Kremtime në Romë për njëqind vjetorin e themelimit të Eparkisë arbëreshe të Ungrës

Kjo fund-javë, në Romë, do jetë përplot me takime, kremtime e programe kushtuar jubileut të 100-vjetorit të themelimit të Eparkisë (dioqezës) arbëreshe të Ungrës., themeluar me Kushtetutën Apostolike “Catholici fideles” të Papës Benedikti XV, më datën 13 shkurt 1919.

R.SH. – Vatikan

Kjo fund-javë, në Romë, do jetë përplot me takime, kremtime e programe kushtuar jubileut të 100-vjetorit të themelimit të Eparkisë (dioqezës) arbëreshe të Ungrës. Siç dihet, ky Vit  është një vit jubilar për Eparkinë arbëreshe të Ungrës, në Kalabri, kremton100-vjetorin e themelimit, përmes Kushtetutës Apostolike “Catholici fideles” të Papës Benedikti XV, që mban datën 13 shkurt 1919. Kështu në Romë janë  në program:

Të premten më 17 maj 2019, në ora 17.30, pranë Kishës së Shën Atanasit, në Via del Babuino n. 149 në Romë – do të përurohet Ekspozita me ikona bizantine dhe do të mbahet një koncert me muzikë baroke nga Albanian Baroque Ensemble. Në këtë ngjarje do të flasin Ambasadorja e Shqipërisë pranë shtetit italian, z. Anila Bitri, ipeshkvi (peshkopi) arbëresh  i Eparkisë së Ungrës imzot Donato Oliverio dhe Mjeshtri Stefano Armakolas – ikonograf.

Të shtunën më 18 maj 2019, në ora 17.00,  do të mbahet një Konferencë, pranë ‘Istituto Maria SS. Bambina’, në Via Paolo VI, n.21 – gjithnjë në Romë, për paraqitjen e dy vëllimeve “Historia e Eparkisë së Ungrës” përgatitur nga Papas A. Belusci e R. Burigana. Për paraqitjen e këtyre dy vëllimeve do të flasin: dr. Gianpaolo Rigotti – arkivist i Kongregatës së Selisë së Shenjtë për Kishat Lindore; don Francesco Cereda – vikar i Rektorit të Madh të Salezianëve, imzot Donato Oliverio – ipeshkëv i Eparkisë së Ungrës i cili do t’i drejtojë përshëndetjen të pranishmëve.

Të dielën më 19 maj 2019, në ora 10.30, pranë Kishës së Shën Atanasit, në Via del Babuino n. 149 në Romë, do të kremtohet Liturgjia Hyjnore kryesuar nga imzot Donato Oliverio.

Viti jubilar i 100-vjetorit të themelimit të Eparkisë së Ungrës, që u përurua të mërkurën, më 13 shkurt 2019, në orën 16.30, me Liturgjinë Hyjnore kremtuar në katedralen e shën Nikollit të Mirës, në Ungër, do të ketë pikën kulmore të shtunën më 25 maj, në ora 12.00, në Vatikan, me një audiencë të veçantë me Shenjtërinë e Tij Papën Françesku me besimtarët e klerin arbëresh të Eparkisë së Ungrës dhe të gjithë arbëreshët e shqiptarët, që duan të marrin pjesë në këtë ngjarje historike, të takimit e përqafimit të Papës me arbëreshët.

Eparkia a Dioqeza arbëreshe e Ungrës gjatë shekujsh pati e luajti një rrol vendimtar, sepse  ruajti rrënjët dhe identitetin  e komunitetit të shqiptarëve (arbëreshëve) që emigruan në Itali që në periudhën e pushtimit të Shqipërisë e të trevave shqiptare nga otomanët.

Quhen arbëreshë, pasi në kohën kur u larguan nga Shqipëria, ajo quhej Arbëri. Arbëreshët u vendosën në Itali pas vdekjes së heroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe pushtimit gradual të Shqipërisë dhe të gjithë Perandorisë Bizantine nga turqit osmanë. Edhe pse të larguar nga vendlindja para 600 vjetësh më parë, arbëreshët  nuk e kanë harruar vendin e të parëve dhe ruajnë të gjalla, traditat e tyre të pasura si gjuhën, veshjet dhe ritet e doket që kishin në mëmëdhe.