Koronavirusi, rastet e 3 javëve të fundit në Shqipëri, sa në 3 muajt e parë

Në Shqipëri, vetëm në tre javët e fundit rastet e reja me Koronavirus, janë thuajse në nivele të njejta me ato të rregjistruara përgjatë 3 muajve të parë që nga fillimi i epidemisë. Deri më sot numërohen 1139 raste, ndërkohë që nga 9 marsi deri më 9 qershor ishin 1263 të tilla.

Ritmet e larta të rasteve nuk po dëshmojnë as një tendencë rënëse. Vetëm 24 orët e fundit u regjistruan 72 të prekur të rinj, në 14 qytete të ndryshme: 19 të prekur në Tiranë, 9 në Krujë, nga 8 raste në Shkodër, Durrës, Pukë, nga 4 raste në Sarandë dhe Vlorë, nga 3 raste në Fier, Lushnje, 2 në Lezhë, dhe nga 1 rast në Korçë, Elbasan, Has, Kavajë.

Në të gjithë vendin janë aktualisht 963 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës.

Me ritme shqetësuese, po shtohen dhe viktimat. Për tre ditë me radhë, janë shënuar 6 vdekje. Në 24 orët e fundit autoritetet njoftuan se kanë humbur jetën në spital një 70 vjeçar nga Shkodra dhe një 54 vjeçar nga Tirana, të cilët vuanin dhe nga sëmundje të tjera. Në 17 ditët e fundit janë rregjistruar 21 viktima, ndërsa në total janë 55 persona të cilët janë ndarë nga jeta.

Në Shërbimin Infektiv, vijojnë të rriten të shtruarit, e veçanërisht ata në gjendje të rëndë. SIpas të dhënave të mesditës së sotme, në 24 orët e fundit nga 77 pacientë, 15 janë në terapi intensive dhe 2 të tjerë të intubuar.

Rastet me koronavirus, janë përhapur thuajse në të gjithë vendin, dhe të infektuarit po vërehen në ndërmarrje private dhe institucione publike. Ministria e Shëndetësisë vijon të përsërisë thirrjet drejtuar qytetarëve për zbatimin e rregullave të sigurisë. “E vetmja mënyrë për të ndaluar përhapjen e infeksionit është duke ruajtur distancën fizike, duke vendosur maskën kur nuk ruani dot distancën, duke ruajtur higjienën personale, bizneset dhe institucionet duke respektuar protokollet e përcaktuara. Respektimi strikt i masave të vendosura do të ruajnë shëndetin tuaj dhe njerëzve tuaj të dashur. Shkelja e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezik për jetën dhe shëndetin e të tjerëve”, u shpreh sot Rovena Daja e Institutit të Shëndetit Publik.