Kriza politike, Alami i Dhomës Amerikane: Investitorët të huaj e vendas po largohen nga Shqipëria

Kriza politike që ka përfshirë vendin prej më shumë se 4 muajsh që ka prodhuar djegia e mandateve të deputetëve nga ana e opozitës, dhe mungesa e një dialogu mes palëve që do ti japë fund klimës së tensionuar në vend ka bërë bashkë Forumin e Dhomave të Tregtisë dhe Shoqatat e Sipërmarrjes private që të shprehen në union mes tyre duke apeluar klasën politike shqiptare për kapërcimin e konfliktit politik, si mundësi për rikthimin e frymëmarrjes së ekonomisë së vendit. Sipas biznesit kriza të tilla politike janë të përsëritura në 30 vite demokraci duke u kthyer në një pengesë serioze për  ekonominë dhe për investimet. Për këtë çështje, gjatë emisionit “Argument”, mbrëmjen e së hënës, u diskutua alarmi më i fundit që bizneset shqiptare ngritën sa i përket impaktit të krizës politike në ekonomi. Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Mark Crawford, deklaroi se paqartësia që kanë tani investitorët, jo vetëm të huajt, por edhe ata vendas, bën që të largohen nga Shqipëria, kryesisht drejt rajonit. “Ka edhe disa investime që kanë bërë, ata janë me të vërtetë të shqetësuar. Tani ata po mendojnë a ta marrin dividentin, sepse është ulur pak dividenti dhe të investojnë jashtë, ose në Rajon. A do të ndryshojë dividenti? Pra a do të jetë në ardhmen ai më i lartë. Kështu që askush nuk është më i sigurtë ta thotë këtë. Por nëse ka një nxitim nga ana e tyre që janë shkaktuar nga problemet e politikës, është ky nxitim për të marrë dividentin dhe ta investojnë diku tjetër. Kështu që disa nga ata (investitorët) janë duke investuar edhe në Mal të Zi edhe në Kosovë”, deklaroi kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë Mark Crawford. Deklaratat e politikës shqiptare nuk përkojnë me realitetin sa i përket situatës së biznesit, deklaroi Mira Pogaçi, Drejtoreshë Ekzekutive e “Bashkimi Tregtar i Shqipërisë”.  “Nuk do ta cilësoja që biznesi është në krizë. Vërtetë vendi jonë është në disa kushte të veçanta. Marrim disa eleementë që duhen trajtuar. Vazhdimisht themi që noveli i korrupsionit në Shqipëri është i lartë, dhe biznesi do të ndikohet nga ky korrupsion, por në krizë nuk është. Deklaratat politike ndihen si të shkëputura nga realiteti i biznesit dhe nga realiteti qytetar. Domethënë ne po flasim diçka tjetër, për një vend tjetër, për një situatë tjetër, dhe faktori politik flet për një situatë krejt tjetër. Pra, ka një distancim total ndërkohë që nuk duhet të jetë”, u shpreh Mira Pogaçi. Nga ana tjetër, përfaqësuesi i “Deloitte”, Olindo Shehu, përforcoi edhe më tej këtë mendim duke deklaruar se politika duhet ta lerë të qetë biznesin, pasi në Shqipëri janë të lidhura ngushtë. “Ekonomia në Shqipëri është tej mase e lidhur ngushtë me politikën. Kjo si në çdo vend tjetër, por e veçanta e kësaj lidhjeje vjen për shkak se ne jemi vend i vogël, gjë që e bën akoma dhe më të lidhur. Kështu që rrjedhimisht dhe kjo krizë politike që neve kemi afekton çdo sektor të ekonomisë. Politika të bëjë vetë politikën dhe qytetarët e këtij vendi të jenë më aktivë për të marrë situatën në dorë”, nënvizoi Olindo Shehu. Dy ditë më parë kreu i dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Nikolin Jaka shprehet se nuk ka ende një faturë konkrete për dëmet që ka shkaktuar kriza politike, por theksoi se investimet kanë rënë, pasi për shkak të pasigurisë preferohet që paraja të depozitohet në banka. “Nuk duhet dhënë kurrë ky sinjal që ne duhet të ikim nga Shqipëria. Por, për hir të së vërtetës, klasa politike me krizën e vet të një pasnjëshme, e cila i shoqëron prej një periudhë  30-vjeçare dhe pothuajse është e njëjta precedencë, veç se ndërrohen kahet, vazhdon të krijojë një mosbesim të ndjeshëm edhe tek sipërmarrësi edhe tek qytetari. Në këtë situatë që është krijuar dilemat janë të mëdha, janë për këdo, për qytetarin dhe për investitorin. Por ajo që është më e rëndësishme është se ne nuk presim më interesin e investitorëve të huaj apo dhe të turistëve për të ardhur në Shqipëri. Çfarë do të bënte biznesi në këto kushte? Jam i bindur që edhe biznesi ka një agjendë për të bërë. Është e rëndësishme që ne të nxjerrim faturat që i shkaktohen ekonomisë, sipërmarrjes dhe qytetarit në raste të tilla kur krizat politika janë të tej zgjatura dhe të pakompromista”, u shpreh Nikolin Jaka.