Kreu i qeverisë greke, Aleksis Tsipras viziton sot Turqinë, mediat greke: Vizitë në fushë të minuar!

Kreu i qeverisë greke, Aleksis Tsipras viziton sot Turqinë dhe takohet me presidentin Erdogan. Shumë grekë janë skeptikë për këtë vizitë dhe nuk kanë munguar edhe kunjat në drejtim të Turqisë.

“Vizitë në fushë të minuar” kështu e titullon gazeta e Athinës “Ta Nea” vizitën e kryeministrit Tsipras në Turqi. “Një aventurë turke” shkruan portali online In.Gr. Sot kryeministri grek, Aleksis Tsipras takohet me presidentin turk, Rexhep Taip Erdogan në Ankara.

Pas këtij takimi kryeministri grek shkon në Stamboll për një bisedë më patriarkun ortodoks, Bartolomeun I. Në dhjetor të vitit 2017 ishte Erdogani në Athinë, si presidenti i parë turk pas 65 vitesh që i dedikoi një vizitë fqinjit.

Zëdhënësi i qeverisë greke, Dimitris Tzanakopoulos beson në përmirësimin e marrëdhënieve mes vendeve. “Të dyja palët do të punojnë në mënyrë konstruktive, me qëllim që të gjejmë zgjidhje për problemet tona bilaterale”, tha ai në një konferencë shtypi.

Gazeta Shqip