zhvilloi sot një takim me drejtuesit e partive të opozitës

Në Shqipëri, për afër 90 minuta, presidenti Ilir Meta zhvilloi sot me drejtuesit e partive të opozitës, një takim të kërkuar prej tij, pas përplasjes me shumicën lidhur me emërimet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. “Manipulimi i procesit të emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke synuar kapjen e Gjykatës Kushtetuese përmes rrëmbimit të të drejtës kushtetuese të Presidentit të Republikës për të bërë emërimet e tij, është skandali më flagrant i Reformës në Drejtësi dhe shkeljes së Kushtetutës”, është shprehur Presidenti Meta.

Kreu i Shtetit nuk respektoi afatin 30 ditor që ligji për Gjykatën ka përcaktuar për përzgjedhjen e kanidatëve, duke e motivuar këtë me faktin se sipas tij, duhej të zbatohej radha në emërime, e se i takonte parlamentit të plotësonte vakancën e vet të parë, dhe pastaj presidenti të vijonte me emërimin e kandidatit nga lista e tij. Sipas shumicës, duke mos respektuar afatin, automatikisht emërohej kandidatja e cila ishte në vendin e parë në listë, Arta Vorpsi. Por menjëherë pasi parlamenti zgjodhi dy emrat që i takonin atij, presidenti dekretoi kandidaten Marsida Xhaferllari, lëvizje e cila u konsiderua antikushtetuese nga parlamenti, por që u pranua nga vetë Gjykata e cila njohu Xhafllarin si kandidaten e saj.

Presidenti Meta sulmoi ashpër Këshillin e Emërimeve ne Drejtësi (KED) dhe drejtuesin e saj Ardian Dvorani, për procedurat e ndjekura me listat e kandidatëve, të cilat sipas tij synonin ta vinin Kreun e Shtetit përpara faktit të kryer. Edhe sot gjatë takimit, sipas njoftimit të shpërndarë nga presidenca, zoti Meta është shprehur se “nuk do të lejoj askënd të neutralizojë kompetencat e Presidentit të Republikës, siç ia njeh Kushtetuta e vendit, dhe se do të ndërmarr çdo veprim për të ndaluar këtë puç kushtetues”.

Lidhur me takimin, kryetari demokrat Lulzim Basha tha se ishin njohur me “prova tronditëse të ndërhyrjes flagrante të kryeministrit të vendit në procesin e reformës në drejtësi dhe, konkretisht, në procesin e emërimit të gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese. Këto prova dhe fakte tronditëse –theksoi ai më tej – vërtetojnë se qëllimi i vetëm i këtij kryeministri dhe kësaj qeverie është jo zbatimi i reformës në drejtësi, por kapja e institucioneve të drejtësisë dhe, në veçanti, kapja e Gjykatës Kushtetuese. Partia Demokratike dhe aleatët tanë e kanë konsideruar këtë prej fillimit një grusht kushtetues, por, përtej kësaj, edhe një provë më shumë se me këtë qeveri reforma në drejtësi është e rrezikuar, drejtësia e pavarur që nuk mbron, por ndëshkon politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin, mbetet një iluzion”.

Por çështja e Gjykatës Kushtetuese nuk ka qenë e vetmja që është diskutuar në takimin me presidentin. Zoti Basha tregoi se është folur dhe për krizën politike në vend dhe procesin e reformës zgjedhore. “Javën e ardhshme, Opozita e Bashkuar do të konkretizojë produktin e saj, që është dokumenti strategjik për reformën zgjedhore, me amendamente në të gjitha ligjet dhe ndërhyrjet e nevojshme në këto ligje, pra propozimin e plotë për refomën zgjedhore, ndërkohë që, nga ana tjetër, kemi patur refuzim të dialogut, kushtëzim të dialogut dhe sabotim të reformës zgjedhore. Për opozitën propozimet do të jenë gati jo më vonë sesa fillimi i dhjetorit. Për opozitën dhe për shqiptarët nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë alibi për të vonuar zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe zgjedhjet kushtetuese vendore në të njëjtën ditë si rrugëdalja e vetme nga kriza”, deklaroi zoti Basha.

Nga ana e tij, Kreu i Shtetit “përshëndeti hapat e ndërmarra nga opozita për miratimin pa asnjë vonesë të reformës zgjedhore, si dhe qëndrimin publik të Opozitës së Bashkuar për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme të menjëhershme, me qëllim kthimin e legjitimitetit të munguar Kuvendit të Shqipërisë dhe rivendosjes së dialogut politik në institucione”.