Kreu i PD-së tregon lidhjen e Ramës me kriminelin e kërkuar nga Interpoli, që Kryeministri mbron në Shijak

“Bomba” e Bashës: Rama na shantazhon të mërkurave me cubat

Emra të njohur të botës së krimit në vend kanë shantazhuar opozitën shqiptare dhe liderin e saj. Kreu i PD-së, Lulzim Basha, në studion e emisionit “Opinion”, theksoi mbrëmjen e djeshme se opozita ka denoncuar me emra dhe për hir të këtij denoncimi, Edi Rama i ka hedhur t’i bëjnë shantazh dhe kërcënime opozitës dhe kreut të saj. Basha theksoi se këto kërcënime vijnë gjithmonë ditën e mërkurë, para të enjtes me arsyen për t’i mbyllur gojën opozitës, ndërsa të enjten i ngarkuar me detyrën për t’i mbyllur gojën opozitës në parlament është Gramoz Ruçi. “Ky është Edi Rama, të mërkurën hedh cubat për të kërcënuar opozitën, të enjten hedh Gramoz Ruçin për t’i mbyllur gojën opozitës”, u shpreh Basha. Kujtojmë se në vitin 2015 Lulzim Bashës iu vendosën roje nga policia. Teksa ka folur për bandat dhe familjet mafioze në Shqipëri, Basha tha se këto emra dhe familje mafioze që ka denoncuar gjatë kësaj kohe, kanë shantazhuar opozitën dhe liderin e saj. Basha ka bërë dhe një denoncim të fortë për një person me precedentë penalë në Durrës. Basha tha se Durim Keçi, një i kërkuar për disa krime në Itali ishte hequr nga lista e Interpolit nga Edi Rama personalisht. Sipas tij, kreu i qeverisë e ka përdorur Keçin për fushatat e tij në vitet  2017, 2015, 2013, 2011, 2009, duke nxjerrë dhe foto që sipas Bashës, flasin për pjesëmarrjen e tij në takimet e Partisë Socialiste. Kreu i PD tha se ekzistojnë dhe tabulate telefonatash, ku tha se thuhet: “Sa të jetë Edi Rama kryeministër, nuk ka bir … të eskktradojë Keçin në Itali”. Nisur nga këto, kreu i PD-së u shpreh se Ruçi ka marrë udhëzime nga vetë Edi Rama që të vazhdojë në këtë mënyrë, që të mos i japë fjalën opozitës, sepse ka frikë nga denoncimet për lidhjet personale të Edi Ramës me bandat që po terrorizojnë vendin, nga Elbasani, Lushnje, Durrës, Shijakt, Vlorë e qytete të tjera. “Pse nuk është ekstraduar, mund të humbasë rrugës, mund ta çojë në shtëpi e të arratiset, ashtu si Mark Frroku pasi takoi në Pukë Edi Ramën. Në Shijak e Durrës Keçi ka bërë namin, falë tij e mori pushtetin Edi Rama dhe Vangjush Dako Lista e Interpolit kontrollohet nga Rama, ai e vendos se kush do arrestohet dhe jo. Rama nuk i çon në burg, se Rama është bosi i bosëve”- shtoi më tej Lulzim Basha.

Pjesë nga intervista e Bashës

Lulzim Basha: Ka një përpjekje të qëllimshme Edi Ramës që të bllokojë denoncimet e lidhjeve të tij me krimit. Sot në Shqipëri nuk sundon qeveria, nuk ka kontroll policie, por krimi. Ky është fakt që shqiptarët e shohin përditë. Ngjarja e tmerrshme në Lushnje, nuk është as hera e parë dhe as e fundit që ndodh këto muajt e fundit. Edhe në Vlorë, u dëmtua një fëmijë, në Lushnje u dëmtua një i moshuar. Qytetet tona i sundon me dorë të hekurt, krimi. Edi Rama i ka kërkuar Gramoz Ruçit që të bëjë një strategji, atë të mbylljes së gojës  së opozitës, duke përdorur dhunën e kartonëve. Sali Berisha e ka marrë fjalën për procedurë, për ligjin e ‘pakicave’ dhe gjatë këtyre 2 minutave Edi Rama ka përdorur një fjalor rrugaçëror. Flamur Noka kërkoi të merrte fjalën që ti thoshte Gramoz Ruçit që të dënohej Rama. Ruçi jo vetëm që nuk i dha fjalën, por e çoi në përjashtim të tij. Kjo është një skemë për ti ikur debatit.

Si do të vazhdojë opozita shqiptare? Dhe për krimin, sidomos për Elbasanin keni reaguar 1 javë me vonesë….

Për të dytën, kjo është një gënjeshtër e pastër. I pari që ka denoncuar faktin për Elbasanin, kam qenë unë. Korrespondentët heshtën. Heshtën mediat, deri sa unë në Fb denoncova faktin se makina e policisë ishte goditur nga Suel Çela dhe Sokol Sanxhaktari. Ambasadori Lu e ka thënë 1 javë pas meje. Edi Rama nuk po e zbaton rregullore, por po e shkel, pikërisht që të mos ketë debat, i friket publikimit të lidhjes së tij personale me krimin, me kriminelët që po sundojnë vendin. Ne do të luftojmë për të drejtën tonë, që është e garantuar nga Kushtetuta. Gramozi prandaj është vendosur aty për të bllokuar fjalën.