Koronavirusi: Sa kohë do të duhet për të kuptuar nëse masat kufizuese funksionojnë?

Në Kinë, mbyllja funksionoi menjëherë, por u kuptua pas 12 ditësh: dhe mospërputhja kohore midis asaj që dimë dhe asaj që po ndodh, jepet nga fakti se ajo që ne shohim ka ndodhur (rreth) 7 ditë më parë

Sa kohë do të duhet për të kuptuar nëse kufizimet funksionojnë? Një studim që ka mbledhur më shumë se 24 milion vëzhgime, shumë i hollësishëm dhe i gjatë, mund të na japë disa njohuri mbi përparimin e epidemisë.

Kina na ndihmon të kuptojmë

Analiza në fjalë është përpiluar nga Tomas Pueyo, 33 vjeç: MBA në Universitetin e Stanfordit, nënkryetar për rritjen në “Course Hero”, një platformë mësimore në internet e vlerësuar me 1.1 miliard dollarë sot, dhe titullohet: “Pse duhet të veprosh tani”. Analizon të dhëna dhe tendenca të ndryshme të COVID-19 në të gjithë botën, duke u përqëndruar në gabime dhe strategji që duhet të miratohen, dhe padyshim duke u nisur nga ajo që ndodhi në Kinë, e cila është shumë indikative: jo vetëm sepse Kina është vendi më i prekur deri më tani, por edhe sepse nga pikëpamja kohore është prekur më herët se të gjithë të tjerët. Dhe në një farë mënyre, tashmë është jashtë situatës së urgjencës. Prandaj është një shembull që mund të studiohet më mirë, sepse ka të dhëna më të plota.

Raste reale, raste të njohura

Grafiku i detajuar i publikuar nga Tomas Pueyo në faqen e internetit të medium.com që shihet më poshtë, tregon trendin (në Kinë në provincën e Hubei, më e prekura) të numrit të rasteve të konfirmuara për çdo ditë të vetme. Kolonat ngjyrë blu tregojnë rastet e përditshme reale të koronavirusit. CDC kineze (Qendra për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve) i siguroi këto të dhëna, duke i pyetur pacientët që trajtohen, se kur filluan simptomat e tyre. Kolonat ngjyrë portokalli tregojnë se çfarë dinin autoritetet dhe ato në kuadratin me vizë ngjyrë gri, tregojnë se çfarë po ndodhte në të vërtetë: rastet reale nuk dihen menjëherë, ato mund të zbulohen vetëm duke i parë më pas në kohë.

Diferenca 12-ditore

Ajo që na tregon Tomas Pueyo është se midis 23 dhe 24 Janarit (mbyllja e Vuhanit dhe mbyllja e 15 qyteteve në Hubei) rastet reale patën një kulm dhe më pas filluan të binin dy ditë më vonë. Përkundrazi, rastet portokalli (zyrtare) u rritën në mënyrë eksponenciale për 12 ditë të tjera. Por në realitet nuk ishte ashtu. “Rritja – thuhet në studim – ishte dhënë nga njerëz që, duke pasur simptoma më të forta, shkuan te mjeku dhe përmirësuan sistemet e zbulimit të virusit”. Për më tepër, mospërputhja jepet nga vonesa në kohë midis fillimit të simptomave (mesatarisht 5 ditë pas infeksionit) dhe mbërritjes së rezultateve të tamponeve.

Nënvlerësimet në fillim të një epidemie

Fakti tjetër i rëndësishëm që theksohet, është se rastet reale mund të jenë, në fillim të një epidemie, shumë më tepër sesa ato të vlerësuara: kur në Vuhan menduan se kishin 444 raste, ata ishin në fakt 27 herë më shumë. E kundërta ndodh kur kurba e ngjitjes zvogëlohet: ka ende shumë raste zyrtare por ato realet po zvogëlohen.

