Kosova voton në zgjedhjet e parakohshme parlamentare

Një milion e 938 mijë votues të regjistruar vendosin sot për përbërjen e re të parlamentit 120 vendesh të Kosovës.

Zgjedhjet pasuan dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj me 19 korrik, pasi që u thirr për t’u marrë në pyetje në Prokurorinë e Posaçme në Hagë e cila trajton pretendimet për krime lufte dhe të pasluftës në Kosovë.

Rreth 900 qendra votimi me rreth 2 mijë vendvotime do të jenë të hapura deri në orën 19 sipas kohës së Evropës qendrore dhe votuesit do të zgjedhin në mesin e mbi 1 mijë kandidatëve të 25 subjekteve politike të të gjitha komuniteteve.

Rreth 30 mijë vëzhgues do të ndjekin nga afër zgjedhjet në mesin e të cilëve qindra vëzhgues të Bashkimit Evropian dhe të ambasadave perëndimore.

Mbi 6 mijë pjesëtarë të policisë dhe mbi 100 prokurorë e gjykatës do të kujdesen për sigurinë dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve në të cilat kandidaturën e tyre për postin e kryeministrit e kanë hedhur 7 veta.

Autoritetet vendase e ndërkombëtarë kanë bërë thirrje për zgjedhje të qeta dhe pjesëmarrje në shkallë të gjerë.

Ambasadori amerikan, Philip Kosnett, nëpërmjet një video mesazhi, tha se “në Kosovë, sikurse në Shtetet e Bashkuara, secila votë vlen. Secili zë ka rëndësi. Çfarëdo pikëpamje që keni, këdo që e mbështesni, më 6 tetor dilni dhe votoni. Për veten, për shtetin, për të ardhmen tuaj”, tha ai.

Ambasadori britanik, Nicholas Abbott, shkroi mes tjerash se “në çdo demokraci, akti i votimit, i pjesëmarrjes, i zgjedhjes ose ndryshimit se kush do të ju udhëheq, ka rëndësi. I inkurajoj të gjithë personat me të drejtë vote që të votojnë nesër, dhe ta bëjnë këtë me shpresë dhe kurajo”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Çfarë pritet pas zgjedhjeve?

Analistët pohojnë se rezultati i zgjedhjeve të sotme është vështirë i parashikueshëm sikundër edhe koalicionet e reja pas zgjedhjeve që janë të pashmangshme dhe deri tash asnjëherë nuk ka ndodhur që një parti e vetme të fitojë vota të mjaftueshme për të qeverisur e vetme.

Kjo ka bërë që ngritja e qeverive të jetë punë e vështirë, ndërsa rrëzimi i tyre shumë i lehtë. Asnjë qeveri nuk e ka çuar deri në fund mandatin e saj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Diplomatët kanë bërë thirrje që menjëherë pas zgjedhjeve të formohet shpejt një qeveri që do të përballet me sfidat që e presin Kosovën, në radhë të parë me ripërtëritjen e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Bisedimet janë pezulluar që nga nëntori i vitit 2018 kur Prishtina u vuri tarifa prej 100 për qind mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj fushatës së Beogradit kundër shtetësisë së Kosovës.

Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve me heqjen e tarifave, ndërsa qeveria e deritashme e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, i ka rezistuar trysnisë amerikane dhe evropiane për pezullimin apo heqjen e tyre.

Diplomatët amerikanë presin që kjo të ndodhë pas zgjedhjeve për të rihapur bisedimet dhe derisa në muajin gusht sekretari Mike Pompeo, emëroi zotin Mathew Palmer si të dërguarin e posaçëm për Ballkanin, të enjten presidenti Donald Trump, emëroi ambasadorin Richard Grenell, si të dërguarin e tij të posaçëm për bisedimet e paqes midis Kosovës dhe Serbisë.

Në dhjetor të vitit të kaluar, presidenti Trump u kishte shkruar presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, që të shfrytëzojnë kohën e duhur për të arritur një marrëveshje pajtimi, duke theksuar se “do të mirëpriste të dy presidentët në Shtëpinë e Bardhë, për të kremtuar atë që do jetë një marrëveshje historike”.

Vazhdimi i bisedimeve mund të pritet pas zgjedhjeve në Kosovë dhe diplomatët shpresojnë që kjo të ndodhë para se Serbia të hyjë në periudhën e zgjedhjeve që mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm.