Kreu demokrat, Basha: Eksporti i Shqipërisë është droga, Rama s’do të shkëputet kurrë

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka cituar shefin e Antimafias italiane, Franko Roberti, i cili sipas tij i ka rënë edhe një herë këmbanave të alarmit për rrezikun që droga shqiptare po i sjell Italisë.

Duke iu referuar zyrtarit të lartë, përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, Basha ka deklaruar se droga po fuqizon krimin e organizuar dhe ka çuar në përplasje mes grupeve rivale mafioze që kërkojnë kontrollin e rrugëve të saj nga Shqipëria.

“Tashmë prodhimi kryesor i Shqipërisë, eksporti kryesor i Shqipërisë dhe marrëdhënia kryesore që Shqipëria ka me botën është droga. Droga shqiptare është tashmë kërcënim serioz për rendin në Itali dhe vende të tjera europiane. Në Shqipëri situata është akoma më dramatike sepse tani ekonomia dhe politika dominohen nga droga”, ka deklaruar Basha.

Sipas tij, shpëtimi nga kjo gjendje mund të vijë vetëm nga reagimi i gjithë shoqërisë. “Partia Demokratike prej katër vjetësh ka paralajmëruar për gjendjen dhe pasojat e pritshme të drogës.

Ka denoncuar politikanët dhe kriminelët e lidhur me drogën, ka ndërmarrë nisma ligjore kundër futjes në politikë të njerëzve të lidhur me drogën dhe krimin. Por përpjekjet e saj nuk mjaftojnë nëse media, shoqëria civile, intelektualët, biznesi dhe vetë qytetarët nuk reagojnë”, ka vijuar Basha.

Ai ka akuzuar kryeministrin Rama se nuk do të shkëputet kurrë nga droga, por do të vazhdojë të përdorë paratë që rrjedhin prej saj për të fuqizuar pushtetin e tij personal dhe për të blerë e manipuluar opinionin publik.

“Partia Demokratike do të vazhdojë të luftojë pa kompromis politikën e drogës, por është detyra e çdokujt që kërkon një shoqëri pa drogë dhe një të ardhme të sigurt të reagojë dhe veprojë për të krijuar së bashku një front kundër drogës dhe politikës së drogës”, ka shtuar Basha.