Kosova dhe Shqipëria, sa shumë fjalë… për ndarjen

Ben Andoni

Me mbledhjet e përbashkëta, që përsëriten kaq shpesh, qeveritë respektive të Kosovës dhe Shqipërisë kanë gjetur një element shumë interesant, kur duan të shfryjnë pasiguritë e tyre dhe të ç‘tensionojnë situatat e ndera që i rrethojnë. Ato sëbashku, ku kjo e fundit mund të quhet disi maratonike, sepse nisi në Korçë dhe përfundoi në Vlorë duhet të vlerësohen për ritmin institucional, por aspak për atë që kanë arritur deri më tani në praktikë. Nga burimet zyrtare pas këtyre mbledhjeve flitet shpesh për produkt të mirë dhe realisht gjëra të prekshme. Vetëm se publiku në Kosovë e Shqipëri i gjykon ato si thjesht me sfond patriotik e patetike, por me asnjë impakt real për vendet tona. Vërtetë janë institucionalizuar marrëveshje për kulturën, gjuhën, ekonominë, dhe së fundmi marrëveshja lidhur me pensionet, që përbëjnë interes të madh për qytetarët, vetëm, kur të preken realisht dhe të japin ndikim atëherë do të konsiderohet produkti i këtyre mbledhjeve të maturuara shumë mirë nga ana protokollare. Të dy popujt shqiptarë, këndej dhe andej kufirit janë tashmë të sfilitura nga qeverisjet e dobëta, që kanë sjellë skamje ekonomike, papunësi galopante, arsimim katastrofik, nivelin e ulët të shëndetësisë, pa folur për kuotat e pensioneve, pabarazinë e tmerrshme sociale e mbi të gjitha me krimin që është rritur frikshëm. Rezultati: një masë e madhe e njerëzve tanë ikin e ikin dhe e kanë bërë Kosovën e Shqipërinë të renditen si ndër vendet e para në Evropë sa i përket të larguarve.

Edhe që Shqipëria dhe Kosova përsëritet se kanë marrëdhënie vëllazërore, kjo është bërë e lodhshme për veshët e njerëzve. Në fakt nuk kemi pse të jemi vëllezër, jemi një, në rast se konsiderohemi si pjesë e një trungu. E frikshme është mënyra sesi e përdorin politikanët këtë ligjëratë patetike për të fituar pikë. Pak muaj më parë, në një periudhë të turbulluar në vend, kryeministri i vendit Edi Rama doli me versionin e bashkimit me Kosovën, nëse do dështonte projekti i integrimit evropian. Të mendosh që deri më atëherë i njëjti kryeministër tregonte një fytyrë tjetër me Bashkimin Evropian në kuadër të procesit të Berlinit. Njësoj po ndodh me kryeministrin e ri të Kosovës, Ramush Haradinaj, para të cilit shtrihen probleme jetike dhe gati të papërballueshme për filozofinë e tij të drejtimit, me të cilin u përball në fushatë me qytetarët e vet. Erdhi me një qeveri maksimaliste në përbërje, ndryshe nga akuzat që bëri deri më atëherë për paraardhësit ndërsa për Demarkacionin sot e kësaj dite nuk ka dhënë një drejtim sesi do të procedojë, përveç propagandës dhe mëtimit të stërpërsëritur se kanë gjetur elementë që kufiri është në Çakorr.

Duke e ditur mentalitetin që sundon në dy vendet tona atëherë e kupton se nëse bashkimi dhe afrimi në një njësi me treg të përbashkët funksional ishte një realitet gati i prekshëm para luftës dhe pothuaj edhe pak pas luftës, tashmë ky opsion është tejet larg. Janë pengesa të stërmëdha që i bëjnë këto mundësi gati nul. Dhe, janë pengesa ende më të mëdha që dy shtetet të funksionojnë si duhet me një filozofi të përbashkët dhe të përafrojnë mentalitetet. Akoma qytetarët kosovarë janë të mësuar dhe të lidhur me mënyrën e vjetër sllave të jetuarit dhe të organizimit, ashtu si shqiptarët e Shqipërisë e kanë tejet larg mënyrën e jetesës kosovare me aksesorët e saj. Që do të thotë edhe shkëmbimet nuk mund të jenë të mëdha. Në praktikë ata nuk arrijnë njohjen e ndërsjellë të certifikatave shkollore, kumtonte në formë ironike “Der Standard” para do kohësh. Megjithatë, kryeministri shqiptar e ka zgjidhur mëdyshjen me shpalljen indirekt të “Shqipërisë së madhe” që e ka tundur frikën e nacionalistëve në Maqedoni dhe Serbi, që nuk lënë rast pa e kujtuar dhe u ankuar. Në një farë mënyre, Edi Rama ka bërë atë që presidenti Vuçiç e bën rregullisht ndaj Bashkimit Evropian duke i kujtuar Rusinë.

Duhet sqaruar se marrëdhënia Shqipëri-Kosovë është institucionale qysh në mbledhjen e parë të përbashkët në Prizren, kur është nënshkruar partneriteti strategjik mes dy vendeve. Nëse do të futesh në elementë teknikë ose specialistë të fushave të ndryshme mund të zbulojnë shumë anomali, që janë vërejtur në harkun kohor mes takimeve, por përshtypje bën se është shumë larg ajo që thuhet me atë që realizohet. A mund të thotë një burim zyrtar pse Autostrada e Kombit është sot e kësaj dite e pambaruar? Ajo arrin deri në Milot. E të shkosh në Durrës të duhen dhe po aq sa nga Prishtina. A mund të thotë dikush vallë pse Porti i Shëngjinit, që do të ishte porti i Kosovës nuk është i tillë, ende sot e kësaj dite? A mund të thotë dikush pse përsëriten anomalitë në tregtimet e mallrave mes dy vendeve tona? Apo pse nuk punon si duhet portali albanologjik, që duhej mbajtur më kontributet e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë dhe  Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”? Pse u shpall xhanëm kur nuk e mbanin dot?!

Ashtu, si është përsëritur, marrëveshjet do funksionojnë kur të krijohen dhe të punojnë si duhet mekanizmat ekonomikë. Jashtë retorikave, por në vazhdë të atyre dokumenteve që janë firmosur ka ardhur koha që institucionet të krijojnë mekanizmat e duhura t’u japin jetë marrëveshjeve bashkë me instrumentet e duhura të monitorimit. Me çfarë kuptohet nuk ka buxhete të përcaktuara, sa i përket bashkëpunimeve në kulturë, art, media dhe sport dhe kjo vazhdon edhe me sektorët e tjera, ndaj kjo i bën marrëveshjet që të jenë shumë burokratike dhe korteziale. Ndaj, në një pikë, të gjitha vërejtjet bashkohen: koreografitë patriotike dhe nënshkrimi i dokumenteve të shumta është tejet larg nivelit të vërtetë të marrëdhënieve të Shqipërisë me Kosovën. Vërtetë ka shumë syresh, gati të pamundura të numërohen, porse mbetet një mal me detyra të lëna përgjysmë mes dikasteresh të tëra.

Dhe, në këtë rast, kur vjen puna te bilanci atëherë ia vlen që këto takime të dëgjohen, por të konsiderohen vetëm nëse do të trandin diçka. Deri më tani, tam-tamet patriotike për rezultatet pozitive nuk i pengojnë shqiptarët e kosovarët të ikin nga sytë e këmbët e larg vendeve të tyre. (Gazeta shqiptare)