Kostot marramendëse të tryezës së familjeve shqiptare për natën e ndërrimit të viteve

SPECIALE JAVANEWS/ Priten shpenzime të mëdha për natën e Vitit të Ri. Kjo për të gjithë qytetarët, si për ata që kanë mjaftueshëm të ardhura, ashtu edhe për të tjerët, të cilët me sakrificë shumë të madhe arrijnë të mbushin më shumë se zakonisht tryezën, gjatë natës së ndërrimit të viteve. Nga një vëzhgim që i është bërë tregut, shumica e qytetarëve shqiptarë, ashtu si çdo vit tjetër mendojnë për ushqimin. Në listën e shpenzimeve kryesore, duke përfshirë këtu mënyrën tradicionale të përgatitjes së tavolinës, janë gjeli apo pula e detit, bakllavaja ose kadaifi, llojet e supave të zakonshme për tryezat shqiptare, byrekët, përzierja e gatimeve shqiptare me ato të huaja, si dhe pijet, asortiment pa të cilën nuk mund të konceptohet darka e ndërrimit të viteve.

Pijet më të parapëlqyera janë birra, vera, rakia, si dhe vitet e fundit është bërë pjesë e listës edhe shampanja. Kjo pije, sipas zakoneve të importuara nga vendet e tjera sjell fat, nëse hapet në orën 00:00. Megjithëse e gjithë kjo meny nëse renditet duket pak, shpenzimet për t‘i përgatitur të gjitha këto janë shumë. Vetëm për blerjen e gjelit të Vitit të Ri në kryeqytet secili duhet të llogarisë të nxjerrë nga kuleta jo më pak se 7 mijë lekë të reja. Tendenca është në rritje, sa më vonë aq më shtrenjtë. Edhe ëmbëlsira tradicionale e bakllavasë, duke përfshirë të gjitha “harxhet”, kushton të paktën 2 deri 3 mijë lekë të reja. Sipas një llogaritjeje të thjeshtë matematikore, pijet, zarzavatet, frutat, llojet e mishrave, peshku, apo përgatitja e pjatave speciale për darkën e ndërrimit të viteve, kushton nga 18.500 lekë të reja deri në 50.000 lek te reja.

Edhe restorantet në veri apo në jug të Shqipërisë kanë nxjerrë në treg oferta për të gjithë ata që duan të kalojnë ndryshe Vitin e Ri. Më të kërkuarat mbeten gjithmonë lokalet, restorantet dhe pubet në qendër të Tiranës. Për të kaluar natën e Vitit të Ri në restorantin e një hoteli me 4 apo 5 yje të kushton nga 8 mijë lekë deri në 15 mijë lekë të reja për person. Sigurisht, oferta mund të ketë të përfshira edhe shërbime ekstra, për të cilat duhet të paguash më shumë. Po ashtu, që të rezervosh pas orës 00:00 në një lokal apo pub të duhet të paguash për person nga 5 mijë deri në 10 mijë lekë të reja. Këtu, duke përfshirë vetëm pijet. Dhe veç darkës së Vitit të Ri, duhet t‘i shtosh listës së shpenzimeve edhe pagesat për rezervimet pas mesnate. Por jo vetëm kaq, me rastin e festave secili dëshiron të marrë dhe të japë dhurata. Kjo ka qenë një nga arsyet që vitet e fundit në vendin tonë festat si Krishtlindjet apo Viti i Ri janë pagëzuar si festa komerciale. Amvisat veç darkës dhe gatimeve kërkojnë të blejnë gjëra të reja për shtëpinë, për orendi kuzhine apo edhe për të blerë veshje të reja. Meshkujt kërkojnë të blejnë më shumë aksesorë të teknologjisë së fundit, si telefona, aparate fotografike apo pajisje të tjera. Më shumë se të gjithë të tjerët, janë vajzat që kërkojnë veshje këpucë, aksesorë e natyrisht pa munguar bizhuteritë. Nëse do të bëheshin të gjitha këto llogaritje për Vitin e Ri secili shpenzon jo vetëm rrogën apo fitimet e muajit, por edhe shpërblimet edhe kursimet e shumë kohëve.

E pavarësisht shpenzimeve dhe parave që dalin herë me dhimbje e herë me qejf, të gjithë nxitojnë t‘i thonë njëri-tjetrit “gëzuar, një vit të mbarë”, edhe pse më 1 janar ka rrezik të numërohen vetëm monedhat e mbetura metalike.

TRYEZA tradicionale PËR DARKËN E VITIT TË RI

 

Gjeli i  Detit  7-8 mijë lekë kg

Bakllavaja  2 mijë lekë kg

Frutat  15 mijë lekë

Pije 4- 10 mijë lekë

Perime 1 mijë lekë

ma.me/javanews.al