Kremtohet 106-vjetori i Federatës Panshqiptare “Vatra”, nderohen Elez Biberaj, Sami Repishti, Naum Prifti

Orgnizata më e vjetër e komunitetit shqiptaro-amerikan festoi mbrëmë 106 vjetorin e themelimit. Federata Panshqiptare Vatra e shënoi këtë përvjetor me një mbrëmje gala ku u nderuan një numër figurash të komunitetit që kanë dhënë kontribut në vite për kauzën shqiptare.

Salla e banketeve “Marina del Rey” në Bronx të Nju Jorkut, të premten, më 1 qershor, hapi dyert për qindra shqiptaro-amerikanë të mbledhur për mbrëmjen gala në nder të 106 vjetorit të Federatës Panshqiptare Vatra.

E themeluar në Boston të shtetit Masaçusets në vitin 1912, Vatra sot ka degë të saj në disa shtete amerikane ku ndodhen komunitete të mëdha shqiptaro-amerikanësh si Nju Jork, Uashington, Miçigan, Konektikat. Vatra e Fan Nolit, Faik Konicës dhe themeluesve të parë në Boston, sot është Vatra e të gjithë shqiptaro-amerikanëve të cilët punojnë për të avancuar interesat e komuniteteve të diasporës në Shtetet e Bashkuara, për të ruajtur traditat dhe gjuhën shqipe, dhe për të kontribuar sa të jetë e mundur në trojet shqiptare.

Me rastin e 106 vjetorit të themelimit të organizatës, Vatra nderoi tre figura të shquara shqiptaro-amerikane me çmimim për kontributet e tyre të vazhdueshme: shkrimtarin Naum Prifti, historianin dhe shkrimtarin Sami Repishti, si dhe gazetarin dhe drejtorin e Divizionit të Euro-Azisë të Zërit të Amerikës, Elez Biberaj.

Mbrëmjes nuk i munguan edhe shfaqje vallesh shqiptare të koreografuara, të interpretuara nga brezi i ri i shqiptaro-amerikanëve, të cilët vazhdojnë të ruajnë traditat shqiptare, në atdheun tyre të ri.