Veçoria e Italisë

Dhe vijmë në Itali: ISS (Istituto Superiore di Sanità) nxjerr gjithashtu një buletin që përmban një grafik të ngjashëm: me blu datën e fillimit të simptomave dhe me bojëqiell rastet e diagnostikuara të përditësuara deri më 14 Mars. Problemi me situatën italiane është se është ende shumë herët për të ndërtuar kurba të sakta. Po ISS specifikon në një shënim: “Të dhënat më të fundit (kutia gri) duhet të konsiderohen të përkohshme, si për vonesën në njoftimin e rasteve më të fundit, ashtu edhe për shkak se rastet ende të pa diagnostikuara do të raportojnë pjesërisht datën e fillimit të simptomave në ditët e kutisë gri”.

Dhe më tej poshtë në aneksin metodologjik: “Duhet të theksohet se të dhënat e mbledhura janë në një fazë të konsolidimit të vazhdueshëm dhe, siç ndodh në raste emergjence, disa informacione janë jo të plota. Në mënyrë të veçantë, raportohet mundësia e vonesës për disa ditë midis momentit të ekzekutimit të tamponit për diagnostikim dhe raportimit në platformën e dedikuar, veçanërisht në Rajonet ku po bëhet një transmetim i qëndrueshëm lokal i virusit. Rënia e vërejtur në kurbat e epidemisë në dy ditët e fundit, pra, duhet të interpretohet si vonesë në raportim dhe jo si përshkrim i përparimit të epidemisë”.

Politikat e tamponeve dhe simptomave

Jo vetëm kaq. Secili vend miraton politika të ndryshme për të vendosur tamponet e rasteve pozitive, të cilat ndër të tjera ndryshojnë me kalimin e kohës: në Itali tani tamponat bëhen vetëm për njerëzit me simptoma të dukshme dhe serioze, dhe që dyshohen se kanë rënë në kontakt me persona pozitivë. Sondazhi mbi fillimin e simptomave në vend (kolonat blu) flet për të dhëna “të mbledhura nga laboratorët rajonalë të referencës”, prandaj nuk është e qartë se sa përfaqësojnë popullsinë që ka disa simptoma të buta dhe kush “kurohet” në shtëpi. Si u bënë hetimet në Kinë dhe si u bënë në Itali?

Çfarë dimë?

Ajo që mund të themi, me siguri, duke u nisur nga trendi i një kurbe më “të sigurtë” është se kur qytetet “mbyllen” rastet menjëherë ndalen dhe ulen, por “dihet”, me 12 ditë diferencë.

Lajm i mirë?

Duke parë trendin e rasteve të Lombardisë, që është rajoni ku ka pasur mbyllje për kohën më të gjatë, vërejmë jo një ulje, por të paktën një ngadalësim të lehtë në disa kurba provincash. Eshtë herët për të thënë, por shpresojmë që ajo që ne shohim është më keq se të dhënat reale, megjithëse është e vështirë ta thuash me siguri.

Kur do të arrijmë në kulmin?

Teorikisht ne tani shohim efektet e sjelljes së një jave më parë dhe në një javë do të shohim efektin e mbylljes “totale”. Gjithmonë “afërsisht”. Dhe në lidhje me kulmin: “Eshtë e vështirë të bësh parashikime, ka modele të ndryshme që qarkullojnë, por të gjitha modelet kanë supozime, domethënë disa ngjarje të paracaktuara, por ne jemi në një situatë të re dhe po shikojmë të dhënat tona e për momentin nuk jam në gjendje që të bëj parashikime”, tha presidenti i Istituto Superiore di Sanità, Silvio Brusaferro, në një konferencë për shtyp.

Ajo që dimë me siguri është se tani varet kryesisht nga ne: duhet të respektojmë indikacionet e izolimit dhe distancimit shoqëror deri në fund sepse, siç na tregojnë Kina dhe Codogno, rezultatet do të vijnë. / Corriere della Sera – Bota.al